Një gjë e rrallë ndodhi në Uashington/ Ja çfarë konfirmoi takimi i Blinken me Kurtin e Osmanin - nuk ishte parë shumë shpesh më parë!

Politika

Një gjë e rrallë ndodhi në Uashington/ Ja çfarë konfirmoi takimi i Blinken me Kurtin e Osmanin - nuk ishte parë shumë shpesh më parë!

Nga: A.M. Më: 28 korrik 2022 Në ora: 15:00
Foto nga takimi në SHBA mes Blinken, Osmani dhe Kurti

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani Sadriu u pritën në takim nga Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Gjatë këtij takimi, që cilësohet si një nga më të rëndësishmit për vendin tonë, u diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E lidhur me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Fillimisht, ai tha se pritja dhe biseda relativisht e gjatë në kohë konfirmojnë faktin se Osmani dhe Kurti gëzojnë plotësisht mbështetjen e vendit mik të SHBA-ve, gjë që është kontestuar shpesh dhe ashpër nga opozita.

Po ashtu, sipas tij është një gjë shumë e rrallë që në Uashington të shkojnë njëherësh presidenti (ja) dhe kryeministri i një vendi së bashku.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u takuan në Uashington me sekretarin e Shtetit Amerikan, Antony Blinken dhe diskutuan për një orë rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë e në rajon. Kjo pritje e niveleve më të larta amerikane dhe biseda relativisht e gjatë në kohë, dëshmojnë për interesin amerikan rreth Kosovës dhe stabilitetit, sigurisë dhe demokracisë në rajonin tonë. Njëkohësisht konfirmojnë faktin se presidentja dhe kryeministri i vendit gëzojnë plotësisht mbështetjen e vendit mik të SHBA-ve, gjë që është kontestuar shpesh dhe ashpër nga opozita në vend.

Por le të kthehemi te pyetja dhe përmbajtja e kësaj vizite të dy krerëve të shtetit të Kosovës në SHBA, si dhe rezultatet e saj. Rrallë herë ndodh që në Uashington të shkojnë njëherësh presidenti (ja) dhe kryeministri i një vendi së bashku. Ky rast është i rrallë. Osmani dhe Kurti u ftuan së bashku në Departamentin e Shtetit dhe u takuan e biseduan me numrin një të këtij departamenti. Kjo do të thotë se administrata e zotit Biden kërkon konsensus politik në Kosovë për vendimet që merren. Dëshiron që Kosova të përfaqësohet me lidership të aftë dhe serioz. Edhe vlerësimi i zotit Blinken për lidershipin e tyre ishte një konpliment i rrallë”, deklaroi profesori,

“Ndërtimi i shtetit demokratik është interes jetik për amerikanët”

Në vazhdim, Bytyçi foli për temat që u diskutuan gjatë këtij takimi, ku një nga më përfolura thuhet të jetë ajo e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha se ndërtimi i shtetit demokratik është interes jetik për amerikanët,

“Gjithçka gjatë kësaj vizite u duk si sukses i padiskutueshëm dhe në të vërtetë ishte një sukses i madh. Temat e diskutimit, sipas pjesëmarrësve, zonjës Osmani, zotit Kurti dhe sekretarit Blinken, ishin të ndryshme. Demokracia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u përmendën më së shumti. Por infot shtojnë se Blinken është ndalur shumë në çeshtjen e dialogut të Kosovës me Serbinë. Ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe demokratik është interes jetik jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i amerikanëve, Ndoshta kjo është arsyeja kryesore pse amerikanët i japin mbështetje të hapur qeverisë Kurti dhe presidentes Osmani. Ndërtimi i shtetit demokratik është interes jetik për amerikanët, sepse suksesi në këtë aspekt justifikon nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë”, theksoi ai.

Sa i përket çështjes së dialogut, profesori beson se se është një nga temat që ngjallë kurreshtje dhe kësisoj vlerësoi se Amerika ka kerkuar përshpejtim të procesit, mbylljen e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Pavarësisht kësaj, ai nuk mendon se Blinken ka organizuar takimin “për të dhënë urdhëra”, por për të shkëmbyer mendime, argumente, ide dhe zgjidhje të drejta

Megjithatë vëmendja jonë dhe e opinionit publik besoj se ka kërshëri më të madhe te dialogu me Serbinë. Nga ato informacione që janë publikuar mendoj se SHBA-të kërkojnë një përshpejtim të procesit, mbylljen e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Se cila do të jetë ajo, askush nuk e thotë. Por ne na lejohet të deduktojmë opsione dhe alternative. Besoj se bëhet fjalë për një marrëveshje të drejtë, e cila i jep cilës palë atë që meriton, duke iu përmbajtur faktit se një palë ishte agresore me platform shtetërore serbe për spastrimin etnik të Kosovës dhe se pala tjetër ishte viktima e agresorit në fjalë. Në këtë raport duhet të jetë edhe zgjidhja.

Për mendimin tim zonja Vjosa Osmani dhe zoti Albin Kurti kanë shkuar në Uashington të përgatitur me argumente në funksion të kësaj çështjeje. Në fund të fundit për demokracitë e mirëfillta, si SHBA-të, argumenti është autoriteti që i jep formë e frymë vendimmarrjes. Në këtë rast dhe zoti Blinken nuk besoj se e ka organizuar takimin „për të dhënë urdhëra”, por për të shkëmbyer mendime dhe argumente, ide dhe zgjidhje të drejta. Kjo do të thotë se taimi dhe biseda midis dy palëve edhe në këtë aspekt kanë qenë të dobishme”, nënvizoi Bytyçi.

“Departamenti i Shtetit Amerikan dëshiron t’i japë një shtytje tjetër proceseve në Kosovë, në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perendimor”

Më tej, ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk heqin dorë nga opsioni për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që pa këtë nuk mund të sigurohet paqe dhe stabilitet në rajon.

Fakti që sekretari Blinken edhe në këtë takim theksoi se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë duhet të garantojë njohjen reciproke të të dy shteteve, është domethënës. SHBA-të nuk heqin dorë nga ky opsion. Madje njohja reciproke u konsiderua kusht i integrimeve euro-atlantike të të dy vendeve. Ne nuk e dimë nëse Serbia do që të jetë pjesë e NATO-s, por e dimë se ajo dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Kriza në Ukrainë duket se e ka afruar kohën e integrimeve, sidomos për Serbinë dhe Malin e Zi. Shkurtimi i kohës së integrimeve dikton shkurtimin e kohës së njohjes reciproke dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Në këto kushte Departamenti i Shtetit Amerikan dëshiron t’i japë një shtytje tjetër proceseve në Kosovë, në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perendimor. Që do të thotë ndërtimin e infrastrukturës së paqes dhe stabiltetit në demokraci funksionale në këto shtete. Pa njohjen reciproke të shteteve të Serbisë e Kosovës kjo gjë nuk mund të ndodhë. Ky është hapi i parë. Nuk besoj se do të ketë zvarritje të tjera në këtë drejtim”, potencoi profesori.

Në fund, Bytyçi tha se Kurti dhe Osmani mund të kenë marrë kritika lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit.

Sipas tij, kritikat mund të kenë ardhur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Por konkretisht se çfarë u është thënë zotit Kurti e zonjës Osmani, këtë ne nuk e dimë. Megjithatë besoj se për Manastirin e Deçanit ata kanë marrë kritika. Kritika vjen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë aspekt amerikanët dhe europianët kanë një alibi. Ndërsa Kosova merr parasysh në çështjen e Asosacionit të Komunave Serbe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë ajo duhet ta marrë parasysh edhe vendimin tjetër të kësaj gjykate për Manastirin e Daçanit, është fjala për pronat e tij. Nuk e di nëse ka ose jo hapësirë për të manovruar në këto dy çështje! Por e shoh të vështirë!”, përmbylli profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat