“Në këtë grackë po bien të gjithë”/ Deklarata ‘bombë’ e Milo Gjukanoviqit alarm për Kosovën

Politika

“Në këtë grackë po bien të gjithë”/ Deklarata ‘bombë’ e Milo Gjukanoviqit alarm për Kosovën

Nga: P.R Më: 28 korrik 2022 Në ora: 20:22
Harta e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka dhënë një deklaratë bombë. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” i Edi Ramës dhe Alëksandër Vuçiqit është iniciativë e dyshimtë, e cila do të çojë në fund në zhdukjen e shteteve si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia e Veriut, si dhe do të përfundojë me gjenocide tjera në Ballkan.

“Është e diskutueshme. Bëhet fjalë për një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Kjo nuk na duhet. Na duhet anëtarësimi në BE. Ata që nuk e shohin rajonin tonë në BE, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Kjo përfundon me zhdukjen e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Për paralajmërimin e Gjukanoviqit për “Ballkanin e Hapur”, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Ajo çfarë ka deklaruar z. Millo Gjukanoviç është vazhdimësi e asaj çka deklarohet nga ata që e njohin mirë fushën e analizës politike që nga koha kur ishte propozuara minishengeni për të vazhduar me Ballkanin e Hapur. Tendenca është e qartë nga të gjithë fqinjët e Kosovës të cilët nëpërmjet realpolitikës besojnë se zhdukja dhe ndarja e Kosovës ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do t’i shuajë apetitet e Serbisë për influencë në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

“Një shembull që e kundërshton këtë është fakti se kur Serbia kishte suprimuar autonominë e Kosovës, ishte futur në luftë me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën për tu rikthyer prapë kundër Kosovës”, shprehet Kuçi.

Më tej, ai thotë se një gjë e tillë ka filluar t’u pëlqejë edhe grekëve dhe bullgarëve.

“Një gjë e tillë ka filluar t’u pëlqejë plot njerëzve edhe në qarqet Greke dhe Bullgare, pasi e shohin si mundësi për zgjerim të tyre dhe kjo furtunë do jetë e ngjashme me luftërat e viteve 1913-1914, të quajturat luftërat ballkanike”, thekson Kuçi.

Sipas tij, Serbia dhe Rusia po e vazhdojnë tendencën e imperializmit në Ballkan, me metoda konservatore nacionaliste nëpërmjet Kishës Ortodokse dhe atyre moderne si “Open Ballkan”.

“Në këtë grackë po bien të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat pretendojnë që me zhdukjen dhe ndarjen e Kosovës do të përmbushen apetitet serbe dhe vendet tjera në Ballkanin Perëndimor nuk do të influencohen më nga Serbia. Tani që kaluan 27 vjet nga masakra e Srebrenicës jemi dëshmitarë të neo-imperializimit serb në Ballkanin Perëndimor duke shtrirë forcën e saj nëpërmjet kishës në Mal të Zi dhe Kosovë, e nëpërmjet “Open Ballkan” në gjithë rajonin. Serbia në Ballkanin Perëndimor po pret kohën të futët në luftë në atë që mund të quhet faza e zgjerimit të luftës Ukrainë-Rusi apo thënë më mirë perëndimi ndaj ortodoksizmit (ortodoksizmit që është nën udhëheqjen e Rusisë)”, deklaron më tej për “Bota sot” Gurakuç Kuçi.

Për fund, Kuçi shprehet se Kosova është stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, dhe shprishja e këtij rendi kalon nga Kosova.

“Realpolitika e vendeve të rajonit me Serbinë dhe kundër Kosovës, është guri i varrit për rajonin. Kosova është stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe shprishja e këtij rendi kalon nga Kosova. Në gjithë këtë paritet, Kosova po del që ka vetëm një aleat të sinqertë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri i Malit të Zi mund të besojë në politikën e tij, pasi deri tani ishte i suksesshëm, por me Serbinë nuk mund të ketë sukses. Realpolitika e Shqipërisë ndaj Kosovës është dhimbja më e madhe që mund t’i ndodhë shqiptarëve, e Kosova duke e pasur furnizimin ekonomik më të madh nga Serbia është ndihma më e mirë ndaj armikut të saj. Ndërsa Maqedonia e Veriut uroj të ketë kuptuar më shumë gjëra nga incidenti i fundit nacionalist-shovinist anti-shqiptar”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat