Fuqia politike e Albin Kurtit dhe.../ Vjosa Osmani e ‘përjashtuar’ nga dialogu

Politika

Fuqia politike e Albin Kurtit dhe.../ Vjosa Osmani e ‘përjashtuar’ nga dialogu

Nga: P.R Më: 5 korrik 2022 Në ora: 21:27
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Për dallim nga ish paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, tani presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka qenë fare e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Madje Osmani nuk ka zhvilluar asnjë takim me homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiq.

Por, Osmani ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji mund të ndodh një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve”, ka thënë Osmani.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, presidentja Osmani ia ka lënë dialogun në duar kryeministrit Kurti, pasi edhe Gjykata Kushtetuese e parasheh një gjë të tillë.

Image
Gurakuç Kuçi

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen se kush duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë. Me 2019 Gjykata Kushtetuese ka pas hedhur poshtë vendimin e qeverisë Haradinaj që kishte krijuar një grup negociator dhe deleguar kompetencat. Ky vendim asokohe ka qenë dërguar nga LVV-ja dhe LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese. Më vonë kryeministri Kurti postin e presidentit e ka pas konsideruar si një “noter”. Duke pasur parasysh këto dy çështje atëherë presidentes së tanishme nuk i mbetet vend të përfshihet në çështjen e negociatave me Serbinë”, thotë Kuçi.

Arsye tjetër sipas Kuçit pse Osmani nuk është e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe fuqia politike që ka kryeministri Kurti.

“Mirëpo, kur kësaj i shtohet se Kurti realisht ka gjithë pushtetin përderisa Osmani nuk ka një mbështetje as në Kuvend, Qeveri apo partiake, në këtë mënyrë është e varur tërësisht nga Kurti dhe po ashtu nuk është që mund të shfrytëzohet në ndonjë rast nga ndërkombëtarët për intervenim tek kryeministri. Pra, Osmani nuk ka asnjë levë imponuese ndaj kryeministrit”, shprehet Kuçi.

Sipas Kuçit, takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit po e kërkon i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.

“Sa i përket informacionit mbi takimin e Kurtit me Vuçiqin nga Presidentja, është një informacion i vjetër pasi një gjë e tillë është thënë me herët nga zyrtarët e BE-së dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi. Ky është takimi që po kërkon Lajçaku të cilit i përfundon mandati me 31 gusht dhe dëshiron që të mbledhë sa më shumë pikë që t’i vazhdohet mandati apo të paktën të fitoj ndonjë post tjetër nga eprorët e tij në BE”, shpjegon Kuçi.

Për fund, Kuçi deklaron se një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk është në interes të Kosovës.

“Por që nuk është asgjë në interes të Kosovës dhe Kosova nuk guxon të lëshohet në aventura pa përfitime vetëm për qejfet e disa zyrtarëve të BE-së. BE-ja nuk është duke i dhënë kurrfarë perspektive Kosovës gjë që deklaratat e disa zyrtarëve të BE-së janë boshe që Kosova të bëjë sa më shumë përparime në dialog në emër të avancimit në BE. Pra, Kosova avancimin në dialog dhe avancimin në BE duhet të i bëjë me një strategji ekuilibruese”, përfundon për “Bota sot:, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat