Vizita e Konjufcës në Hagë – reagojnë familje të viktimave të vrasjeve politike/ “Gabim i rëndë, do t’i kushtojë shumë!”

Politika

Vizita e Konjufcës në Hagë – reagojnë familje të viktimave të vrasjeve politike/ “Gabim i rëndë, do t’i kushtojë shumë!”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 qershor 2022 Në ora: 12:15
Vizita e kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Hagë

Së fundmi, kryeparlamentari i vendit, Glauk Konjufca ka zhvilluar një vizitë disa ditore në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së që akuzohen për krime lufte.

Gjatë kësaj vizite Konjufca takoi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Me këta të fundit që dikur i kishte rivalë politikë, Konjufca ka thënë se duhet t’i kalojnë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojnë forcat.

“Ne do t’i kalojmë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe duhet t’i bashkojmë forcat për aq kohë sa mendoj se në këtë proces po dëmtohet Kosova”, ka deklaruar kryeparlamentari.

Sa i përket punës së gjykatës speciale, ai tha se ka shumë defekte.

“Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen është fakti se po bëhen dy vjet prej kur këta janë brenda, të izoluar, e procesi gjyqësor nuk po fillon. Me të gjitha standardet evropiane të të drejtave të njeriut, kjo është e kritikueshme sepse ta keni parasysh edhe në sistemet e kaluara që kanë qenë diktatoriale, njeriun nuk e kanë mbajt 9 muaj pa filluar procesi”.

Ai pas kthimit kërkoi kontroll mbi këtë gjykatë.

Mirëpo, kjo vizitë e kryekuvenduarit nuk kaloi pa reagime dhe kritika.

Madje, u tha se Konjufca përmes kësaj vizite vuri në dyshim drejtësinë e Kosovës, pasi ishte Kuvendi i Kosovës që me shumicë votash formoi gjykatën speciale.

Dajaku: Vizitën e kryekuvendarit te të akuzuarit për krime si dhe deklaratat e tij, i cilësoi tepër të dëmshme

E vizitën e Konjufcës në Hagë e komentoi edhe ish-truproja i presidentit Rugova, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, truprojës së presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili u vra në një atentat më 19 tetor të vitit 2001.

Image
Xhevat Dajaku

Fillimisht, ai tha se udhëheqësit e shtetit përveç përgjegjësive brenda normave ligjore e kushtetuese, kanë edhe përgjegjësi shtesë morale e njerëzore.

“Së pari, të zgjedhurit e popullit në pozita të larta udhëheqëse kanë përgjegjësi shtesë në ato çka përfaqësojnë. Prandaj, përveç përgjegjësive brenda normave ligjore e kushtetuese, kanë edhe përgjegjësi shtesë morale e njerëzore, që me sjelljen e tyre të përçojnë mesazhe të tilla, mesazhe që do të lënë mbresa te qytetarët që i përfaqësojnë, d.m.th. ata/ato duhet të duken sa më korrekt, sa më të dinjitetshëm, sa më profesional, sa më të pastër dhe sa më transparent për të gjitha shtresat e shoqërisë”, deklaroi ish-truproja.

Sipas Dajakut, vizita e Konjufcës në Hagë është shumë e dëmshme, pasi në një mënyrë e cenon drejtësinë, të cilës i është pamundësuar të veprojë përbrenda shtetit tonë më shumë se 2 dekada.

Ai tha se deklarata e kryetarit të Kuvendit për akuzuarit për krime grushton ata që presin me padurim ndarjen e drejtësisë.

“Vizitën e kryekuvendarit te të akuzuarit për krime si dhe deklaratat e tij, i cilësoj tepër të dëmshme, sepse në ato deklarata ai bën klishe të rëndë dhe në një mënyrë e cenon drejtësinë, të cilës i është pamundësuar të veprojë përbrenda shtetit tonë mu për shkak të performancave të tilla të liderëve më parë, të cilët kishin qasje në çdo institucion të vendit, prandaj dhe u detyruan që ta zhvendosin gjykatën speciale jashtë kufijve të Kosovës.

Deklarimi e kryekuvendarit për "bashkim" me të akuzuarit për krime, jo vetëm që i grushton ata që presin me padurim ndarjen e drejtësisë, por e dëmton edhe pozitën e tij dhe të institucionit që e udhëheq dhe të të gjitha institucioneve të shtetit tonë, sepse Kuvendi është njëra prej shtyllave kryesore të shtetit”, vlerësoi ai.

Krahas kësaj, ish-truproja i presidentit historik përmendi edhe deklaratën e Konjufcës se "dëmtohet Kosova" për shkak të këtij gjykimi!

Ai beson se është qasje e gabuar që po mundohen fatin e të akuzuarve ta lidhin në çdo mënyrë me fatin e vendit.

“Pra, me një fjalë, të dëmtuarit janë ndier të grushtuar, të injoruar dhe janë bindur akoma më shumë se drejtësia po të vendosej në Kosovë nuk do të funksiononte fare, hiç, si deri mëtani.

Gjithashtu dhe deklarimi i tij se po "dëmtohet Kosova" për shkak të këtij gjykimi! S'e di, a ka menduar për buxhetin e shtetit që po derdhet në mbrojtjen e të akuzuarve, apo për dëmtimin e imazhit të vendit tonë, nëse është kjo e fundit, është gabim i rëndë. Nuk e kuptoj përse po mundohen fatin e të akuzuarve ta lidhin në çdo mënyrë me fatin e vendit, kjo është qasje e gabuar, sepse në drejtësi për gabimin e babait nuk ndëshkohet i biri dhe anasjelltas, pra, kjo thënie e tij është jo serioze, e qëllimshme dhe reflekton mesazh jo të mirë në raport me drejtësinë dhe te ata që kërkojnë drejtësi, njashtu është edhe mesazh për dëshmitarët gjithsesi”, theksoi Dajaku.

Krejt në fund, ai shpreson që Gjykata Speciale ta vazhdojë punën e saj, pasi në të kundërtën nëse dështon, atëherë nuk dihet se kur do të vihej drejtësi për gjithë ato viktima.

“Lutemi që gjykata të vazhdojë deri në fund, duke u bazuar vetëm mbi të vërtetat. Nëse edhe Gjykata e Kosovës në Hagë do të dështonte, nuk e di më se kur do të ndahet drejtësi për gjithë ato viktima!

Zoti i bekoftë të gjithë ata që ndajnë drejtësi dhe vetëm drejtësi!!!.”, përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”

Latifi: Shkuarja e Konjufcës në Hagë, më tepër e komprometon figurën e tij si politikan duke mos i respektuar viktimat dhe familjet e viktimave

Image
Haki Latifi

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër në një prononcim për “Bota sot” kritikoi vizitën e kryekuvendarit Konjufca në Hagë.

Sipas tij, dje sa ishin në opozitë i akuzonin ish funksionarët e Kosovës, tash pasi erdhën në pushtet shkojnë dhe i vizitojnë të akuzuarit siç është rasti i Konjufcës.

“Mendoj se tash qytetarët e Kosovës tanimë janë mësuar me demagogjitë e pushtetit aktual në Kosovë, sepse tjetër flasin e tjetër mendojnë. Duke lënë të kuptohet si një porosi, se ky soj politikanësh nuk dëshirojnë rregull, ligj dhe shtet.

Besoj se kërkund në botë në një shtet funksional nuk ndodhë, që deri dje sa ishin në opozitë t’i akuzonin ish-funksionarët e Kosovës, tash pasi erdhën në pushtet shkojnë dhe i vizitojnë të akuzuarit siç është rasti i shkuarjes për vizitë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Gllauk Kojufca”, deklaroi ai.

Po ashtu, Latifi thotë se kjo vizitë e vë në dilemë figurën politike të Konjufcës, Pasi, kjo gjë është sfidim i sistemit të drejtësisë shkuarja e kryetarit të Kuvendit në një vizitë të tillë.

“Shkuarja e tij në Hagë, më tepër e komprometon figurën e tij si politikan, duke mos respektuar viktimat dhe familjet e viktimave. Sepse për të respektuar të akuzuarit, së pari duhet respektuar viktimat për të cilën akuzohen të pandehurit në gjykatën speciale.

Njëherit pa dashur të paragjykoj për fajësinë e të akuzuarve që gjenden në Hagë, dihet që po i njëjti Kuvend e ka formuar këtë gjykatë speciale!!

Mendoj se është sfidim i sistemit të drejtësisë shkuarja e kryetarit të Kuvendit për vizitë. Pavarësisht a janë apo nuk janë të paraburgosurit të fajshëm apo të pafajshëm”, theksoi ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër.

Më tej, ai vlerësoi se përmes këtyre ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë, lë të nënkuptohet se Kosova nuk është e aftë të funksionojë siç duhet.

Madje, beson se këto vizita më tepër janë në funksion të populizmit dhe nuk ka nevojë që Qeveria e Kosovës të bëhet palë me të akuzuarit.

“Ndërhyrjet e tilla në drejtësi, na lënë të kuptojmë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është i aftë të funksionojë si duhet dhe vërtet paska pasë nevojë për këtë gjykatë speciale jashtë vendit, saktësisht siç është formuar në Hagë. Kur dihet se kjo gjykatë speciale është e formuar sipas Kushtetutës së Kosovës dhe është e Kosovës.

Këto vizita më tepër janë në funksion të populizmit dhe nuk ka nevojë që Qeveria e Kosovës të bëhet palë me të akuzuarit, atëherë ajo më vonë do të akuzohet se “nuk e do drejtësinë”! Kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse selia e kësaj gjykate shkoi në Hagë dhe jo në Prishtinë”, u shpreh Latifi.

Ndër të tjera, potencoi se këto vajtje-ardhje atje janë sa për sy e faqe, pa kurrfarë kontributi për të paraburgosurit.

Sipas tij, në një shtet ku funksionon drejtësia, këta funksionar duke i përfshirë edhe disa ministra të tjerë nuk do të duhej të shkonin në vizitë tek të paraburgosurit në Hagë.

“Shkuarja e funksionarëve të Kosovës për vizita në Hagë, më tepër tregon për primitivizëm politikë. Në një shtet funksional të drejtësisë, këta funksionar duke i përfshirë edhe disa ministra të tjerë nuk do të duhej të shkonin në vizitë tek të paraburgosurit në Hagë. Ata edhe pse janë duke qëndruar në paraburgim, nuk konsiderohen fajtorë derisa gjykata speciale nuk i shpallë fajtorë. Normalisht pushteti aktual do të duhet të kryej detyrat tjera, për shembull që të ofrojë fakte se të akuzuarit që gjenden në Hagë nuk janë fajtorë, e jo të sorollaten me vajtje-ardhje, kinse po bëjnë një veprim të nevojshëm në emër të humanizmit. Ndryshe këto vajtje-ardhje atje janë sa për sy e faqe pa kurrfarë kontributi për të paraburgosurit, përkundrazi më tepër irritohen të akuzuarit me këto vizita nga njerëz që deri dje sa ishin në opozitë i kanë akuzuar politikisht për veprime kriminale. Natyrisht, këto vizita janë argument shtesë për shtetet mike të Kosovës se Kosova ende është larg funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe me pasoja për shtetin e Kosovës lidhur me zhvillimin dhe funksionimin e pushtetit demokratik në Kosovë”, tha ndër të tjera Haki Latifi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat