Gjeneral Qehaja lëshon alarmin: Ja çka mund të tentojë Serbia me një agresion “të rrufeshëm” në veri!

Politika

Gjeneral Qehaja lëshon alarmin: Ja çka mund të tentojë Serbia me një agresion “të rrufeshëm” në veri!

Nga: A.ZH Më: 1 gusht 2022 Në ora: 14:54
Gjenerali Ramadan Qehaja; foto ilustrim nga "Bota sot"

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas bllokadës nga serbët lokalë, për shkak të masës së reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë.

Në një shkrim për gazetën “Bota sot”, gjenerali i ka vlerësuar si të drejta dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

“Vlerësoj se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit dhe të fillimit të heqjes së tabelave të automjeteve serbe me targa të lëshuara nga autoritetet e atjeshme me shkurtesat e qyteteve të Kosovës, ishte i drejtë. Po aq i drejtë ishte edhe vendimi për vendosjen e reciprocitetit për letërnjoftim”, ka thënë Qehaja.

Image
Largimi i barrikadave në Zupç.

Megjithatë, eksperti i sigurisë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për mos marrje të masave për të pamundësuar skenarin e vënies së barrikadave nga ekstremistët serbë në veri të vendit.

“Ajo që mua më ra në sy ishte mbase mosndërmarrja e masave preventive nga Qeveria jonë, për pamundësinë e vënies së barrikadave nga ekstremistët serbë, përkatësisht të dirigjuara nga Qeveria serbe. Për këtë taktikë serbe, të vënies së barrikadave, ne sikur jemi mësuar dhe atë që nga mbarimi i luftës e deri në ditët e sotme. Pra, ky skenar do të duhej të parashihej dhe rrjedhimisht të parandalohej. Në këtë kontekst kujtoj se edhe KFOR-i ka përgjegjësi aq më parë që, përveç tjerash në përshkrimin e detyrave, është edhe ajo e sigurimit të një mjedisi të qetë dhe të mundësojë lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës”, ka potencuar më tej Qehaja.

Teksa ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga selia e shtabit të ushtrisë serbe, gjenerali ka thënë se kërcënimi ushtarak serb është bërë përditshmëri në raport me Kosovën.

“Nuk do mend e të konkludohet se eksponentët politikë në Beograd, sidomos establishmenti aktual me në krye Vuçiq, sikur mjetin kryesor në raport me Kosovën e kanë atë ushtarak. Këtë më së miri e vërteton dhënia e deklaratës nga selia e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe. Kërcënimi me përdorim të forcës, sado implicit që është, sikur është bërë përditshmëri”, është shprehur Qehaja për “Bota sot”.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Serbia të tentojë të marrë me një sulm të “rrufeshëm” veriun e Kosovës. Këtë sipas gjeneralit, e dëshmon edhe fakti i gatishmërisë së gjashtë-shtatë batalioneve serbe, për të ndërhyrë në veri.

“Sigurisht se veprimet e tij nuk mund të nënçmohen aq më parë kur të merren parasysh veprimet që i ka ndërmarrë deri më tani për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe. Duke vlerësuar situatën e krijuar pas agresionit rus në Ukrainë dhe tentativat ruse për destabilizim të Ballkanit (në Nish të Serbisë ekziston qendra informative ruse etj.), atëherë mundësia e tentativës serbe për të marr veriun e vendit tonë me një agresion “të rrufeshëm” të përkufizuar, nuk mund të hidhet poshtë. Përkundrazi.

Në favor të këtij qëndrimi mund të na shërbejnë edhe fakti i gjashtë deri në shtatë batalione të moto-mekanizuara dhe të përkrahura nga artileria, raketat dhe aviacioni luftarak i ushtrisë serbe, në gatishmëri për të vepruar ushtarakisht ndaj Kosovës, përkatësisht marrjes me forcë të veriut të saj”, ka thënë eksperti i çështjeve ushtarake.

Në fund, ai ka dhënë një sugjerim për Qeverinë e Kosovës.

“Duke mos dashur të hyjë në çështje tjera siç janë veprimet e shërbimeve sekrete serbe (ruse), krijimi i mos dëgjueshmërisë qytetare, ndoshta edhe të një pjese të strukturave të sigurisë atje etj. , atëherë ndërlikueshmëria e problemit bëhet edhe më e madhe. Këto dhe çështje tjera Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmërisht t’i vlerësojë dhe t’i merr parasysh”, ka shtuar për “Bota sot” gjenerali Ramadan Qehaja.

Serbët lokalë në Kosovë dje vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Pas kërkesës së SHBA-së, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat