Sa kemi humbur territor, cilat shtete na i gllabëruan/ 144 Vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit

Politika

Sa kemi humbur territor, cilat shtete na i gllabëruan/ 144 Vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 qershor 2022 Në ora: 20:51
Lidhja e Prizrenit

Në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Kjo datë u shënua edhe sot dhe u vlerësua nga krerët më të lartë të shtetit.

Lidhja e Prizrenit kishte kulmuar me krijimin e një qeverie të përkohshme, në krye me Ymer Prizrenin, ministër të Jashtëm Abdyk Frashërin, ministër lufte Sylejman Vokshin dhe që kërkonte njohjen e një shteti nën sovranitetin e Portës së Lartë, Perandorisë Osmane.

Në fakt Lidhja e Prizrenit u krijua nën ideologjinë e rilindjes kombëtare, të mbledhur kryesisht asokohe në Stamboll.

Shqiptarët me 1878 shtriheshin përtej Nishit që sot gjendet në Serbi, shtriheshin deri në kufirin e sotëm të Maqedonisë me Bullgarinë, ishin shumicë në Selanik, dhe ende shtriheshin në gjysmën e Greqisë së sotme, ndërsa kishin edhe Sanxhakun, dhe një pjesë të konsiderueshme të Malit të Zi, përfshirë, Ulqinin dhe Tivarin.

Shumë prej këtyre qyteteve, si Tivarin dhe Ulqinin, detyrohen t’i braktisin pasi nga deti sulmoheshin nga fuqitë e mëdha e nga toka nga Perandoria Osmane.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas presidentes, kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Osmani, njofton zyra për informim e Presidencës.

Duke u lidhur më këtë përvjetor, për ‘Bota sot’ flet profesori universitar, Sulejman Mehazi. Ai thotë se përvjetorët e patriotëve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, në krye me vëllezërit Frashëri, vijnë e shkojnë, por idealet e këtyre burrave të mëdhenj për bashkimin e trojeve shqiptare sot e kësaj dite mbetën iluzione të parealizuara, krejt për shkak politikës së mbrapshtë e karrieriste të udhëheqësve shqiptarë që nga pavarësia e Shqipërisë, 1912 e deri më sot.

“Derisa ideali i Rilindësve të Lidhjes së Prizrenit ishte dashuria ndaj historisë së lavdishme të popullit tonë, dashuria ndaj gjuhës shqipe, bashkimi dhe krijimi i shtetit të Shqipërisë brenda gjitha trojeve shqiptare, politikanët shqiptarë pas pavarësisë e deri më sot jo që nuk i realizuan idealet e kolosëve të mëdhenj të Rilindësve, por i tradhtuan këto ideale kombëtare”, vlerëson ai.

Mehazi: Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet?

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Madje Mehazi pyet se ka mbetur edhe porosia e shkrimtarit të madh, Sami Frashërit.

“Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në veprën ideore, politike, ekonomike e shtetërore: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" (1899)?, askundi, nga këto tre porosi të Sami Frashërit, dyqindvjet më pas vetëm njëra është realizuar, e para, "Shqipëria ç'ka qenë", kurse dy të tjerat, "çështë Shqipëria e ç'do të bëhet" mbetën vetëm dëshira popullore e asgjë më shumë. Shqipëria e sotme e Samiut, Naimit e Abdyl Frashërit është me Serbinë e Ballkanit të Hapur e jo me Lidhjen e Prizrenit të Kosovës, Shqipëria e sotme është e përçarë në shqiptarë të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të RMV-së, pikërisht nga politikanët e shitur e të korruptuar shqiptarë. Ardhmëria e Shqipërisë së Sami Frashërit është në Ballkanin e Hapur të Serbisë e jo në atë që dëshironte Sami Frashëri në BE tog e të bashkuar në një shtet”, thekson ai.

Kelmendi: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, hynë pas kohës së Gjergj Kastriotit ( Skender Beut), si organizim më i suksesshëm shqiptar

Image
Muhamet Kelmendi

Një historik lidhur me këtë përvjetor e ka dhënë edhe Muhamet Kelmendi, i cili thotë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, hynë pas kohës së Gjergj Kastriotit ( Skender Beut), si organizim më i suksesshëm shqiptar.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 u krijua ne Prizren, nën udhëheqjen ideologjike të Avdyl Frashërit. Në Kuvend morën pjesë 26 delegacione nga të gjitha anët e Shqipërisë. Kishte delegacione nga Ҫameria, Kosova, duke përfshirë atëherë Kosovën e sotme, si dhe territoret e Kosovës Lindore, deri në Nish ( Vilajeti i Kosovës shtrihej nga Nishi e Sanxhaku, tërë Kosova e sotme, Shkupi e Kumanova, Tetova e Gostivari, Ohri, Prespa etj.) Saxhakun, viset shqiptare në Maqedoni, ato në Mal të Zi, dhe Pava e Gucia, Ulqini, Tivari etj. Në Kuvend të LSHP  u zgjodhë Ymer Pruzereni Kryetar i Lidhjes Avdyl Frasheri u caktua si ideolog dhe Ministër i Jashtëm, ndërsa Sylejman Agë Vokshi u zgjodhë Ministër i Mbrojtes në kuadër të LSHP dhe komandant suprem i luftëtarëve të Lidhjes”, vlerëson ai.

Sipas tij, qëllimi i LSHP ishte bashkimi i tërë viseve shqiptare në një Vilajet me emrin Shqipëri. Në anën tjetër, në Berlin kishte filluar, në vitin 1878 Kongresi i Berlinit.

“Në atë Kongres iu dhanë si kompensim për luftën që kishte humbur Perandoria Osmane me Rusinë, në Detin e Zi,  territoret si Kosova Lindore, pa Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, Serbisë. Iu dha Piroti e Leskovci, deri te Nishi.vGreqisë iu dha Janina dhe Ҫamëria. Ndërsa, Malit të Zi iu aneksua Plava e Gucia, Hoti e Gruda dhe Tivari e Ulҫini. U bë kështu ndarja e  parë e madhe e territoreve shqiptare me pajtueshmërinë e Stambollit, si dhe të Rusisë, Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në fakt, u dhanë territoret shqiptare nga Perandoria Osmane, me Konferencen e Shën Stefanit, të vitit 1978, Rusisë. Këto territore iu aneksuan shteteve sllavo-ortodokese, si Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë”, thekson ai.

Kelmendi thotë se meqë Perandoria Osmane ia dha territorret shqiptare, si kompensim për luftën e humbur kundër Rusisë, LSHP doli edhe kundër Perandorisë Osmane dhe filloj luftën për mbrojtjen e territoreve shqiptare.

“Luftërat më të suksesshme për ruajtjen e hapësirës territoriale, është lufta kundër Mark Milanit, mbi Lumin Lim, lufta për mbrojtjen e Ulҫinit, që e kishin rrethuar forcat ushtarake malaze dhe e humbën luftën. Në ndihmë erdhi ushtria franceze, e cila e e rrethoj Ulҫinin me anije luftarake dhe luftetarët e LSHP e lëshuan Ulҫinin pas 6 muaj rrethim, kryesisht për shkak të urisë dhe sëmundjeve ngjitëse që kishte kapluar Ulҫinin. Por, lufta më e suksesshme është ajo e Grykës së Carralevës, kundër 40 mijë ushtarëve osmanë, e komanduar nga Sylejman Agë Vokshi. Në betejat e përgjakshme ranë shumë heronjë, midis tyre ra Sefë Kosharja,  Mic Sokoli etj. LSHP kishte një territor që e kishte organizuar shtetin me emrin Shqipëri, prej Nishit e deri në Janinë, nga Tivari e deri në Pirot dhe në Manastir. Në kuadër të këtij shteti ishte një hapësirë shumë e gjerë dhe shikuar nga hapësira gjeografike, arrijnë  mbi 100 mijë km”, thotë ai.

Tutje, Kelmendi thotë se Lidhja Shqiptare e Prizreni bëri luftë kundër ushtrisë otomane, serbe, malazeze dhe franceze. Ato ishin lufta për mbrojtjen e hapësirës territoriale të Shqipërisë.

“Në hapësirën ku shtrihej shteti shqiptar i LSHP sot janë të ndara dhe të pushtuara nga Greqia Janina dhe Ҫamëria. Tërë Kosova jug-lindore e Vilajetit të Kosovës, që është nën sundimin maqedon dhe serb, ndërsa Ulҫini, Tivari, Plava dhe Gucia, me Hot e Grudë janë nën sundimin malazez. Me kilometra katror nuk e di, se sa ka humbur Shqipëria territore, sepse nuk kemi matje, si në kohën e Perandorisë Osmane, ku shqiptarët ishin në tri Vilajete ( Vilajeti i Kosovës, i Janinës dhe i Shkodrës), me një sipërfaqe prej më shumë se 100 mijë km”, tha ai.

Duke vazhduar me historikun e shteteve shqiptare, Kelmendi thotë se territori i Shqipërisë u cungua më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve, në Londër,  në vitin 1913 edhe më shumë. Serbisë iu dha edhe pjesa tjetër e mbetur, Kosova e sotme, me Kosova Lindore, tërë pjesa e Kosovës Jugore e Vilajetit të Kosovës. U shkëput nga Shqipëria gjysma e territorit shqiptar, një Shqipëri më e madhe, se sa është tash.

“Shikuar aneksimet e bëra në Kongresin e Berlinit e të Konferencës së Ambasadorëve del se iu morën Shqipërisë mbi 70 mijë km dhe iu dhanë shteteve, si Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Lidhja Shqiptare e Prizreni u shpërbë në vitin 1881, pasiqë e humbi luftën në Grykën e Carralevës dhe forcat ushtarake otomane u futën në Prizren. Aty u kap dhe u arrestua Avdyl Frashëri dhe Sylejman Age Vokshi. U bë një gjyq qesharak. Sylejman Age Vokshi u dënua me vdekjee, varje në litar dhe e varen në vitin 1883, ndërsa Avdyl Frashërin e dënuan me burg të përjetshëm. E dërguan në Janinë, në burgun e Janinës dhe ndërroi jetë në vitin 1895 në Janinë, në burg. LSH e Prizreni mbetet dhe hynë në organizimet politike, ushtarake, juridike dhe territoriale të luftës për shtet e komb në lidhje më të rëndësishme të kombit shqiptar për liri e shtet të pavarur. Mbetet në kanalet historike si subjekt më i  organizuar dhe më i suksesshëm në luftën e popullit shqiptar për bashkim dhe për liri kombëtare”, vlerëson analisti Muhamet Kelmendi.

Lidhur me përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, edhe historian Jahja Drancolli ka ndarë disa të dhëna interesante. Ai në faqen e tij në Facebook, duke folur për këtë ngjarje ka thënë se kur është themeluar kjo Lidhje, kishte një organizim politik gjithëkombëtar, ndërsa jep edhe disa statistika për numrin e popullsisë shqiptare nëpër qytetet kryesore, ku rezulton se aso kohe Prizreni ishte qyteti më së shumti banore, dhe gati pesëfish më i madh se Prishtina.

“Si sot, në vitin 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim politik gjithëkombëtar: Sipas statistikave europiane të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar në "Nouvelle Géographie Universelle" (Gjeografia e Re Universale/Botërore), Paris, 1876, Prizreni rezulton të jetë qyteti më i madh në Shqipëri me 46.000 banorë. Pas Prizrenit vinin sipas këtij rendi: Manastiri 40.000 banorë, Shkodra 35.000, Shkupi 30.000, Janina 25.000, Gjakova 25.000, Tetova 22.000, Peja 20.000, Prishtina 10.000, Tirana 10.000, etj”, shkruan Drancolli.

Historiku i Lidhjes së Prizrenit

Image
Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi Lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

Një nga hapat e tyre të parë ishte të hartonin një memorandum për Earl of Beaconsfield, përfaqësuesi britanik në Kongresin e Berlinit, ku formuluan parimet:

“Ashtu siç nuk jemi ose nuk duam të jemi turq, ne do të kundërshtojmë me gjithë forcën tonë këdo që dëshiron të na kthejë në sllavë, austriakë apo grekë. Ne duam të jemi shqiptarë. ”

Ndërsa territoret e pushtuara nga Mbretëria e Serbisë u braktisën, trupat e Lidhjes mbronin territoret që i ishin caktuar Principatës së Malit të Zi dhe qytetet Janina dhe Preveza në rajonin e Epirit të pretenduara nga Mbretëria e Greqisë .

Anëtarët kryesorë të Lidhjes ishin Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Pashko Vasa, Idriz Seferi, Isa Boletini, shumë të tjerë. Meqenëse liga nuk mund të parandalonte copëtimin e zonave të populluara me shqiptar, ajo filloi të përqendrohej në zbatimin e kërkesave të brendshme politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat