Ramush Haradinaj nuk jep më shpresë / Vetëm një lider me vlera të larta morale e intelektuale mund ta shpëtojë nga rënia

Politika

Ramush Haradinaj nuk jep më shpresë / Vetëm një lider me vlera të larta morale e intelektuale mund ta shpëtojë nga rënia

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 qershor 2022 Në ora: 14:07
Ramush Haradinaj

Nuk kanë kaluar as edhe një javë që nga dita që AAK rizgjodhi, Ramush Haradinaj kryetar të partisë.

Sipas zëdhënësit të AAK-së, Lulëzim Blaka pro Haradinajt ishin 518 nga 528 delegatë.

“Gjithsejtë ishin 528 delegatë. 518 ishin pro, dy kundër tre abstenime dhe pesë të pavlefshme”, është shprehur Blaka.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen ishte që kundërkandidatë nuk kishte Haradinaj, pasi ishte i vetmi që kandidonte për të qenë kryetar i kësaj partie.

Natyrisht që kjo na lë të kuptojmë që tashmë partia e AAK është privatizuar nga familja Haradinaj, kjo sepse në qeverisje të kësaj partie, përveç një “Haradinaj”, asnjë tjetër nuk ka kaluar ta qeverisë.

AAK-ja është themeluar në vitin 2000 si një aleancë - koalicion partish të vogla asokohe, përfshirë Partinë Parlamentare që udhëhiqej nga Bajram Kosumi në atë kohë. Nga viti 2002 pas tërheqjes paraprake të dy partive të vogla, ajo u regjistrua si parti e pavarur, dhe sërish me kryetar Ramush Haradinajn.

Për nga statuti i saj ajo, është një parti me sistem presidencial të zgjedhjeve, pra që në qendër e ka kryetarin, ndërsa deri në vitin 2008 ajo kishte zgjedhje parlamentare, sigurisht edhe atëherë ato ishin formale, sa i përket zgjedhjes së kreut të saj.

Megjithëse një parti e vogël, vetëm gjatë koalicionit me LDK-në, nga kjo parti janë emëruar tre kryeministra, Ramush Haradinaj (2004- mars 2005), për rreth tre muaj, pastaj Bajram Kosumi (mars 2005 — mars 2006), i shkarkuar për shkak të një skandali, dhe Agim Çeku (mars 2006-2008, 9 janar) e ka përfunduar mandatin me mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Por, si është e mundur që për 22 vite të mbetet kryetar, madje edhe kur ishte në burg në Hagë, dy herë?!

Është fakt notor, se gjatë kohës sa Ramushi ndodhej në Hagë, partinë e drejtonte i vëllai i tij Dauti, madje thuhet se me dorë edhe më të fortë.

Por, cili mund të jetë fati i kësaj partie, nëse Ramush Haradinaj tërhiqet nga ajo apo detyrohet ta lë, ndërsa po ashtu edhe i vëllai Dauti, nuk do të ishte në gjendje të qeveriste me të?!

A do të shuhej apo do të ringrihej? Këtë të dytën, thuaja askush se beson si mundësi!

Imazhi i AAK-së, është i një partie private, ku qeveriset me dorë të hekurt thuaja nga dy vëllezërit, dhe demokracia partiake, nuk mund të mendohet si vullnet ndryshe karshi liderit të saj, qëllimeve, motiveve apo interesave të tij!

Mirëpo, nëse ndodhë një largim i papritur i vëllezërve Haradinaj, a mund të shuhet AAK-ja?

Ahmeti: Identiteti i AAK-së nuk mundet dhe nuk duhet të jetë familja Haradinaj

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se AAK-ja nuk po ia del të shkëputet nga liderizmi që të transformohet një parti me program të qartë.

Vazhdimi i logjikës së njëjtë lideriste nuk do ta fuqizojë këtë subjekt, shtoi tutje analisti.

“Kjo logjikë po dëshmon se AAK-ja nuk po mundet të shkëputet nga liderizmi, rrjedhimisht të transformohet në një parti me orientim të qartë programor dhe ideologjik. Kapërcimi i kësaj logjike dhe orientimi i qartë programor dhe ideologjike do ta vendoste AAK-në në një subjekt politik serioz dhe me një të ardhme të ndritur të fuqizimit politik. Por, vazhdimi i logjikës së njëjte lideriste nuk do ta fuqizoj këtë subjekt, përkundrazi do ta thellojë më shumë mundësin për të mbijetuar si subjekt politik”, u shpreh ai.

Analisti tutje thotë që identiteti i AAK-së nuk mundet dhe nuk duhet të jetë familja Haradinaj dhe se një liderë i ri do të ishte një garanci për fuqizimin e këtij subjekti politik.

“Identiteti i AAK-së nuk mundet dhe nuk duhet të jetë familja Haradinaj, e cila ka kontribuar për çlirimin dhe lirinë që po e gëzojmë, por duhet të jetë më shumë se aq, duke u identifikuar me vlera morale dhe intelektuale, me një program të qartë ideologjik, me kuadro të reja teknokratike. Një lider i ri me vlera të larta morale e intelektuale dhe një reformë e mirëfilltë do të ishte një garanci për fuqizimin e këtij subjekti politik, potencialisht një subjekt që në një të ardhme të afërt do të ishte pjesë e fuqishme në qeverisjen e vendit”, thotë Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Influenca e madhe e Haradinaj vërehet shumë tek AAK-ja

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik tjetër, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se pothuajse të gjitha partitë janë të ndikuara nga liderët e parë të tyre, mirëpo në AAK ka një influencë të liderit, dukshëm më të madhe.

“Kur flasim për partitë politike në Kosovë, mund të konstatojmë se shumica prej tyre kanë qenë, apo vazhdojnë të jenë të ndikuara nga autoriteti i Kryetarit. Këtë e kemi pasur edhe në LDK sa ishte Rugova, pastaj ka vazhduar edhe me PDK-në me z. Thaçi. Edhe përkundër faktit se ai u largua nga posti i të parit të partisë dhe sot nuk gjendet as fizikisht në Kosovë, partia e tij e respekton si lider. Pastaj kemi partinë më të madhe në vend, VV-në të cilën e udhëheqë z. Kurti 100% vetë. Këtë e ka bërë edhe kur nominalisht nuk ishte kryetar i saj. Të njëjtën gjë e shohim edhe në AAK, përveç se këtu influenca e liderit duket të jetë shumë më e madhe. Kemi AKR-në, e cila po ashtu është parti ekskluzivisht familjare dhe klienteliste. Partinë Nisma e kështu me radhë”, thotë analisti.

Më tej, ai thotë që qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët në përgjithësi, janë të prirur të krijojnë lidhje emocionale me liderin, shembulli i Partisë Demokratike në Shqipëri, ku Sali Berisha në moshë kaq të shtyrë, arrin të rikthehet në krye të partisë.

“Kur flasim për AAK-në dhe VV-në, dhe partitë tjera me të vogla, duhet thënë se, duke qenë të varura nga ndikimi i liderëve të tyre, nuk e di a do ta mbijetonin mungesën eventuale, përkatësisht largimin e tyre. Për mendimin tim, këto zhvillime, janë shenja të brishtësisë demokratike që e kemi si shoqëri. Sepse partitë politike, nuk janë gjë tjetër, por pasqyrë e nivelit të vetëdijes qytetare. Qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët në përgjithësi, janë të prirur të krijojnë lidhje emocionale me liderin, qoftë edhe nëse dikur duket e paarsyeshme, shembulli i Partisë Demokratike në Shqipëri, ku Sali Berisha në moshë kaq të shtyrë, arrin të rikthehet në krye të partisë, gjë që për logjiken e emancipuar perëndimore duket të jetë absurditet”, thotë Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat