Tensionet në veri të Kosovës/ Paralajmërohen institucionet e sigurisë – ky mund të jetë plani i radhës i Serbisë!

Politika

Tensionet në veri të Kosovës/ Paralajmërohen institucionet e sigurisë – ky mund të jetë plani i radhës i Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 gusht 2022 Në ora: 18:14
Veriu i Kosovës

Ditët e fundit kanë qenë të shoqëruara me një mori ngjarjesh të tensionuara.

Vendimi për fillimin e zbatimit të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka sjellur gati zhvillime dramatike në veri, ku serbët në urdhrat e Serbisë u vunë në gatishmëri lufte, dhe eskalimin në përdorimin e armëve e shmangi ndërhyrja amerikane.

Serbët dhe Serbia të përkrahur nga Rusia ishin të gatshëm për një konflikt të ri të armatosur me shqiptarët.

Me shumë gjasë ishte trysnia e NATO-s ajo, që e detyroi Serbinë të ulë intensitetin e provokimeve dhe të kërkojë kohë shtesë, që të mos organizojë rezistencë luftarake ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, pavarësisht që pranoi shtyrjen e vendimeve, ajo nuk i tërhoqi derisa serbët nuk i zbllokuan të gjitha rrugët në veri.

E gjitha filloi kur Qeveria e Kosovës bëri të ditur se që nga 1 gushti do të ketë rregulla të reja për serbët që do të hyjnë në Kosovë.

Të papranueshme këtë gjë e panë serbët, të cilët sipas udhëzimeve të Serbisë, filluan me ndezjen e papushimtë të alarmeve të luftës, bllokimin e rrugëve, me sulme ndaj shqiptarëve të pafajshëm, daljen në skenë të bandave të maskuara, etj., përcjell “Bota sot”.

Pasi gjendja u tensionua mjaft shumë dhe pritej të ketë sulme të radhës, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, kërkoi nga qeveria të shtyhej zbatimi i vendimit për reciprocitetin e dokumenteve të udhëtimit deri më 1 shtator.

Menjëherë pas kësaj kërkese Qeveria e Kosovës e shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në një komunikatë të lëshuar në mesnatën e të dielës, tha se “e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje”.

Sipas qeverisë, “bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”, thuhet në njoftim.

Tërnava: Ato organizime lënë përshtypjen se mund të eskalonte situata në luftë aktive

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai u shpreh se kjo situatë e krijuar në veri të Kosovës është shumë shqetësuese pasi mundet që situata të eskaloj në lufte aktive.

“Situata e krijuar tani në veri të Mitrovicës në ato pjesë ku kufizohemi me Serbinë, me barrikada të ndryshme dhe bllokimin total me automjete të rënda si kamion etj, që pala serbe i ka ndërmarrur ato masa për me e shqetësu si popullin serb po ashtu edhe shqiptar. Për ta krijuar një situatë konflikti aktiv ndaj popullit të Kosovës. Kjo situatë tani e krijuar në këtë mënyrë të tillë e ku mes kamerave që dukeshin në TV, u vërejshin automjete të cilat bartnin armatim të llojeve të ndryshme dhe e shpërndanin nëpër automjete të tjera për qëllime që vetëm ata i din. Kjo pamje është e kuptueshme se lë përshtypje se nga ky konflikt mundej që situata të eskalonte në lufte aktive, e sidomos që tani Serbia po përkrahet nga Rusia, sepse Serbia si i vetmi shtet i Europës po e përkrah Rusinë për luftën që po e zhvillon ndaj Ukrainës, prandaj edhe kjo përkrahje e ka qëllimin e saj që Serbia t’i qëndroj besnike edhe në të ardhmen e saj, si i vetmi shtet i Evropës”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thekson që të gjitha këto ngjarje po vinë si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme nga Mustafa dhe Thaçi.

“Ky konflikt i tanishëm e ka qëllimin që të bëhet një lloj presioni ndaj përfaqësuesve ndërkombëtar si dhe të Kosovës, sepse në të ardhmen pritet që duhen të vazhdojnë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Prandaj ky konflikt dhe presion që po ushtrohet e ka qëllimin që Serbia të triumfoj në politikat e ardhshme, dhe që t’ia arrijë qëllimit të saj që pjesën e veriut ta shkëputë nga Kosova, apo së paku të shkohet në variantin e arritjes së qëllimit të Asociacionit me kompetenca jashtë Kushtetutës të Kosovës që Thaçi e kishte nënshkruar në vitin 2013 dhe Mustafa në vitin 2015, e që Gjykata Kushtetuese e shpalli si të kundërligjshëm, sepse i pati 23 nene antikushtetuese. Fatlumësisht që si garantues të kufijve të Kosovës e kemi KFOR-in që është pjesë përbërëse e NATO-s, prandaj nga kjo rrethanë nuk ka gjasa që mund të vij deri te përshkallëzimi i situatës, apo te gjakderdhja mes etnike”, tha eksperti i sigurisë.

Sipas ekspertit këso situata do të ketë në vazhdimësi derisa të arrihet një njohje reciproke mes dy shteteve.

“Asnjë konflikt për asnjë shtet nuk është i mirë, dhe ky konflikt po ripërsëritet që Serbia po don me i arritur qëllimet e saj, në aspektin ndërkombëtar sikur e shpjegova e që po e ripërsëritë edhe kryeministri Kurti, sikur që u deklarua se ditë të vështira do të jenë në vazhdim, e që nënkuptohet deri në zgjedhjen e çështjeve të njohjeve reciproke të këtyre dy shteteve. Kjo situatë e krijuar tani e ku po mbretëron psikoza e luftës që po zgjatë tani e disa muaj mes Rusisë dhe Ukrainës, është një përparësi për shtetin tonë, sepse e tërë bota demokratike dhe shtetet tjera tani janë bashkuar dhe po i qëndrojnë në përkrahje të Ukrainës, dhe me këtë nënkuptohet se po këto shtete në shumicë janë në përkrahje edhe të Kosovës”, nënvizoi Tërnava për “Bota sot”.

Mehmeti: Pavarësisht se Vuçiqi bën aludime nuk e ka guximin të ndërmerr invazion ndaj Kosovës

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Serbia do të përdorë të gjithaë instrumentet e saj për ta parandaluar një realitet tjetër nga ai që është mësuar.

“Lazdrimi 23 vjeçar ndaj Serbisë ka koston e saj derisa të mësohet me realitetin, me një situatë krejtësisht ndryshe. Në këtë kuptim, është e pritshme nga Serbia të përdorë të gjithë instrumentet e saj për të parandaluar një realitet tjetër nga ai që është mësuar. Do të ketë provokime të ndryshme për destabilizim, por jo në masën sa ta destabilizojë krejt vendin”, thotë ai.

Më tej, analisti thekson që Vuçiqi nuk ka guxim të ndërmerr ndonjë iniciativë për Kosovën përveç nëse nxitet nga Putini.

“Pavarësisht se Vuçiqi bën aludime nuk e ka guximin të ndërmerr invazion ndaj Kosovës, përveç nëse nxitet nga Putini për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina, kjo po, mund të ndodhë. Cak i sulmeve politike mund të jenë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegj dhe Bujanoc. Të gjitha këto do të kalojnë, pas gjithë saj ajo që mbetet është forcimi i shtetit karshi Serbisë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat