Franca fajtore për mosliberalizimin e vizave – analisti tregon se si bashkëpunoi ushtria e saj me grupet kriminale serbe në veri të Kosovës!

Politika

Franca fajtore për mosliberalizimin e vizave – analisti tregon se si bashkëpunoi ushtria e saj me grupet kriminale serbe në veri të Kosovës!

Nga: A.M Më: 27 qershor 2022 Në ora: 22:59
Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Ditë më parë u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Fatkeqësisht edhe këtë radhë, Kosova mbeti duarthatë. Ajo nuk mori liberalizimin e vizave, ani pse për këtë gjë kishte pritshmëri pozitive.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” e cilësoi si të padobishëm samitin BE-Ballkan Perëndimor për Kosovën.

Sipas tij, edhe këtë herë u zhgënjyen qytetarët e Kosovës nga premtimet e njerëzve autoritativ se do të shpërblehen me viza.

“Në këtë Samit, kishte shpresë dhe ishin dhënë shumë premtime nga qarqe të ndryshme edhe deri te njerëz autoritativ të BE-së, që Kosova, këtë herë së paku do të shpërblehet me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në këtë pjesë të Evropës, që nuk e gëzojnë këtë drejtë qytetare dhe njerëzore.

Qytetarët e Kosovës, sikur nuk e kanë mundësinë dhe fuqinë e tyre të bëjnë më shumë, të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret që janë kërkuar, që të jenë qytetarë të lirë të lëvizjes dhe të bëhen qytetarë të lirë të Unionit Evropian, sikur edhe të tjerët, por kur veprimet dhe kriteret e tyre nuk mbështetën nga BE-ja, duhet të themi se këtu vihet re një boshllëk i pa arsyeshëm dhe cenim i të drejtave njerëzore, për të cilat përgjegjëse do të ishte vetë BE-ja”, deklaroi ai.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Preqi tha se një ‘krimb’ brenda BE-së po lëvizë kundër Kosovës, duke ia mohuar qytetarëve të saj të drejtën e lëvizjes.

Sa i përket Francës, ai përmendi edhe qëndrimet e saj kundërshtare ndaj vendit tonë, ku menjëherë pas luftës u pozicionuan me grupet serbe që kishin biografi kriminale.

“Prandaj, çka duhet të presin qytetarët dhe vetë shteti i Kosovës, apo çka duhet të bëjnë më shumë për të qenë të lirë sikur qytetarët tjerë të Ballkanit dhe Evropës, dhe kur pyesim se kush është fajtor për një çështje të tillë, mundohet secili ta largojë nga vetja përgjegjësinë që i takon, apo duket se këtu në mesin e anëtarëve të BE-së, sikur ka një «krimb» brenda saj, apo më shumë, që po lëviz në të kundërtën dhe po bënë një veprim absolut në këtë proces, duke mohuar të drejtat e një populli pa të drejtë dhe duke i shdërruar gjërat në politikë.

Në Samitin e fundit të mbajtur me 23 qershor në Bruksel, në prani të 27 shteteve anëtare, as që u shtrua tema e çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nga fakti se pothuaj të gjithë e drejtojnë gishtin nga Franca, si shkaktare dhe pengesë e këtij procesi, me ç’ rast nuk është shumë e çuditshme, sepse qëndrimet e saj kundërshtare ishin edhe më herët pas luftës në veri të Kosovës, bashkë me ushtrinë franceze, duke anuar dhe mbështetur grupet e serbëve, ku shumica e tyre kishin tipare dhe biografi kriminale, sikur që ishin «Rojet e Urës» mbi lumin Ibër”, theksoi opinionisti.

Përveç Francës, si shkaktar kryesor për mos liberalizimin e vizave e konsideroi marrëdhënien e ngushtë të Kosovës me presidentin turk Erdogan.

“Një fakt tjetër që po e pengon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga një pikë dyshimi vjen edhe nga marrëdhëniet e ngushta të Kosovës, që ka me Erdoganin dhe pushtetin e tij, i cili thuhet se ka shumë ndikim në shërbim të interesave të tij dhe duke përfaqësuar dhe rritur thelbin ideologjik dhe politik në këtë vend, me qëllim të realizimit të qëllimeve religjioze.

Një faktor tjetër që e pengon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, zënë në «thue» edhe në një aspekt tjetër, sipas një raporti që e publikon «fedpoli» zviceran, që i dedikohet Kosovës dhe qytetarëve të saj, se Kosova, është qendra dhe streha e xhihadizmit në Evropë, prandaj edhe nga ky prizëm shprehet edhe një opinion i tillë për shoqërinë tonë, në të cilin duhet të dyshojmë, dhe domethënien e kësaj forme duhet ta pranojmë, apo të mos e pranojmë”, vlerësoi Preqi.

Megjithatë, për gjithë këtë rrëmujë dhe padrejtësi që po i bëhet Kosovës, ai fajtor kryesor e bënë Serbinë.

Pasi që, shteti serb me politikat e tij neofashiste dhe antishqiptare po e dëmton vazhdimisht Kosovën.

“Nëse pengesat e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe shumë pengesa të tjera që vijnë në dëm të zhvillimit dhe integrimit të këtij populli, nga faktorët e tillë, të ashtuquajtur të ekstremizmit fetar në Kosovë, përparimi dhe integrimi i popullit të këtij vendi zbulohet përmes fakteve dhe parimeve që janë dëshmi e gjallë e këtij populli, por jo edhe te fakti se mund të flitet për një vendim të tillë, duke krijuar idenë se po thurim utopi dhe moralizëma që bulëzojnë për të njollosur një popull, apo përkatësi etnike sië janë shqiptarët dhe shteti i Kosovës.

Jo vetëm në liberalizimin e vizave, por në gjitha format zhvillimore të popullit dhe shtetit të Kosovës, pengesë kryesore e gjitha këtyre proceseve pikërisht është vetë Serbia dhe udhëheqësi aktual i saj pasardhësi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, me politikën neofashiste dhe antishqiptare, duke i futur hundët në çdo pore e skutë, sikur derri i fëlliqtë, që nuk lë as m… pa i futur turinjtë e vet, për të nxjerrë sa më shumë erë kundërmuese, duke e kundërmuar rajonin dhe tërë botën”, potencoi ai.

Ndër të tjera, ai kritikoi Bashkimin Evropian për mos reagim ndaj propagandës serbe ndaj Kosovës, duke thënë se BE nuk po ka guxim dhe vendosmëri për të reaguar ndaj Serbisë.

“Serbia është arsyeja kryesore e zvarritjes dhe pengesave të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, e cila nuk heziton dhe nuk ka përulje para krimeve të veta dhe gjenocidiale, që i ka shkaktuar popullatës së pafajshme shqiptare të Kosovës, dhe popujve tjerë të rajonit, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e veta të mitit serb, duke u kthyer edhe në simbolin e diçkaje të jashtëzakonshme, që e zbulon më shumë imazhin e njeriut primitiv, me madhështinë për të dominuar dhe fituar vetëm botën e vet serbe.

Serbia me politikat e veta egoiste po përpiqet dhe po eksploron hapur me shtrirjen e saj të pa ndalur në mes vendeve anëtare të BE-së, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në dëm të proceseve dhe integrimeve euroaltlantike të shtetit të Kosovës, së cilës nuk po i ndalet hovi i saj dhe përmes propagandave e shantazheve që i përhap kundër shqiptarëve, që edhe me tërë karakterin e shumë faqeve të zeza tjera, sikur BE-ja, nuk po arrin të kishte një guxim dhe vendosmëri që ta disiplinojë në një mënyrë, duke ia treguar vendin e merituar”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat