Mehazi: Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale u anulua nga presioni i Ramës&Co / Bashkëpunimi nga opozita dhe ish-komandanët kundër speciales po vazhdon

Politika

Mehazi: Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale u anulua nga presioni i Ramës&Co / Bashkëpunimi nga opozita dhe ish-komandanët kundër speciales po vazhdon

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 korrik 2022 Në ora: 11:49
Ekaterina Trëndafilova

Ditë më parë ishte paralajmëruar vizita e Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova.

E njëjta ka anuluar vizitën e saj në Kosovë të planifikuar për ta realizuar me 4 korrik, në Gjilan.

Kështu është njoftuar zyrtarisht në faqen e Gjykatës Speciale, duke thënë se ngjarja do të mbahet vetëm “online” më 4 korrik.

Derisa kanë thënë se Trëndafilova do të udhëtojë për në Kosovë edhe fizikisht pas periudhës së verës.

Trëndafilave, sipas njoftimit të ditëve më parë ishte planifikuar të mbante takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku do të fliste për punën e mandatit, punës dhe zhvillimeve aktuale në Dhomat e Specializuara.

Ky anulim erdhi menjëherë pas presioneve të mëdha që i janë bërë kësaj Gjykate.

Duke filluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pastaj të mos harrojmë edhe protestën e fundit që është bërë në prezencë të Trëndafilovës.

Por a kemi të bëjmë vetëm me këto presione apo më ndonjë kërcënim tjetër?

Mehazi: Anulimi i vizitës së Trendafilovës, në Kosovë është bërë për shkak presioneve të ditëve të fundit ndaj Gjykatës Speciale

Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai u shpreh se anulimi i vizitës së Trëndafilovës është për shkak të presioneve të ditëve të fundit që janë bërë ndaj Gjykatës Speciale.

Anulimi i vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale të Hagës, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë si vërehet është bërë për shkak të presioneve të ditëve të fundit ndaj kësaj Gjykate Speciale, ne mund të japim disa mendime të anulimit të vizitës së Trendafilovës, por më së miri do të ishte që vetë kryetarja e Gjykatës Speciale ta deklaronte shkakun e anulimit të vizitës së saj në Kosovë”, u shpreh ai.

Profesori më tej thotë që fushata e fundit anti-Gjykatë Speciale, njëkohësisht është edhe kundër kryeministrit të Kosovës, i cili është i vendosur rrënjësisht të zbulojë vrasjet dhe korrupsionet e partive të mëparshme në pushtet.

Mirëpo, rrethanat e ngjarjeve të fundit kundër Gjykatës Speciale na japin të drejtë të themi se zonjës Ekaterina Trendafilovës nuk i është mundësuar të vijë në Kosovë për shkak të presioneve të shumta si nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si brenda Kosovës nga partitë opozitare dhe veteranëve të UÇK-së. Kjo ndodh për shkak frikës nga burgosjet e reja nga ana e Gjykatës Speciale. Fushata e fundit anti-Gjykatë Speciale njëkohësisht është edhe kundër kryeministrit të Kosovës i cili është i vendosur rrënjësisht të zbulojë vrasjet dhe korrupsionet e partive, që më parë ishin në pushtet”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, ai thotë që anulimi i kryetares së Gjykatës Speciale, Trëndafilova, vjen nga presionet e Edi Ramës, partive opozitare dhe ish-komandantëve të UÇK-së.

Shenjat kundër Albin Kurtit janë evidente që nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që nga veteranët e luftës së UÇK-së e deri te veprimet e Dardan Molliqajt, i cili disa herë ka dëshmuar armiqësinë ndaj kryeministrit të Kosovës me anë të protestave agresive ndaj policisë së Kosovës. Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë te Thaçi në Hagë, ka nxitur partitë opozitare dhe ish-ushtarakët e UÇK-së të bëjnë fushatë kundër Gjykatës Speciale, por që e ka kuptimin edhe të anti-Albinizmit. Pra, anulimi i vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova, vjen nga presionet e Edi Ramës, partive opozitare dhe ish-komandantëve të UÇK-së”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Gjykata Speciale duhet t'i nënshtrohet ligjeve të Kosovës

Juristi Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me këtë temë.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi u shpreh se Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe si e tillë duhet të veprojë në bazë të ligjeve të saj.

Sipas tij anulimi i kësaj vizitë nuk ka ardhur si pasojë e presioneve.

Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të veproj me ligjet e Republikës. Çdo i punësuar në këtë Gjykatë vepron me ligjet e Kosovës. Edhe kryetarja e Gjykatës Speciale i nënshtrohet kësaj rregulle ligjore. Shtyrja e vizitës së Trëndafilovës nuk është rrjedhojë e presionit as nga Tirana dhe as nga Prishtina. Të dy këto qendra janë kundër Gjykatës Speciale, sepse është vetëm një nacional dhe krimi e gjenocidi serbomadh nuk po dënohet. Shikuar këndej është jo e drejtë njëanshmëria e kësaj Gjykate. Kjo po e jep një gjendje jo të barabartë midis shteteve dhe kombeve, ndonëse krimi, terrorizmi dhe gjenocidi janë të njëjta kur kryhen, pavarësisht kombit”, thotë juristi.

Nga ana tjetër, Kelmendi thekson që krimet e kryera nga Serbia ndaj Kosovës janë të rënda dhe si të tilla ato duhet të gjykohen.

Gjithashtu ai thekson që kjo Gjykatë të kupton është fakti se nuk mund të vazhdon pa kufi.

“Dhuna dhe gjenocidi serbomadh është shumëfish më i rëndë se ndonjë vrasje, nëse është bërë, nga të akuzuarit. Megjithatë duhet thënë se krimi është krim dhe mbetet i tillë. Atë e dënojnë shtetet demokratike dhe liberale. I vetmi krim dhe gjenocid i padënuar ka mbetur gjenocidi serb i kryer nga Serbia. Fakt i tillë njihet. Gjykata Speciale është formuar nga Kuvendi i Kosovës. Është kompetente vetëm për rastet e bëra nga UÇK-ja. Ajo që duhet kjo gjykatë ta kuptojë është fakti se nuk mund të vazhdojë pa kufi. Edhe kjo gjykatë kërkohet të veprojë me ligj, kryesisht me Kodin Penal të Kosovës. Kosova e ka krijuar dhe ligjet e Kosovës duhet të zbatohen”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat