Veteranët po kërcënojnë Qeverinë Kurti në bashkëpunim me PDK-në dhe AAK-në: “Kaq thellë ka depërtuar krimi i organizuar”!

Politika

Veteranët po kërcënojnë Qeverinë Kurti në bashkëpunim me PDK-në dhe AAK-në: “Kaq thellë ka depërtuar krimi i organizuar”!

Nga: N. Sh. Më: 30 korrik 2022 Në ora: 17:42
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javë më parë i ka dërguar një propozim me shkrim ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së Faton Klinaku, sipas të cilit propozohet që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Ky propozim ka ardhur pas protestave të veteranëve pasi pensionet e tyre prej 170 eurove nuk u përfshin në rritjen e pagës minimale prej 264 eurosh.

Pas këtyre protestave kryeministri Kurti kishte pritur në takim edhe krerët e organizatave të veteranëve të luftës.

Ndërsa, organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së këtë javë ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar propozimi që ditë më parë i është dërguar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që OVL-ja e UÇK-së t’i kthejë me shkrim përgjigje Kurtit për propozimin e tij.

Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, i cili tha se përgjigjja është gati dhe do t’i dërgohet Kurtit sapo të kthehet nga SHBA-ja.

Ndërsa, kryeministri Kurti sot është kthyer nga vizita pesë ditore në SHBA, ku ka nënshkruar një marrëveshje milionëshe për investime në energji.

Në lidhje me këtë, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava thotë se, së pari protestat e veteranëve para Qeverisë ishin në mbështetje të opozitës.

Sipas tij, më atë është dëshmuar se, “thellë ka depërtuar krimi i organizuar i ish pushtetarëve që i kanë manipuluar dhe fryrë listat, prandaj shton se edhe sot ata po përdoren dhe manipulohen nga opozita”.

Ai shton se me këtë ish-pushtetarët dhe opozita e tanishme po dalin mbi ligjin dhe po e kundërshtojnë atë.

Image
Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava

“Si e pse u manipulua përsëri nga ish partnerët e klanit PRONTO, në emër të vlerave dhe veteranëve të UÇK-se duke kërcënuar, bllokuar dhe rrezikuar funksionimin e institucioneve të shtetit. Dy partitë politike që bazën e vetë e kanë të ndërtuar si kinse parti të luftës, PDK dhe AAK, serish po manipulojnë në emër të UÇK-së, duke synuar që për interesin elektoral të përfitojnë klientelat e tyre kriminale duke dal mbi ligjin e kushtetutën e vendit”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se, këto subjekte politike nuk e kanë hallin e veteranëve të vërtetë të UÇK-së që janë rreth 13-15 mijë, por të atyre mijëra mashtruesve që nuk janë asgjë tjetër veç se trup e makineri kriminale votuese e tyre prej 40.000 mashtrueseve veteranë.

“Pra, jo vetëm që nuk duhet të ju njihet e drejta e trajtimit me Ligjin për pagat, sepse ata janë në kategorinë e pensioneve, por duhet të verifikohen dhe të ju ndalen edhe ato që i marrin dhe të ndiqen e hetohen penalisht për dëmtim të buxhetit të shtetit se bashku me shefat e tyre”, thotë ai.

Ai vazhdon se, tashmë po dëshmohet në vazhdimësi se opozita ka qëllim rrënimin e shtetit ligjor për interes kriminale.

“Kjo që po zhvillohet jashtë parlamentit dhe aty brenda në parlament nuk është opozitarizëm, është sulm i orkestruar kundër institucioneve dhe politikave institucionale të shtetit. Me këso veprimesh, duke promovuar shkatërrimin e sistemit edhe atij pensional, duke rreziku qëndrueshmërinë buxhetore, duke rrënuar rregullat fiskale ligjore, nuk i bëhet opozitarizëm pushtetit, por është formulë për ta dështuar shtetin deri në themel, sepse skenat e javëve të fundit, ku deputetë të opozitës i prijnë protestave për trust, protestave të veteranëve, protestave të sindikatave, nuk janë asgjë tjetër veçse thirrje për kaos dhe për shkatërrim të asaj që me aq shumë mund e sfida është ndërtuar për dy dekadat që kanë kaluar”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat