Për herë të dytë, gabove Bekim Jashari!

Politika

Për herë të dytë, gabove Bekim Jashari!

Nga: P.R Më: 4 korrik 2022 Në ora: 22:51
Nuredin Lushtaku dhe Bekim Jashari

Njeriu që është personifikim i rrahjeve, përleshjeve, sulmeve dhe përçarjeve në Kosovë, Nuredin Lushtaku është bërë kryelajm në Kosovë që nga mbrëmë.

Shkak për këtë u bë sulmi ndaj dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ish deputeti i PDK-së dhe ish nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku bashkë me vëllezërit dhe djalin e tij sulmoi dy policë të Kosovës, të cilët i kishin shqiptuar një gjobë trafiku djalit të Lushtakut.

Viktima të Lushtakëve ishin Enver Berisha dhe Mergim Geci.

Sipas Prokurorisë, pasi fillimisht Nuredin Lushtaku bashkë me vëllezërit dhe djalin i rrahën dy pjesëtarët e Policisë, policit Enver Berisha ia morën edhe armën zyrtare.

E në këtë storie turpi, Nuredin Lushtaku ka përfshirë edhe familjen e shenjtë për shqiptarët, familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari. Këtë, Lushtaku e ka bërë përmes implikimit të djalit të heroit, Hamëz Jashari, Bekimit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, armën zyrtare të shtetit të Kosovës, i pandehuri Nuredin Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit, i cili më pas e kishte dërguar në polici. Dhe ky implikim i Bekim Jasharit në këtë veprim banditesk të Nuredin Lushtakut është një gabim i dytë për Bekim Jasharin. Prandaj Bekim, gabove për herë të dytë.

Se ky veprim është i turpshëm dhe i neveritshëm, e thotë edhe ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

"Është e neveritshme. Ka mundur të ndodhë ndonjë gabim nga polici. Por kush je ti që ia merr armën policit. Cdo respekt për të kaluarën e zotëri Lushtakut. Personalisht nuk e njoh. Por kush je ti ta bësh këtë veprim. Edhe në momentin kur është kërkuar. Është dashur të shkojë të dorëzohet në polici. Realisht si guxon të marrësh armën e huaj. Kërkoj falje, por kjo nuk duhet të ndodhë. Ka ndodhur në të kaluarën por tani nuk guxojnë të ndodhin më”, u shpreh Qalaj.

Por te kthehemi te gabimet e Bekim Jasharit me Nuredin Lushtakun. Bekim, herën e parë gabove kur për zëvendës more Nuredin Lushtakun gjatë kohës kur për katër vite ishe kryetar i Komunës së Skenderajt.

Si mund të merret një njeri për zëvendëskryetar i cili me krenari thotë se ka refuzuar që ta dërgojë gardën ceremoniale të TMK-së në varrimin e Gandit të Ballkanit, presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Po ashtu, Lushtaku kishte kërcënuar me jetë kryeredaktorin e “Bota sot”, Idriz Morina në vitin 2015, pavarësisht që askush nuk e kishte fyer personalisht atë, dhe se asgjë nga përmbajtja e një shkrimi në atë kohë,nuk e kishte akuzuar personalisht atë për asgjë, as për faktin që ai nuk kishte mundur t’i shkonte në ndihmë Adem Jasharit, komandantit legjendar dhe familjes së tij.

Veç kësaj, Nura në kohën sa ishte deputet i PDK-së, kishte sulmuar fizikisht edhe kryetarin e tanishëm të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në vitin 2016, atëherë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lushtaku i ishte sulur Glauk Konjufcës duke bërtitur, teksa ky i fundit po e lexonte një letër të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, të cilit Nuredini i dilte në mbrojtje.

Vetëm një vit më vonë, Nuredin Lushtaku nga mbrojtja, do të kalonte në sulme dhe akuza ndaj Sami Lushtakut.

“Deklaratat e Bekim Jasharit për Sami Lushtakun i shoh si të vërteta. Samia është e vërtetë që është larguar nga Kosova në vitin 1993, ndërsa është kthyer në vitin 1998 edhe pse mundësitë kanë qenë që të kthehen edhe më herët”, kishte thënë Nuredin Lushtaku, duke akuzuar Sami Lushtakun se kishte blerë tokë gjatë luftës.

“Është e vërtetë që ka blerë tokë gjatë luftës, kjo ka ndodh pas ofenzivës së shtatorit. Unë nuk e di kujt ka mund t’i shkojë mendja në atë kohë të blejë tokë, kur Drenica dihet se ka qenë mjerim, njerëzit s’kanë pasur strehim”, kishte deklaruar Nuredin Lushtaku.

E sikur mos të mjaftonin këto, Nura, ashtu siç njihet tek simpatizantët e tij, është edhe njëri ndër të akuzuarit në rastin “Veteranët”.

Por krejt këto skandale, nuk i kishin penguar Bekim Jasharit që ta bëjë Nuredin Lushtakun njeriun e dytë në Skenderaj, menjëherë pas tij. Dhe me plotë kuptimin e fjalës, ky ishte edhe gabimi i parë i Bekim Jasharit, djalit të heroit të kombit, Hamëz Jashari./Bota sot

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat