Amerika i dha një ‘goditje’ të fuqishme Serbisë, me këtë veprim e favorizoi Kosovën! / Kurti fitoi pikë!

Politika

Amerika i dha një ‘goditje’ të fuqishme Serbisë, me këtë veprim e favorizoi Kosovën! / Kurti fitoi pikë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 gusht 2022 Në ora: 08:04
Gabriel Escobar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë përkrahja më e madhe e Kosovës.

Në lidhje me çështjen më të diskutuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, SHBA-ja ka vendosur t’i jap një ‘goditje’ shtetit serb.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë tha se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

"Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", deklaroi ai.

Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.

Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” foli me njohësit e çështjeve politike, Hidajet Ahmeti dhe Dedë Preqi.

Ahmeti: Momentumi politik është në favor të Kosovës

Analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” deklaratën e Gabriel Escobarit e cilësoi si një goditje të madhe për shtetin serb.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, përfaqësuesi amerikan me deklaratën e tij e mbështeti hapur Kosovën dhe qëndrimin e qeverisë sonë për Asociacionin.

Escobar e bëri të qartë çështjen e Asociacionit, një temë shumë e përfolur, por edhe e shtrembëruar përtej realitetit. Deklarata e Escobarit është një goditje e fuqishme ndaj Serbisë, pasi kapitalizoi një gjë që Qeveria e Kosovës po e mbron me fanatizëm. Përfaqësuesit serbë mund ta përdorin për konsum të brendshëm Asociacionin me kompetenca ekzekutive, por mendoj se një realitet i tillë është i parealizueshëm”, deklaroi ai.

Ahmeti potencoi se me përkrahjen amerikane, Kosovës po iu lehtësohet më shumë situata, dhe mundësia faktike për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit.

Gjithashtu, nisur nga kjo nënkuptohet se askush nuk mund ta prek Kosovën dhe ky është një momentum i rëndësishëm politik.

Krerët institucional e kanë më lehtë, pasi zyrtarët amerikanë po japin një mbështetje shumë të madhe dhe në këtë rast po ua bëjnë me dije përfaqësuesve serbë se Pavarësia e Kosovës është një fakt i palëkundur, por edhe një garanci e madhe që substanca e Republikës nuk do të preket nga askush. Kosova është në rrugën e drejtë në këtë aspekt, por edhe momentumi politik është në favor të saj”, theksoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Preqi: Përfaqësuesi i SHBA-ve, Escobar bukur e qartësoi çështjen e Asociacionit të komunave serbe

Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi me deklaratën e fundit Gabriel Escobar e zbërtheu çështjen e Asociacionit dhe ia sqaroi njëherë e mirë serbëve se një asociacion i tillë nuk mund të realizohet, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën.

Image
Dedë Preqi

Emisari i SHBA-ve, për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, në një kuptim të thellë dhe shumë përmbajtjesor e qartësoi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke sqaruar para së gjithash thelbin e çështjes se çfarë duhet të jetë një Asociacion i tillë, i cili sigurisht që jo; vetëm nëse termin e përdorim në mënyrë të papërshtatshme, ose në mënyrë figurative, që do të ketë pasoja, sikur nëse jemi përpara diçkaje që do të prodhojë më shumë defekte e pasoja se në favor të kësaj shoqërie multietnike, duke nënkuptuar problemet që mund të shkaktojë në të ardhmen një Asociacion me kompetenca që nuk i takojnë.

Si duket përfaqësuesi i SHBA-ve, zotëri Escobar, me një fjalë e zbërtheu dhe i dha fund një çështje të tillë, duke ia sqaruar edhe palës serbe, se si duhet të formohet asociacioni i komunave në një rast të tillë, i cili nuk duhet të bie ndesh me rregullat dhe ligjet e Kushtetutës së shtetit të Kosovës, dhe i cili nuk krijon pengesa në funksionalizimin e institucioneve të shtetit dhe nuk krijon ndonjë mini-shtet në një shtet tjetër”, deklaroi ai.

Preqi tha se kjo ishte një goditje edhe për Listën Serbe, e cila vepron me direktiva të Beogradit, ku njëherësh i dha fund ëndrrës për ndarjen e Mitrovicës.

Ai potencoi se është e pafalshme për Thaçin e Mustafën që nënshkruan një marrëveshje të tillë.

Prandaj, z. Escobar, sikur e bëri të qartë edhe për Listën serbe, si një goditje që do të vinte në baza ligjore dhe kushtetutare e një shteti demokratik, dhe Lista serbe, dhe spozorizuesi i saj Aleksandër Vuçiq, do të duhej ta kuptojnë fare mirë rolin e këtij Asociacioni, përmes të cilit po i shohin ëndrrat e fundit për ndarjen e veriut, dhe për të krijuar një lloj «republike serbe» në zemër të shtetit të Kosovës.

Është e pa falshme marrëveshja që bëri Hashim Thaçi me 2013, dhe e nënshkroi Isa Mustafa, me 2015, mbi bazën e të parës, në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, por edhe më keq, nëse këta lider ishin të akorduar për një marrëveshje të tillë, e cila mund t’i kushtojë Kosovës shumë plagë dhe shumë të këqija, nëse do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, sipas planeve dhe projekteve që kanë serbët e Kosovës dhe dizajneri i këtij projekti Aleksandër Vuçiq”, theksoi opinionisti.

“Një gjë e tillë e dëmton dhe e defunksionalizon rolin dhe themelet e shtetit”

Në vazhdim, vlerësoi se me këtë rast, Amerika edhe njëherë e bëri të ditur sa i dëmshëm është krijimi i një Asociacioni të tillë, ku edhe dëmtohet rëndë sovraniteti i vendit.

Duhet të kuptohet fare mirë se, kur e thonë edhe SHBA-të, se një Asociacion që krijohet në baza njëetnike, që më saktësisht nënkupton ndërtimin e një shteti brenda një shteti tjetër, një gjë e tillë e dëmton dhe e defunksionalizon rolin dhe themelet e shtetit, që pastaj shkon përtej një përshkallëzimi të situatës apo deri te shkatërrimi i shtetit, i cili është ndërtuar me shumë sakrifica dhe lumenj gjaku, sikur që është shteti i Kosovës.

Kosova dhe qeveria e tanishme e z. Kurti, nuk është e mundur që nuk kanë trysni dhe presione të ndryshme nga të gjitha anët, e në veçanti nga ato këndet kryesore të politikës europiane në Bruksel, duke filluar nga shefi i diplomacisë europiane nga Josep Borell, e deri te Mirosllav Lajçak dhe të tjerë, që të miratohet marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, sipas marrëveshjeve të mëhershme, që janë nënshkruar nga të dyja palët në vitin 2015, duke mos e sqaruar dhe analizuar mirë krijimin e një Asociacioni të tillë, i cili për palën serbe, do të kishte të gjitha kompetencat e një shteti brenda tij, duke mos e llogaritë palën e Kosovës, që do të dëmtohej dhe do të përballet me provën më të rëndë të saj, të cilën «dhuratë» në një mënyrë dikush po ia dëshiron Kosovës, në këtë mënyrë”, shpjegoi Preqi.

Më tej, opinionisti përmendi këmbëngulësinë e qeverisë Kurti për kundërshtimin e këtij projekti, derisa opozitën nuk e ka përkrahëse në këtë ‘luftë’ me shtetin serb.

Prandaj, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij, janë të vendosur në qëndrimet e tyre se, Asociacioni i planifikuar si një etnik, nuk do të pranohet dhe miratohet sepse do të ishte projekt i dëmshëm për shtetin e Kosovës, dhe kjo qeveri do të ngadhënjejë kundër një projekti të tillë, edhe pse nuk e ka opozitën në favor të kësaj çështje, kur liderët e kësaj opozite pa menduar mirë dhe pa i analizuar pasojat, ata e nënshkruajnë një marrëveshje në dëm të këtij shtetit dhe këtij populli.

E gjithë kjo nënkupton se, krijimi i një modeli të tillë serbo-rus ka dhënë shembuj të rrezikshëm, sikur që ka ndodhur në Bosnje dhe Hercegovinë, duke lënë pasoja të pa riparueshme në sendërtimin e këtij vendi, dhe argumenti i fuqishëm ndaj këtij projekti është edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila në vendimet e saj ka cekur 23 pika, që janë antikushtetuese në këtë marrëveshje, që do thotë se, zbatimi i kësaj praktike, Kosovën do ta hidhte në një front të ri të luftës për ekzistencë dhe mbrojtje të shtetit të vet demokratik e të pavarur”, deklaroi ai.

Në fund, Preqi tha se përfaqësuesi amerikan i nxori mashtrues pjesën më të madhe të opozitës, të cilët me planet tinëzare po sulmojnë kryeministrin Kurti.

Ndër të tjera, shtoi se pikërisht kjo opozitë kinse thirret në proamerikanizëm, ndërsa në anën tjetër po bashkëpunon me Listën serbe për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

Me sqarimin dhe fjalët e Escobarit, pjesa e madhe e opozitës së vendit tonë në krye me PDK, LDK dhe AAK, dolën mashtruese dhe politikat e tyre dhelparake dolën në shesh, të cilët sikur janë shuar nga frontet e tyre të kopjeve kobzeza, të pandërgjegjshme e të pa ndershme në drejtim të kryeministrit Kurti dhe ndaj vendimeve të qeverisë së tij, edhe pse vendimet e kësaj qeverie janë në favor të kauzave madhore, sikur ato në mbrojtje të territorit dhe shtetit, duke mos gjetur një mbështetje fare të vogël nga kjo opozitë «vetëmohuese» dhe shkatërruese.

Kjo opozitë nuk e kundërshton marrëveshjen me palën serbe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa i analizuar pasojat që mund ti ndodhin shtetit të Kosovës, me arsyen se liderët e tyre e nënshkruan një marrëveshje të tillë, dhe kjo opozitë, e cila kinse thirret në proamerikanizëm, ndërsa në anën tjetër po bashkëpunon me Listën serbe për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

Kësaj opozite nuk i intereson se do të zhgënjehet populli dhe shteti i këtij vendi me formimin e një Asociacioni me kompetenca të plota, nuk i intereson se ia dha Malit të Zi, afro 8200 hektar tokë gratis, nuk i intereson marrëveshja për Ujmanin, që ende është e paqartë deri më tani, por vetëm u intereson se si të zihet në ndonjë grackë kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, që të bien sa më shpejtë nga fronti i qeverisë dhe mos të ekzistojnë më në krye të saj”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat