“Edi Rama kalorësi i vetëm besnik i Serbisë dhe Rusisë”/ ‘Ballkani i hapur’ në prag të vdekjes – këto janë prapaskenat!

Politika

“Edi Rama kalorësi i vetëm besnik i Serbisë dhe Rusisë”/ ‘Ballkani i hapur’ në prag të vdekjes – këto janë prapaskenat!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 qershor 2022 Në ora: 11:47
Edi Rama dhe Sergej Lavrov

Disa javë më parë ishte paralajmëruar vizita e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov në Serbi. Me më shumë bujë se sa u prit të ndodhte, u komentua dështimi i saj.

Vizita ishte paraparë të zhvillohet në datat 6 dhe 7 qershor, mirëpo, asgjë nuk shkoi siç e kishin planifikuar diplomatët e Serbisë dhe Rusisë.

Kjo për shkak se pas vendimit të Bullgarisë, Malit të Zi për bllokimin e hapësirave ajrore për shtetin rus, një vendim të tillë e mori edhe Maqedonia e Veriut, vend anëtar i “Ballkanit të haput”, dhe kjo ishte ‘goditja’ e fundit për ministrin rus.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Pas dështimit të kësaj vizite, erdhi edhe reagimi i ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili përveç tjerash bëri të ditur se Rusia është mbështetëse e projektit të Serbisë, “Ballkani i hapur”.

Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të hapur”, ka deklaruar Lavrov dje në Moskë.

Pas deklaratës së Lavrovit, i cili e zbuloi si një projekt që e mbështetë Rusisë, është vënë në kulm të kritikave Shqipëria me Edi Ramën që nuk po e braktisë atë, nga qarqet intelektuale shqiptare.

Sot, dhe nesër në Ohër të Maqedonisë, tri vendet Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, dhe kryeministri i Malit të Zi si vëzhgues do të provojnë ta ringjallin projektin.

Por, ai tashmë përveç nga analistë nga Shqipëria, si Enver Bytyçi, Ramazan Bekteshi, Shaban Murati etj, dhe nga Kosova si Idriz Morina etj., është shpallur i vdekur edhe nga eksperti i njohur amerikan Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph.

Sikurse duhet falënderuar Putinin që i injektoi jetë NATO-s, lavdërime edhe për Sergej Lavrovin që ia dha puthjen e vdekjes Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën Aleksandar Vuçiqin”, ka shkruar Joseph.

Ai e konteston hapur, konceptimin e zyrtarëve të SHBA-së që ‘tregtia është e barabartë me besimin’.

Duke besuar se Aleksandar Vuçiq dëshiron të anëtarësohet në BE, zyrtarët e SHBA-së kanë pranuar nocionin se ‘tregtia është e barabartë me besimin’. Ajo që ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilin po tregtoni. Pyeteni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kievit, për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë e Jugut ose Tajvanin nëse tregtia ka krijuar besim me Kinën”, shkruan Joseph duke polemizuar për parimet e Trampit, dhe Perëndimit përgjithësisht, duke shprehur kështu qartë, se vlerat e mirëfillta universale janë përtej atyre tregtare.

Ai ka thënë se e njëjta histori është edhe në Ballkan.

Tani, mbetet të shihet reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për këtë çështje dhe dështimin në organizmin dhe zhvillimin e “Ballkanit të hapur”, të cilin ky i fundit me ngulm e kërkonte, madje duke e anashkaluar edhe Kosovën dhe interesat e saj.

Qarri: Edvin Kristaq Rama po e dëshmon edhe njëherë më tepër, se është vendosur në anën e kundërt të historisë, njëjtë si Enver Hoxha

E lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai tha se çdo ditë po dëshmohet se kryeministri i Shqipërisë është vendosur në anën e kundërt të historisë, ku për qëllime politike, po dëmton interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Image
Gani Qarri

Edvin Kristaq Rama po e dëshmon edhe njëherë më tepër, se është vendosur në anën e kundërt të historisë dhe njëjtë si Enver Hoxha, po bënë luftë të pa kompromis që duke dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, të forcojë pozitat e pushtetit të tij, në një vend të mbytur nga njëmendësia politike, për më se një gjysmë shekulli si shteti shqiptar, ku melodia një-partiake, me ardhjen e tij në pushtet, serish është kthyer në fuqi”, deklaroi analisti.

Sipas Qarrit, mendësia politike e Ramës bazohet në faktin se vetëm përmes diktatit serb mund të nënshtrohen shqiptarët e Kosovës dhe kësisoj ruhet pushteti në Shqipëri.

Madje edhe mendësia e tij politike, vazhdon të bazohet në të kaluarën e paraardhësve komunist të Edvin Kristaq Ramës, se vetëm nën diktatin serb dhe doktrinat ideore të udhëheqësve të Serbisë, mund të nënshtrohen shqiptarët e Kosovës dhe sundohet e ruhet pushteti, pafundësisht në Shqipëri”, theksoi ai.

Më tej, analisti tha se pas vendimit të RMV-së dhe Malit të Zi për bllokimin e hapësirave ajrore për ministrin rus, tani i vetmi kalorës besnik i Serbisë ka mbetur Rama, që nuk po iu bashkohet vendimeve të BE-së për mbylljen e hapësirës ajrore të udhëheqësve rus.

Për aq më tepër, përderisa edhe vet shtetet sllave të jugut, si (FYROM) Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, qysh dje deklaruan publikisht, se kanë bllokuar hapësirën ajrore për fluturime të udhëheqësve të qeverisë kriminale të Vladimir Putinit, duke ia pamundësuar edhe ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, realizimin e vizitës në Serbi, është vetëm Edvin Kristaq Rama ai i cili po vepron si kalorës besnik i ortodoksisë serbo-ruso-greke, në këtë pjesë të Ballkanit Jugor, jo vetëm duke heshtur, por edhe duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në rajon, që ende nuk është deklaruar se u bashkohet vendimeve të Bashkimit Evropian për mbylljen e hapësirës ajrore dhe ndalon fluturimet e udhëheqësve rus të Vladimir Putinit mbi Shqipëri”, vlerësoi Qarri.

Në fund, ai potencoi se kryeministri shqiptar nuk po arrin t’i kuptojë humbjet që ia sjellë afërsia me politikat serbe.

Analisti tha se dështimi i jetësimit të projektit të “Ballkanit të Hapur”, ka bërë që Rama të heshtë me dhimbje të madhe për pamundësinë e çuarjes së ideve të Serbisë së madhe deri në fund.

Edvin Kristaq Rama, nuk po arrin të kuptoj edhe në këtë shekull, se mendësia serbe, është në deficit të madh edhe me zhvillimet bashkëkohore dhe kulturën politike perëndimore të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe përveçse i kundërvihet hapur procesit të Berlinit, për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, i cili vije nga shteti më i fuqishëm dhe promotori i BE-së si Gjermania, ai i ngjitet pashkëputshëm një ideje kolonizuese të "Serbisë së Madhe", si i ashtuquajturi "Open Ballkan", i cili duke pasur parasysh se nga kush vije si projekt i para-programuar kolonizues, që nga fillimi ishte i dënuar për dështim, që duket se ka bërë së fundi, që edhe Edvin Kristaq Rama të heshtë me dhimbje të madhe dhe dëshpërim të pafund, për pamundësinë e çuarjes së ideve të Serbisë së madhe deri në fund”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Rama është argat i Vuçiqit, andaj nuk flet dhe heshtë

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti tha se në vazhdimësi po dëshmohet se “Ballkani i hapur” është një projekt serbo-rus.

Image
Faton Mehmeti

Madje, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se ky projekt ka dështuar të jetësohet fal këmbënguljes së ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Çdo ditë e më tepër po del në pah e vërteta e pamohueshme, “Ballkani i hapur” është projekt serbo-rus, fatkeqësisht me ndihmën edhe të Shqipërisë ka marrë dimensione të gjera të realizimit të saj. Nëse s’do të ishte këmbëngulja e Gjermanisë, konkretisht e ish-kancelares Angela Merkel, tashmë “Ballkani i hapur” do të ishte jetësuar. Kundërshtimi i Gjermanisë e ka vënë me shpinë për muri këtë projekt famëkeq, veçanërisht për shqiptarët”, deklaroi ai.

Sipas tij, pas refuzimit të kërkesës së RMV-së për fluturimin e ministrit rus, do tw ishte mirë që ky shtet të distancohej edhe nga “Ballkani i hapur”.

E sa i përket heshtjes së Ramës, analisti theksoi se ai me dhimbje të madhe po shikon se si po dështon ky projekt serbo-rus.

Derisa ndalimin i kalimit të Lavrovit nga Maqedonia nuk ka të bëjë me “Ballkanin e hapur", do të ishte shumë mirë që edhe Meqedonia Veriore ta kundërshtonte këtë projekt favorizues për Serbinë dhe i dëmshëm për shqiptarët. Rama është argat i Vuçiqit, andaj nuk flet, heshtë dhe me dhimbje të madhe sheh se si projekti serbo-rus po dështon”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat