PDK-ja e dërgoi Ligjin për Këshillin Prokuorial në Kushtetuese, t’i mbrojnë sjelljet arbitrare të ‘komandantëve’ / Juristët tregojnë prapavijat e këtij vendimi

Politika

PDK-ja e dërgoi Ligjin për Këshillin Prokuorial në Kushtetuese, t’i mbrojnë sjelljet arbitrare të ‘komandantëve’ / Juristët tregojnë prapavijat e këtij vendimi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 korrik 2022 Në ora: 08:03
Kuvendi i Kosovës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri javën që shkoi e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) i cili është miratuar në parlament javën e kaluar.

Deputeti Tahiri tha se ky ligj cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe shtrin ndikimin politik në këtë Këshill.

Konsiderojmë se ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetuese të Kosovës. Besojmë se argumentimet të cilat i ka sjellë PDK-ja, konsiderojmë që janë të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Ky vendim i PDK-së mori kritika, derisa hodhi dyshime se ky Këshillim mund të kontrollohet kryesisht nga kjo parti dhe njerëzit e saj.

Është e habitshme se Këshilli Prokurorial i Kosovës në ditën që deklaronte kundërshtimin ndaj ligjit të ri dhe premtonte se do të ndiqte procedurat për kundërshtim, zotohej, se anëtarët e tij nuk do ta zbatonin, dhe i ftonte ata ta bënin këtë. Një thirrje kjo e paprecedentë nga një institucion i drejtësisë. Pavarësisht që këtë reagim u munduan t’ia mveshin mediave, ndaj kësaj sjellje ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ky reagim i fundit, nënkuptonte, se ata kanë pasur mbështetje arbitrare dhe me shumë gjasë i kanë mbështetur figurat e fuqishme, për sjelljen e tyre arbitrare. Një sjellje e atillë, çoi mbrëmë në plagosjen e një polici dhe lëndimin e rëndë të një tjetri.

Për habi më vonë, të njëjtën ditë çështjen e ka dërguar në kushtetuese edhe LDK-ja.

Këtë e argumenton edhe fakti pas incidentit të rëndë që ndodhi mbrëmë, kur familja Lushtaku e prirë nga Nuredin Lushtaku, ish-komandant pa përgatitje ushtarake në luftë, e plagosën një polic dhe e rrahën një polic tjetër. Më keq akoma drejtësia i la të lirë dy nga pjesëmarrësit në krim.

Kjo ia heq legjitimitetin e kundërshtimit me forcë të zbatimit të ligjit, Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu prokurorët dhe gjykatësit duket se nuk u stimuluan rastësisht me paga të larta, nga krerë që ishin në drejtim të shtetit, por që udhëhiqnin me grupe të mëdha kriminale.

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” folën juristët, Muhamet Kelmendi dhe Blerim Burjani.

Ata treguan se çfarë mund të ndodhë në kushtetuese, derisa nuk përjashtuan mundësinë e lidhjes politike të PDK-së me Kushtetuesen.

Kelmendi: Gjykata Kushtetuese është politike

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi ka komentuar dërgimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, gjyqtarët e gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga Kuvendi, ku aso kohe shumicë parlamentare ishin LDK-ja dhe PDK-ja.

Gjykata Kushtetuese është emëruar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas fuqisë vendosëse në Kuvend janë zgjedhur edhe gjyqtarët e kësaj gjykate.

Natyrisht se ka pasur marrëveshje paraprake midis subjekteve politike në Kuvend. Duket se kanë sunduar dy parti, përkatësisht PDK dhe LDK, si subjekte me shumicë parlamentare që ishin në Kuvend”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Kelmendi përmendi subjektet që kanë drejtë të dërgojnë të dërgojë lëndë në Kushtetuese.

Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, kundër vendimeve dhe ligjeve të Kuvendit janë një numër i subjekteve që kanë mundësi që lëndën me padi ta dërgojnë në gjykatë.

Sipas Kushtetutës janë këto subjekte që me padi e dërgojnë lëndën në Gjykatën Kushtetuese:

1. Presidenti/ia.

2.Qeveria

3. Grupet parlamentare në Kuvend.

4. Avokati i popullit.

5. Grupi prej qytetarëve me nënshkrime prej 30 mijë etj”, theksoi ai.

Rrjedhimit, juristi potencoi se PDK-ja e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, ndonëse sipas tij kushtetuesja jo ligjërisht kontrollohet nga opozita, nga PDK-ja dhe nga LDK-ja.

Madje, ai tha se duhet pritur verdikti për të parë lidhjet politike të kësaj partie me gjykatën në fjalë.

“Këtu është shfrytëzuar kjo e drejtë kushtetuese dhe PDK-ja e ka paditë Ligjin për KP të Kosovës. Por, natyrisht se Gjykata Kushtetuese jo ligjërisht kontrollohet nga opozita, nga PDK-ja dhe nga LDK-ja. Këto dy subjekte i kanë pasur votat në Kuvend kur janë emëruar gjyqtarët (në Kushtetuese) . Ata i kanë dërguar. Dhe, nëse merren gjyqtarët e kësaj gjykatë për t'u analizuar, dalin edhe lidhjet e tyre me këto parti.

Duhet pritur verdiktin për të parë këto lidhje politike në Gjykatë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Kosova ka probleme serioze me zbatimin e ligjeve

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se Kosova nuk ka probleme me ligje, por me zbatimin e tyre.

Image
Blerim Burjani

Ai në këtë aspekt kishte kritika për partitë opozitare dhe qeverinë, lidhur me strukturat e rendit dhe ligjit.

Po sikur të gjithë subjektet politike opozitare të ishin të bashkuara drejt një të keqe, do të kishte një kuptim ndryshe, VV tenton të vendos struktura të rendit dhe ligjit jashtë kornizës së institucioneve të ligjit ose të themeloj diçka mbi strukturat ekzistuese, që nuk janë funksionale siç është byroja apo ligji dyfishim i ligjit ekzistues për konfiskim të pasurive të paligjshme”, deklaroi juristi.

Sipas Burjanit, Kosova ka probleme të shumta që lidhen me zbatimin e ligjeve dhe rregullave, ku prokuroria nuk ka punuar që ta zbatojë Kodin Penal.

Kosova nuk ka pas probleme, se nuk ka pas ligje dhe kode që e rregullojnë konfiskimin e pasurive, por s’ka pas zbatim dhe prokuroria nuk ka punuar që ta zbatojë Kodin Penal. Pra, ne kemi probleme të mos zbatimit të kodeve ekzistuese”, shpjegoi ai.

Krejt në fund, juristi kritikoi ashpër PDK-në, duke thënë së është pikërisht fajtori kryesor për pagat absurde të prokurorëve dhe gjykatësve.

Po një akt dihet se PDK-ja qëndron prapa pagave absurde për prokurorë dhe gjyqtarë dhe i kanë anashkaluar plotësisht mjekët, gjë që i ka kushtuar Kosovës dhe qytetarëve”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat