A është “pak pro-serb”, pro-ortodoks sllavo-grek Edi Rama?

Politika

A është “pak pro-serb”, pro-ortodoks sllavo-grek Edi Rama?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 qershor 2022 Në ora: 19:44
Edi Rama

Qëndrimet e Edi Ramës karshi Kosovës tashmë po shihen qartë. Ai po e kritikon Kosovën dhe nuk po e përkrah në momentet kur duhet të mbrohet. Nisma ‘Ballkani i hapur’, tregoi qartë ‘fytyrën’ e tij dhe anën e kujt mban, Kosovës apo Serbisë.

Me qëndrimet e tij nuk janë pajtuar as krerët e shtetit të Kosovës, duke refuzuar madje kategorikisht ‘Ballkanin e Hapur’.

Derisa Bislimi u sulmua mjaft shumë nga kundërshtarët politikë, se po e fyen Ramën, kur e ndau një postim të një qytetari, se Edi Rama duket si ‘pak pro-serb’, ‘pro-ortodoks sllavo-grek’, ai vet sot e tha publikisht në Prishtinë, që ta pranojnë si të tillë, se e ka ‘vëlla edhe Vuçiqin’.

"Unë Albinin e kam vëlla, por më lejoni të jem edhe vëllau i Vuçiqit", ka thënë Edi Rama.

Edi Rama derisa mban qëndrime të kundërta me qeverinë aktuale në Kosovë, Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, ai kishte afërsi të madhe me ish-kryeministrin Hashim Thaҫi. Madje në atë kohë, Edi Rama i jepte Thaçit përkrahje në ndarjen e Kosovës.

Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi në një prononcim të tij për ‘Bota sot’, thotë se nisma për Ballkan të Hapur nga Rama, Vuҫiq dhe Zaev, është nismë para kohe. Serbia po bën 23 vite kur e humbi luftën, dhe nuk ka kërkuar falje për gjenocid ndaj shqiptarëve.

Image
Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi

“Nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, dhe as nuk po heq nga preambula kushtetuese Kosovën si pjesë të Serbisë. Prandaj, unë e pyes Ramën se çfarë kuptimi ka për shqiptarët nisma e Ballkanit të Hapur? E dinë mirë edhe kryeministri i Shqipërisë, të gjitha këto, dhe nuk po ndalet si për inati nga kjo nismë e cila pak gjë ka dallim ka nga Bota Serbe. Serbia dhe Rusia haptazi po e kërcënojnë Ballkanin me luftë në këtë kontest edhe Kosovën, dhe të futemi në një aventurë të tillë gjoja për integrime rajonale është absurditet i llojit të vet. Bisedimet politike do të vazhdojnë”, thekson Mulliqi.

Ai thotë tutje se Vuҫiqi dhe Rama po i bëjnë thirrje Kosovës që t’i bashkëngjitet nismës të cilës në kohën e fundit duket se po i bashkëngjitet edhe Mali i Zi, i cili deri vonë përmes gojës së presidentit, Millo Gjukanoviqit ishte shprehur kundër, por që kryeministri i sapo emëruar Abazoviq po mendon ndryshe.

“Shtrohet pyetja logjike, ҫfarë thirrje është kjo? Kjo do të thotë t’i bashkangjitesh “Ballkanit të hapur” duke shkuar në kuadër të Serbisë, e assesi nuk e donë edhe ndryshe Kosovën aty Vuҫiqi. Nuk ka integrime të natyrës ekonomike dhe tregtare që nuk lidhet edhe më politikë-bërje, dhe kjo nënkupton të pranosh kapitullimin para shtetit hegjemonist të Aleksandër Vuҫiqit, dhe fatkeqësohet edhe Edi Ramës, i cili duket se nuk e ka shumë dert punën e Kosovës. Dashur ose edhe pa dashur Edi Rama është duke i dhënë krah Serbisë, duke e bërë atë faktorin kryesor politik dhe ekonomik në rajon, e këtë gjë nuk duhet të lejojnë shqiptarët”, thotë ai.

Mulliqi thotë se në këtë kontekst politik duhet shikuar edhe deklarimin e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, i cili e ka shpërndarë një postim, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, quhet “pro-serb”.

“Ju kam thënë moti që Edi Rama është burrë i mirë, veç që është pak pro serb”, thuhet në postimin e një qytetari, të cilin më pas e shpërndau Besnik Bislimi nëpërmjet profilit të tij privat në Facebook. Nuk dihet nëse është shpërndarë me qëllim, apo aksidentalisht nga zv.kryeministri. Megjithatë, postimi nuk figuron më në faqen e tij në Fb. Pavarësisht të gjitha këtyre që i theksova më lartë, Edi Rama dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor po i vazhdojnë takimet e tyre për ecurinë e kësaj nisme, e cila bie ndesh me Procesin e Berlinit, kështu u nënkuptua nga deklarimet e kancelarit gjerman Scholz gjatë turneut diplomatik në rajon, e ku Rama mendon se Procesi i Berlinit është si një vijë sjelljeje për nismën e “Ballkanit të hapur”, duke i quajtur ato edhe si dy nisma jo përjashtuese, e që nuk korrespondon me të vërteten dhe nuk korrespondon as me synimet ekspansioniste ruso –serbe për dalje në portin e Durrësit”, vlerëson ai.

Tutje analisti Mulliqi thotë se, “Ballkani i hapur” nuk është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit siҫ e thotë këtë Rama. Serbia nuk ka sinqeritet, është shtet mashtrues dhe është shtet që shqiptarët i konsideron armiq të përhershëm, por si të kuptohet Rama në gjithë këtë mesele, e cila ju shkon shumë për shtati armiqve të Kosovës.

“Si t’i besojmë tash Ramës, ku ai së bashku me Vuҫiqin dhe Thaҫin patën marrë nismën për shkëmbime territoriale me Serbinë, që ishte shumë e papranueshme për Kosovën dhe shqiptarët. Duke komentuar deklarimin e Lavrovit, Vuҫiqi tha se ndihet krenar për politikën ruse. Kjo tregon dhe nënkupton synimet e tyre të përbashkëta ndaj kësaj pjese të botës për ta kthyer kohën e Luftës të Ftohtë. Tek e fundit invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë shpërfaqi politikat pushtuese ruse dhe serbe edhe në rajonin e Ballkanit. Prandaj, nisma për “Ballkan të hapur” më duket mua nuk korrespondon në kohë dhe as në hapësirë që të bëhet faktike”, thekson analisti Mulliqi.

Po ashtu edhe analisti Faton Mehmeti thotë se Edi Rama gjithnjë ka shfaqur simpati dhe afërsi për Serbinë, për sllavët dhe ortodoksët në përgjithësi.

Image
Analisti Faton Mehmeti

“Duke qenë edhe vetë ortodoks, kjo edhe ka ndikuar në afrimin e tij me Serbinë. Asnjë ish-kryeministër shqiptarë deri më sot s’ka shfaqur simpati dhe afërsi kaq të madhe me Serbinë sa Edi Rama”, thotë ai.

Sipas tij Rama ishte i gatshëm për interesa meskine ta ndante Kosovën, por sipas tij, ai dhe disa ish-liderë të Kosovës, do të mbeten ndër figurat më të errëta të kombit shqiptar.

“Ishte i gatshëm edhe të futet në ndarjen e Kosovës, gjë që e bëri me forcë dhe besim të madh. Si askush tjetër, Rama dhe Thaҫi u rreshtuan krah Serbisë për interesat e tyre meskine. Historia do i dënojë, si dy prej figurave më të errëta të kombit shqiptar”, thekson Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat