“Gabimi i madh i Kosovës”/ Nuk është Franca- mësohet se cili shtet është fajtor për mosliberalizimin e vizave

Politika

“Gabimi i madh i Kosovës”/ Nuk është Franca- mësohet se cili shtet është fajtor për mosliberalizimin e vizave

Nga: A.M. Më: 26 qershor 2022 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Ditë më parë, u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Edhe kësaj radhe, Ballkani Perëndimor mbeti duarthatë. Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, ani pse për këtë kishte sinjale pozitive. Ndërkohë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën që ta marrin statusin e vendit kandidat.

Lidhur me zhvillimet në këtë Samit për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, një nga shkaqet kryesore që Kosovës iu mohua liberalizimi i vizave është fakti i orientimit të saj nga lindja, madje tha se nuk do jetë e largët dita e kthimit në një oazë të islamizmit.

Mjerisht Kosova ka marrë shumë "tërthurë" me turrjen e saj të pa kontroll, në drejtim të lindjes, ndaj kam frikë se nuk do të jetë e largët dita, kur nga frika e kthimit të Kosovës në oazë të islamizmit në zemër të Evropës dhe eksportimit të ekstremistëve islamik, në Evropë, Franca dhe vendet tjera të BE-së, duke parë shkëputjen e shtetit tonë evropian, nga kultura, tradita dhe trungu autokton i Evropës, t’i thonë publikisht, të mos pres as kërkojë më, asgjë nga Evropa dhe të vazhdojë rrugën që ka zgjedhur vet, drejt integrimit në unionin e "lavdishëm" turbo arab...gjë që do të ishte goditja më e rëndë për shpresat edhe ashtu të venitura të qytetarëve shqiptarë të Kosovës për liberalizim vizash dhe integrim të vendit në BE”, deklaroi ai.

Sipas Qarrit, në samitin e BE-së vendet më të pakënaqura dolën dy shtetet shqiptare, të cilat nuk po dinë të sillen as të prezantohen si vende me identitet evropian.

Ai tha se kryeministri Edi Rama me deklaratat e tij shihej i interesuar që në këtë samit që ta imponojë projektin e “Ballkanit të Hapur” dhe ta fus Kosovën në fusnotë, si krahinë të Serbisë.

Edhe në samitin dy ditor të BE-së që së fundi, u mbajt në Bruksel ku merrnin pjesë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat kanë për synim integrimin në Bashkimin Evropian, natyrshëm, më të pakënaqurat, me apo edhe pa arsye, u ndanë të dy shtetet shqiptare, të cilat nuk po dinë, apo qëllimisht nuk po duan të sillen as prezantohen si vende me identitet evropian.

E para kritikuesi mitik i BE-së dhe lavdëruesi kroniko-legjendar i Serbisë së Aleksandër Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama duket se më i interesuar është t`ua imponojë edhe vendeve tjera, të Ballkanit Perëndimor projektin serbo-rus të ashtuquajturit "Ballkan i Hapur" dhe fus Kosovën me fusnotë, si krahinë të Serbisë në këtë projekt ku Serbisë hegjemoniste, do t`i mundësohej dhe hapeshin të gjitha dyert, që pa kufizime ligjore dhe asnjë pengesë kufitare, të administronte me të paktën 30% të territorit të Kosovës në veri të vendit tonë, duke mënjanuar edhe procesin e Berlinit i cili njeh pavarësinë tonë dhe trajton Kosovën si shtet të pavarur”, vlerësoi analisti.

Krahas kësaj, ai tha se Rama nuk dukej shumë e interesuar për integrimin e Shqipërisë në BE, derisa kritikoi ashpër vendimin për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa sa i takon Shqipërisë , Edvin Kristaq Rama po të donte vërtet integrimin e Shqipërisë, duke e ditur se FYROM alias Maqedonia Veriore, e ka problemin e gjuhës, të kombit, trashëgimisë dhe të historisë me Bullgarinë të pa zgjidhur plotësisht, nuk do ta ngarkonte edhe Shqipërinë me këtë barrë tërësisht të huaj e krejt të panevojshme dhe do ta ndante procesin e integrimit të Shqipërisë nga ai i FYROM-it, por duket se dashuria e pavdekshme e tij, për sllavët e jugut, nuk po e lë të shohë problemet e Shqipërisë si çështje të shqiptarëve, por si relikt në duar të vëllazërisë sllavo-ortodokse që ai po lufton ta forcojë edhe më tepër.

Kurse sa i takon faktit se Kosova përsëri nuk mori liberalizimin e vizave, megjithëse vërtet është veprim për çdo kritikë dhe shumë i padrejtë ndaj shqiptarëve evropian të vendit tonë, duhet medoemos dhe jemi të detyruar ta themi sa më shpesh publikisht, se në pjesën më të madhe, Kosova është fajtore vet, që edhe 23 vite të pas çlirimit nuk po arrin të sillet si shtet i pavarur dhe vend me orientim evropian”, theksoi Qarri.

Në vazhdim, analisti potencoi se është shumë irritues fakti se si vetëm pak ditë pas thirrjes së kancelarit Scholz për Serbinë lidhur e njohjen e Kosovës, ndodhën disa zhvillime të papritura në vendin tonë.

Ai kritikoi ashpër injorimin e njëhershëm të Dua Lipës, derisa iu dha leja për ndërtimin e xhamisë turke në qendër të kryeqytetit, ku me këtë rast edhe u dëmtua imazhi i Kosovës në Evropë.

Është shumë indinjues fakti që pikërisht, vetëm pak ditë pas kërkesës publike të kancelarit gjerman Olaf Scholz drejtuar Serbisë, se për tu integruar në Evropë, ajo e ka kusht, ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe mu në momentet kur me insistimin e Gjermanisë u votua edhe raporti i Komisionit të Parlamentit Evropian, që dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përfundojë me njohjen reciproke, Kosova përveç arabizmit të përditshëm me veshje dhe sjellje turko-arabe, çuditërisht iu përgjigj BE-së, edhe me shpalljen e ndërtimit të Xhamisë më të madhe në Ballkan, me emrin e Sulltan fatihut-pushtuesit të Evropës, dhe dëbimin e Sunny Hill, në Tiranë.

Është e pa mundur të kuptohet se si mund të harrojë kaq shpejt një vend i tërë, se sa ka bërë këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, për Kosovën dhe ngritjen e imazhit të saj në botë, nuk mund të bëjnë të gjitha xhamitë dhe hoxhallarët shqipfolës bashkë, me gjithë ata të vendeve arabe, gjysma e të cilave as 23 vite pas çllirimit nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, dhe përkundër të gjithave të lejojë shkatërrimin e imazhit evropian të vendit, në këtë mënyrë?!”, u shpreh ai.

Më tej, Qarri përmendi se si shteti turk ka arritur t’i marrë nën pronësi shumicën e ndërmarrjeve të privatizuara në Kosovë.

Kësisoj, ai deklaroi se problemet e mëdha që ka jo vetëm Franca, por edhe Belgjika e Holanda me arabët në vendet e tyre, e kanë bërë të distancohet nga Kosova, shkaku i marrëdhënieve me Turqinë dhe përvetësimin e kulturave arabe.

Madje të gjitha qendrat kryesore ekonomike, duke filluar nga Aeroporti, të cilin e theksoi këto ditë edhe kancelari Austriak Karl Nehammer, pastaj rryma, ujërat e hidrocentralet, ku janë e ku nuk janë, e së fundi edhe Ferronikeli, iu dhanë pothuajse falas Turqisë, pa pjesëmarrjen e asnjë shteti të fuqishëm evropian, që edhe me kushte shumë më të favorshme për Kosovën do ti kishin marrë dhe do të kishin investuar sinqerisht dhe drejtpërsëdrejti në Kosovë, kurse ato ju falën Turqisë, pa asnjë kusht, e cila në Kosovë ndërton xhamia, ndërsa investimet shumëmiliardëshe ekonomike i bënë në vendin kryesor kundërshtar të Kosovës, në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

Shto kësaj problemet e mëdha që ka jo vetëm Franca, por edhe Belgjika e Holanda me arabët në vendet e tyre, Kosova me tendencat në rritje marramendëse të arabizimit dhe xhamizimit të vendit të saj, nuk mund të presë nga vendet evropiane të cilat kanë investuar shumë në çlirimin nga Serbia dhe shtet ndërtimin e Kosovës, që t`ia rrahin shpinën për «suksesin» e arritur në arabizimin dhe fetarizimin turko-arab të saj, dhe pranojnë një arabi të vogël, në shtëpinë e tyre me vlera evropiane demokratike”, nënvizoi analisti.

Krejt në fund, ai tha se duke parë orientimin e Kosovës nga lindja dhe Turqia, nuk është e largët dita, kur Franca dhe vendet tjera të BE-së, duke parë shkëputjen e shtetit tonë të vogël evropian, nga kultura e tradita dhe trungu autokton i Evropës,

“Madje duke pasur parasysh se vet Turqia e cila ka një popullsi më se 25-26 herë më të madhe se Kosova dhe një ekonomi jo të vogël, jo vetëm për shkak të qëndrimeve shtypëse e diktatoriale, por pikërisht për shkak të fetarizimit ekstrem dhe mosndarjes së shtetit nga feja, kurrë nuk ka arritur ti hap negociatat për integrim në BE, e ky fat, nëse jo edhe më keq, fatkeqësisht, do ta përcjellë edhe Kosovën në vijimësi, nëse vërtet Kosova nuk arrin ta ndajë shtetin nga feja dhe ndërpres trendin e deritanishëm, që çdo gjë në vend të turko-arabizohet e diktohet nga hoxhallarët dhe turko-arabët ekstrem, të cilët veprojnë hapur dhe jo shteti laik, por ata dominojnë në marrjen e vendimeve në Kosovë.

Pra Evropa e zënë ngushtë nga Kosova e çliruar nga SHBA dhe vendet kryesore të BE-së, jo vetëm se po u dorëzohet vullnetarisht sulltanëve pushtues turko otoman të mesjetës, por po futet në dyluftim edhe me vet BE-në, duke përditësuar edhe emrin e Sulltan fatihut-pushtuesit të Evropës, mu në zemër të saj, nuk është e largët dita , kur Franca dhe vendet tjera të BE-së, duke parë shkëputjen e shtetit tonë të vogël evropian, nga kultura e tradita dhe trungu autokton i Evropës, t`ia bëjnë publikisht të qartë, që të mos pres as kërkojë më, asgjë nga Evropa por të vazhdojë me rrugën që ka zgjedhur vet, drejt integrimit në unionin e "lavdishëm" turbo arab...gjë që do të ishte goditja më e rëndë për vrasjen e shpresave edhe ashtu të venitura të qytetarëve shqiptarë të vendit, për integrim në BE, me fajet, vërtetë të pafalshme të vet Kosovës”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat