Spiunët/ Zbardhet skema: Politikanë, zyrtarë, analistë, drejtues të OJQ-ve e moderatorë emisionesh, pjesë e shërbimeve anti-shqiptare

Politika

Spiunët/ Zbardhet skema: Politikanë, zyrtarë, analistë, drejtues të OJQ-ve e moderatorë emisionesh, pjesë e shërbimeve anti-shqiptare

Nga: M.L. Më: 7 gusht 2022 Në ora: 21:47
Foto ilustrim

Republika e Kosovës e ka shpallur gazetaren ruse, Daria Aslamova si person të padëshirueshëm.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se Aslamovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.

Duke bërë të ditur arrestimin e saj, Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova shpallë “non grata” dhe dëbon njerëz të dyshuar për bashkëpunim e sipiunazh me Rusinë.

Lidhur me këtë gazeta “Bota sot” ka biseduar me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

Ai ka thënë se Asmalova është shembulli konkret se si zbulimi rus operon nën etiketat e gazetarisë, të diplomatit e të tjera si këto.

“Një gazetare ruse, Daria Asmalova, është ndaluar nga policia kufitare e Kosovës dhe ministri i Brendshëm e ka shpallur atë të padëshirueshme për pesë vite radhazi. Ky rast është i mjaftueshëm për të dhënë mendime dhe arsyetuar për fenomenin e spiunazhit në Kosovë. Asmalova është shembulli konkret se si zbulimi rus operon nën etiketat e gazetarisë, të diplomatit e të tjera si këto. Ne jemi dëshmitarë se si një i maskuar si diplomat në atë UNMIK-un ruso-serb në veri të Kosovës ushtronte veprimtari spiunazhi e diversioni në Kosovë e për destabilizimin e saj. Ndërkohë që për non-gratën kundër tij reaguan në OKB. OKB u duk sikur mbron spiunët që u shkaktojnë drama njerëzve dhe popujve”, ka thënë profesori.

Profesori theksoi se çdo përpjekje anti-shqiptare e anti-kombëtare në Kosovë e kudo gjetkë e ideojnë, skicojnë, organizojnë dhe realizojnë jashtë syrit dhe veshit të institucioneve, zyrtarëve dhe qytetarëve të Kosovës

“Por spiunët ne i kemi për fushe! Nëse njerëzit do të ishin pa paragjykime dhe shefi I spiunazhit rus ose serb do të vinte në Prishtinë e do t’i binte bilbilit që të mblidheshin spiunët, në mos krejt sheshi, gjysma e tij do të mbushej me ta! Por ata janë të fshehtë dhe për këtë arsye quhen spiunë! Sepse gjithçka e bëjnë në fshehtësi! Çdo përpjekje anti-shqiptare e anti-kombëtare në Kosovë e kudo gjetkë e ideojnë, skicojnë, organizojnë dhe realizojnë jashtë syrit dhe veshit të institucioneve, zyrtarëve dhe qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Më tej Bytyçi ka rikujtuar se “në masën e spiunëve në Kosovë ose edhe në Shqipëri, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Luginës apo Malit të Zi e në diasporë për shërbimet anti-shqiptare ka politikanë, zyrtarë të shtetit, gazetarë, analistë, drejtues të OJQ-ve, persona publikë dhe deri moderatotë emisionesh televizive”.

Shërbimi sekret në Kosovë e në vendet tona besoj se ka specialist, të cilët nga emisionet, shkrimet, deklaratat politike e jo politike analizojnë dhe shpjegojnë fenomenin në fjalë. Duhet me pasë të tillë e madje edhe që e adresojnë shqetësimin me kompetencë profesionale dhe frymë patriotike te strukturat.

Kosova ka pasur dhe ka një veçanti. Aty kanë vepruar misione të shumta ushtarake në kuadër të trupave që i janë bashkëngjitur KFOR-it, UNMIK-ut, EULEX-it, gjykatave dhe prokurorëve të huaj, administratorëve në privatizim e në struktura tjera, deri te arsimi, shëndetësia etj. Për këta njerëz kanë punuar edhe shqiptarë. Një pjesë prej tyre janë keqpërdorur pa e kuptuar se çfarë ata po bëjnë. Një pjesë janë rekomanduar nga shërbimet e Stanishiqit”, ka nënvizuar ai.

Por, Bytyçi thotë se ajo që e brengos më së shumti lidhet me faktin se zërat e spiunëve janë bërë publikë dhe helmojnë shpirtin e shqiptarëve.

Rrymat që ata përhapin në emisione televizive janë degraduese e demotivuese për shoqërinë dhe për qytetarët. Ka prej tyre që maskohen pas rrjeteve sociale, pas ekraneve rozë ose shout televiziv ose radiofonik. Ka politikanë që hedhin në publik projekte, plane dhe iniciativa të rekorduara me shërbimet politike të shërbimit serb e rus. Ka nga ata që ndoshta bërtasin ditë e natë duke e sharë me nënë Putinin ose Vuçiqin, por në fakt në trakime e biseda intime nxisin marrëdhënie mirëkuptimi me politikat e tyre. Ka më në fund nostalgjikë të stalinizmit, enverizmit e titizmit, të cilët janë të prirur që të shfaqin simpatinë e tyre për modelin e qeverisjes në Moskë ose në Beograd, madje edhe nuk e kanë për turp ta lavdërojnë “burrërinë” e “trimërinë” e presidentit rus ose presidentit serb në public.

Ka, çfarë nuk ka! Të gjitha I shohim të vegjetojnë nga qeliza bazë e shoqërisë e deri në kupolat e pushtetit. Madje disa e konsiderojnë “modernizëm”, “balancë”, “ekuilibër” një farë qëndrimi pro-rus e pro-serb, në emër të asaj se “Lufta e qëndresa nuk I sjell askujt paqen e rehatinë”! Ndërkaq duket se vitet e fundit të qenit spiun është legjitimuar nga përpjekjet e vazhdueshme të vëllazërimit dhe bashkëpunimit midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë. E më parë edhe midis dy presidentëve, atij të Kosovës e atij të Serbisë”, ka potencuar ai.

Sipas profesorit, ky lloj terreni i krijuar në dekada e vështirëson luftën kundër spiunazhit, ekstremizmit e terrorizmit.

“Ky rrejt i madh spiunazhi në favor të Serbisë dhe Rusisë është investuar me dekada dhe ka kushtuar miliona e qindra miliona dollar amerikanë. Është vështirë që në një kohë të shkurtër të pritën fijet e aq më pak të shkulen rrënjët e kësaj veprimtarie. Megjithatë as në këto dy vitet e fundit kur ndryshimi politik është arrirë, nuk kemi parë ndonjë operacion serioz e të madh në luftën kundër veprimtarisë së spiunazhit në e kundër Kosovës”, shtoi ai.

Autoritetet e agjensive të zbulimit, sipas Bytyçit duhet të kualifikohen e të punojnë më shumë me frymë kombëtare e përgjegjësi profesionale për të parandaluar çdo veprimtari të tillë.

Të ndaloje Asmalovën nuk ishte e vështirë. Por të parandalosh veprimtarinë diversioniste, e aktet terroriste të këtij spiunazhi është jo e lehtë. Në anën tjetër shërbimet e specializuara duhet të ndjekin edhe ata politikanë që përkrahin projektet serbe e ruse. Qofshin këta politikanë e njerëz publikë në Kosovë ose jashtë saj. Duhen mbledh prova për diversionin e spiunëve shqiptarë të vënë në shërbim të spiunazhit serb e rus. Duhen goditur këta më shumë sesa ata që na vijnë me ose pa uniformë në kufi. Ata vijnë dhe me ta veprohet lehtësisht. Por këta tanët duhen ndëshkuar fort. Këta na dëmtojnë akoma më shumë se të huajt!”, ka përfunduar ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat