“Leksiku fashist kundër LDK-së”/ Bajraj: Sadri Ramabaja t’u kërkojë ndjesë qytetarëve të Kosovës

Politika

“Leksiku fashist kundër LDK-së”/ Bajraj: Sadri Ramabaja t’u kërkojë ndjesë qytetarëve të Kosovës

Nga: M.L Më: 7 korrik 2022 Në ora: 17:59
Ibrahim Rugova

Ditë më parë, analistit Sadri Ramabaja, në një debat televizi e futi Lidhjen Demokratike të Kosovës, në mesin e “tri gafave më të mëdha” historike.

“Dhe gafi i tretë është në vitet 90-ta me piramidën e vetë mashtrimit që ka emrin Lidhja Demokratike e Kosovës që ka dëmtuar shumë vet shpirtin etno-psikologjik të popullit dhe ka dëmtuar shpirtin luftarak të tij”, tha Ramabaja.

Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta në mesin e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në lidhje me këtë gazeta “Bota sot” bisedoi me Fatmir Bajrajn, publicist dhe anëtar i LDK-së.

Bajraj theksoi se deklarata e Ramabajës për LDK-në, është fyerje e rëndë e ndërgjegjes kolektive kombëtare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti!

“LDK-ja si Lëvizje politike nacionale e shqiptarëve të Kosovës e themeluar me 23 Dhjetor 1989, në krye me Atin e shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si vazhdimësi e Lëvizjeve kombëtare gjatë historisë, përfshi edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878, është projekti nacional-historik më i suksesshëm i kurorëzuar me lirinë dhe pavarësinë e Dardanisë Antike-Kosovës.

Image
Fatmir Bajraj

Ky projekt unik nacional, shtyu para aspiratën kombëtare për një Kosovë të pavarur, të integruar në BE & NATO, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të!

Një Lëvizje politike nacionale (LDK) e cila në trupin & qenien e saj, ka të dy krahët sublim : atë politik dhe të armatosur, dhe në fund ia del mbanë në realizimin e lirisë dhe shtetit të pavarur të Kosovës, nuk mund të quhet gabim historik formimi i saj, por aset historik dhe brenda kombëtar, i pritur ma shumë se një shekull”, ka thënë Bajraj për “Bota sot”.

Sipas tij, kualifikimet fashiste, proserbe dhe anti-shqiptare të z. Ramabaja në lidhje me LDK-në, nuk janë të reja dhe as të papritura, ngase janë të përsëritura në mediat tona publike.

“Leksiku fashist kundër LDK-së i z. Ramabaja, ka zanafillën në kohën e ngjizjes së Lëvizjes sonë nacionale (LDK), e cila me projektin kombëtar për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës, përmbysi ideologjinë sllavo-komuniste të internacionales socialiste dhe të jugosllavizmit bolshevik, nostalgjik i së cilës ishte z. Ramabja & Co !

"Ilegalitetit" të majtistëve jugosllav, siç ishte dhe mbeti z. Ramabja, me daljen në skenë të LDK-së si Lëvizje kombëtare, u doli boja, andaj veprimi i tyre në "ilegalitet" u bë jo vetëm i tepërt por edhe i panevojshëm”, është shprehur ai.

Bajraj thotë se ky fakt, "ilegalistët-idealist", të sojit Ramabaja i hodhi në margjina të historisë kombëtare, dhe këtë humbje nuk e kapërdinë as tani pas tri dekadave gjë që shfaqën herë pas herë me mllef, fyerje dhe denigrime në shenjë hakmarrje.

“Cila do ishte alternativa, nëse jo LDK ?

Nënshtrimi i Kosovës dhe i shqiptarëve pas suprimimit të Autonomisë në Marsin e vitit 1989 !

Bashkimi me Jogurt-Revolucionin e Millosheviqit në formimin e Serbisë së Madhe, por anti-shqiptare, dhe akomodimi i shqiptarëve në Serbinë e Madhe në solucionet dhe platformën politike të ASHAS, shfarosëse për shqiptarët në konstruktet "politike" siç ishte JUL-i & Ballkania, ushtar fanatik i së cilës ishte Ramabaja & Co në "ilegalitet" !

Jo!

Shqiptarët në shumicë absolute, zgjodhën rrugën e lirisë dhe të çlirimit nga robëria shekullore serbe duke nënkuptuar edhe distancimin nga ideologjia sllavo-komuniste, pinjoll i së cilës ishte dhe mbeti, z. Sadri Ramabaja me shokë.

LDK, ky brend nacional i papërsëritshëm, n ‘krye me Presidentin historik Rugova, përqafoj dhe promovoj vlerat autentike tradicionale të kombit tonë, vlera këto kompatibile me ato të demokracive përenedimore si orientim i padiskutueshëm dhe në anën tjetër, duke u distancuar nga ideologjia sllavo-komunsite, pre së ciles ishte për rreth gjysmë shekulli Kosova dhe shqiptarët në ish Jugosllavi”, potencoi ai.

Për Fatmir Bajraj, fyerja e ndërgjegjes kombëtare nga ana e z. Ramabaja, nuk është Liri e shprehjes, por abuzim i saj, dhe si e tillë është e papranueshme për një shoqëri e cila pretendon dhe synon integrimet në strukturat euro perëndimore dhe veriatlantike.

“Z. Ramabaja, për këtë gaf të qëllimshëm, duhet t'u kërkoj ndjesë qytetarëve të Kosovës të cilët janë autor të këtij projekti politik kombëtar (LDK), dhe miqve dhe aleatëve tanë besnik të cilët ndihmuan projektin tonë të lirisë dhe pavarësisë për Kosovën.

Z. Ramabaja dhe mentorët e Tij politik, janë të destinuar të dështojnë dhe të hedhën në koshin e plehrave të historisë”, ka përfunduar Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat