Listat e fryra të veteranëve/ Qeveria nuk ka kompetencë - kërkohet nga prokurorët t’i paraqesin akuzat kundër keqbërësve

Politika

Listat e fryra të veteranëve/ Qeveria nuk ka kompetencë - kërkohet nga prokurorët t’i paraqesin akuzat kundër keqbërësve

Nga: A.M. Më: 14 qershor 2022 Në ora: 23:01
Foto ilustrim

Sot, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar në parim projektligjin për pagën minimale. Pas këtij vendimi, nuk ka munguar reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar protestë për të enjten.

Veteranët kanë ftuar ‘protestë gjithë-popullore’ para Kuvendit e Qeverisë më 16 qershor, me fillim prej orës 09:30.

Nga kjo organizatë kanë thënë se deputetët që e votuan këtë ligj, kanë vepruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar miratimin e projektligjit për pagën minimale dhe paralajmërimin e veteranëve për protesta.

Fillimisht, ai bëri të ditur se statusin e kategorive të UÇK-së, dhe kufizimin e tyre mund ta bëjnë vetëm gjykatat me verdikte juridike.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Të drejtat e veteranëve të luftës dhe të invalidëve, përkatësisht statusin e kategorive të UÇK-së, nuk mund ta kufizojnë ose ta mohojnë organet e shtetit me akte administrative dhe as me ndonjë ligj të ri, pavarësisht të dhënave.

Mohimi i të drejtave të dhëna me ligj ndalohet vetëm me aktgjykim të gjykatave dhe atë vetëm atëherë kur e merr verdikti fuqinë e plotë juridike.

Çdo intervenim nga Qeveria nëpërmjet Kuvendit për të bërë rivlerësimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, të invalidëve dhe të drejtave tjera, është antiligjor dhe në Gjykatën Kushtetuese e fiton çdo paditës të drejtën ligjore.

Maksimumin e bëri sot pozita. E ndau me ligj pensionin e veteranit nga paga minimale në vend. Kjo është e pa drejtë”, deklaroi juristi.

Po ashtu, Kelmendi tha se kategoritë e luftës së UÇK-së janë zgjidhur me ligje, ndërsa interevenimi i Qeverisë për rivlerësim të kategorive kushtetuese është kundër Kushtetues.

“Mos rregullimi me ligj të veçantë të çështjes së veteranëve nuk i jep të drejtë pozitës të ua mohon veteranëve të drejtat ligjore të realizuara.

Kategoritë e luftës së UÇK-së janë zgjidhur me ligje. Ato janë parimisht të pa kontestuara. Ligje mund të nxirren nga Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa Kuvendi mund të krijojë edhe komisione, mirëpo, ato nuk mund të rivlerësojnë vendimet e nxjerra në bazë të ligjit. Këtë e bënë gjykata me padi nga prokuroria.

Prandaj, del se forma juridike e Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet intervenimit ligjor për të bërë rivlerësimin e kategorive të luftës dhe për të shkëputur pensionin nga paga minimale është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ajo formë e punës vetëm krijon konflikte juridike në Republikë. Kundër edhe duhet protestuar”, theksoi ai.

Kurse, sa i përket punës së gjykatave dhe prokurorive, juristi tha se qeveria duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e sistemit të drejtësisë.

“Dihet se shqyrtimin e çdo lëndë veç e veç e bëjnë prokuroritë në Kosovë dhe e vendosin gjykatat me aktgjykim.

Pse gjykatat dhe prokuroritë nuk po punojnë është çështje e pushtetit në vend. Natyrisht se Qeveria kërkohet të kujdeset për mirëvajtjen e sistemit. E nëse nuk funksionon, veprohet me masa shëruese, përmes Vetting-ut.

Këto masa nuk janë çështje të veteranëve dhe as të grupit punues që ka caktuar dhe vendosur për veteranët”, u shpreh Kelmendi.

Në fund, ai kërkoi nga gjykatat të ndërmarrin masa për hetimin e listës së fryra të veteranëve dhe nga prokuroria të ngrihet akuza ndaj keqbërësve.

“Gjykatat kërkohet të ndërmarrin masa. Por, nëse prokurorët nuk paraqesin akuza kundër keqbërësve, gjykatat nuk kanë se si të veprojnë. Kush do të përgjigjet dhe sa do të jetë dënimi e përcakton Kodi Penal. Këtë kërkohet që gjykatat ta zbatojnë me përkushtueshmëri.

Dëshira për të dënuar nuk është e mbështetur në shtet ligjor. Mund të paraqiten dëshira e dëshira, kërkesa e mbi kërkesa, por masa gjyqësore e gjykatës shqiptohet në bazë të ligjit dhe në emër të popullit. Mundësi tjetër juridiko-ligjore nuk ka”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat