Takimi Kurti-Vuçiq, grafitet serbe në veri dhe heshtja e opozitës / Kosova po ia sheh sherrin marrëveshjeve të Thaçit - E bllokoi FSK-në

Politika

Takimi Kurti-Vuçiq, grafitet serbe në veri dhe heshtja e opozitës / Kosova po ia sheh sherrin marrëveshjeve të Thaçit - E bllokoi FSK-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 gusht 2022 Në ora: 11:48
Foto nga takimi trepalësh

Takimi i djeshëm në Bruksel për dialog Kosovë-Serbi nuk dha asnjë rezultat, pasi Serbia refuzoi arritjen e marrëveshjeve substanciale, e shtyrë edhe nga mbështetja ruse.

Në ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet doli informacioni se ministri i Brendshëm i Serbisë Vulin do të pritet në Kremlin, për të diskutuar për procesin e bisedimeve me Kosovën.

Po ashtu gjatë kësaj kohe, presidenti i Serbisë Vuçiq, njoftoi se do të takohej me të gjithë përfaqësuesit politik deri tek udhëheqësit e shëndetësisë në komunat me shumicë serbe, në Beograd për të diskutuar me ta.

Këto dy informacione dhe një numër parullash, që u shkruan gjithandej në veri të Mitrovicës, “Mos u frikësoni ne jemi këtu, Brigada e veriut”, janë tregues të qartë për pozicionin e Serbisë në bisedime.

Serbia dëshiron më parë konflikt të armatosur se sa që të arrijë marrëveshje me Kosovën dhe njohjen e saj.

Ishte i habitshëm dje edhe reagimi i Borellit, i cili u soll jo vetëm pa hijshëm dhe në mënyrë jodiplomatike me Albin Kurtin, por u mundua që nëpërmjet një bisede me të, ta godiste qëndrimin e NATO-s, Sekretari i së cilës Stoltenberg një ditë më parë kishte premtuar se Aleanca do të ndërhynte nëse situata eskalon.

Përfaqësuesi i BE-së për Çështje Politike dhe Siguri Josep Borell, në fund të bisedimeve bëri një deklaratë sipas së cilës, deklaroi se nuk ishin "takime të zakonshme", por "takime për menaxhimin e krizës".

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi i historisë. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.

Ajo që ra në sy ishte edhe mos reagimi opozitar për këtë çështje.

Që kur nisi takimi, në veri të Mitrovicës qytetarët hasën në grafitet me mbishkrimet "Këtu jemi, mos u brengosni" dhe "Këtu jemi, po presim", të shkruara në emër të të ashtuquajturës “Brigada veriore”, të cilat janë vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës, të cilat kanë shqetësuar qytetarët e kësaj pjese pa dallim, duke ngjallur panik tek ta.

A mund të cilësohen të gjitha këto provokime nga ana e Serbisë, që mund të çojnë në zhvillime të papritura e dramatike në veri?

Qarri: KFOR-i duket se po e merr seriozisht situatën e krijuar në veri, ende nuk dihet për opozitën e inkriminuar edhe në këtë gjendje, se a janë me kë janë

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Hashim Thaçi e kishte bllokuar Kosovën që të vendosen trupat në veri dhe të merrej me banda kriminale, duke shtuar se tani bandat e Milan Radojçiqit, kanë filluar ta emërtojnë veten edhe si e ashtuquajtur "Brigadë e veriut", për të nxitur provokime të hapura.

“Mjerisht, për fatin e keq të popullit dhe shtetit të vogël të Kosovës, letra e kuislingut Hashim Thaçi dërguar Sekretarit të NATO-s, qysh më 19 prill të vitit 2013, e ka bllokuar Kosovën, e cila nuk po mundet që të vendosë trupat e ushtrisë së saj në veri dhe të merret vet me bandat kriminale serbe që tash e sa kohë, po veprojnë lirisht atje, kundër rendit e ligjit dhe shtetit tonë të ri.

Banda, të cilat sipas asaj që me 18 gusht, me urdhër të kriminelit Vuçiq dhe porosive nga Serbia fashiste, kanë "stampuar" kriminelët serb, në rrugët dhe muret e Mitrovicës veriore, pikërisht ditën kur po mbahet takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel, po dëshmojnë se nga sot, bandat e Milan Radojçiqit, kanë filluar ta emërtojnë veten edhe si e ashtuquajtura "Brigadë e veriut", për të nxitur provokime të hapura dhe për ta komplikuar gjendjen politike edhe më tepër në veri”, thotë ai.

Ai shton se, opozita e cila nuk ka bërë kurrfarë reagimi, janë në kor me Richard Grenellin dhe Serbinë.

Tutje, Qarri kritikon eksponentët e PDK-së, për të cilin thotë se ishin për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës.

Në anën tjetër përveç lojërave që edhe sot inskenoi Vuçiqi në Bruksel, herë duke dalë nga ndërtesa e BE-së, dhe deklaruar se nuk do të bisedojë me, e herë duke thënë se delegacioni serb do të qëndrojë në Bruksel, si dhe propagandës së formës më të egër pro-serbe që këshilltari i Vuçiqit, Richard Grenelli, në bashkëveprim me Serbinë hegjemoniste, bëjnë hapur kundër shtetit të Kosovës, deri më tani, në kor me ta, ka qëndruar edhe opozita e inkriminuar.

Madje propagandën më të madhe anti-qeveri dhe anti-shtet, e bënin edhe ndonjëri nga "gjeneralët" që deri dje mbahej si mbështetës i flakët i LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, ndërsa tani është bërë zëdhënësi më i zhurmshëm i partisë së kuislingut Thaçi dhe në vend se të vihet në mbrojtje të Kosovës, ai vetëm sa nuk ka dalë ta kërkojë publikisht dhe me "ferman" të PDK-së, ndarjen dhe copëtimin e saj.

Kështu që përveç letrës së Hashim Thaçit, ku ai kokë më vete dhe vetëm, me vullnetin e tij personal nënshkruante, që pa lejen e NATO-së, Ushtria e Kosovës, të mos guxoj të dal në veri të shtetit të vet, edhe qëndrimet e opozitës së inkriminuar, ka kohë që janë në sinkron të plotë me Aleksandër Vuçiqin, sikur të ishin nën komandën e tij dhe ushtarët e të të ashtuquajturës "brigada e veriut" të Milan Radojçiqit, duke i trimëruar tej mase bandat kriminale serbe, sa tani të na kërcënojnë edhe me veprime lufte, të organizuar në formacione ushtarake.

Ndaj ky provokim publik, është edhe një sinjal i hapur kërcënues i bandave kriminele serbe në veri, të cilat duan ta vejnë, sa më shumë nën presion, shtetin tonë të brishtë, ti "frikësojnë", serbët jo-lojal ndaj tyre, si dhe të krijojnë pasiguri për forcat e rendit e të sigurisë së Kosovës, me kinse gatishmërinë e tyre për konflikt të armatosur”, shprehet Qarri.

Më tej, thotë se KFOR-i po e merr seriozisht situatën në veri, sepse bandat kriminale serbe të Milan Radojçiqit & Co në veri po sillen njëjtë si bandat serbe të Millan Martiqit në Kroacinë e viteve 1994-95.

“Bandat kriminale serbe të Milan Radojçiqit & Co në veri po sillen njëjtë si bandat serbe të Millan Martiqit në Kroacinë e viteve 1994-95, nga serbët e rebeluar, të nxitur nga Millosheviqi dhe pasardhësi i tij krimineli Vuçiq, Shesheli etj, të cilët dështuan me turp, që në ofensivën e parë, të njohur në histori, si "Stuhia" e ushtrisë kroate e udhëhequr nga heroi i kombit kroat, gjenerali Ante Gotovina.

Dhe megjithëse KFOR-i duket se po e merr situatën e krijuar në veri, seriozisht, ende nuk dihet për opozitën e inkriminuar edhe në këtë gjendje, se a janë ata me Kosovën apo me “arushën”, e karpateve, dhe si i sheh ajo kërcënimet e bandave kriminale serbe në veri.

ndoshta opozita e çoroditur shqipfolëse, ende mendon, se as këto, që po ndodhin kohëve të fundit, nuk janë mjaftueshme e serioze, sa ta rrëzojnë Kurtin nga qeveria dhe të vijnë vet në pushtet, në kurriz të humbjes së territoreve të Kosovës, si veriun dhe pjesët më vitale të vendit tonë, pasi që ata edhe ashtu, gjithë karrierën politike dhe qëndrimin në pushtet e kanë siguruar, duke ua shitur vendeve fqinje, tokat e Kosovës.

përderisa bandat kriminale serbe, vazhdojnë me veprimet e tyre kërcënuese dhe propagandën e hapur antishtetërore me parullat e projektuara në Serbi, si “S’ka dorëzim!”, atje u pa sot edhe një mesazh i ri, me parullën: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu – Brigada e Veriut”!?, moment që vetëm KFOR-i, ka filluar ta marr seriozisht dhe ka shtuar edhe patrullimet duke reaguar me vendosjen e forcave të shtuara në atë pjesë të vendit tonë, që ka filluar para dy-tre ditësh”, nënvizon analisti.

Në fund, ai deklaron se, opozita jo vetëm që po heshtë, por po publikohen shkrime plot elegji për Thaçin dhe ata të cilët nënshkruan dhe votuan në parlament "zajednicën" për ti kënaqur dhe mbushur me gëzim.

“Por, përkundër të gjithave sa po ndodhin, madje megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, nga Brukseli ka ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova për të dielën, në një takim në Serbi, për ndarjen e ri copëtimin e Kosovës si dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, të cilën Ramë Buja e Vlora Çitaku e kërkojnë edhe sot publikisht”, përfundoi analisti Gani Qarri.

Shala: Prapa grafiteve qëndron krimineli i kërkuar Milan Radojçiq

Image
Drizan Shala

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Drizan Shala, shprehet se për shkak të dy vendimeve të qeverisë për reciprocitet të shtyra për 1 shtator që të zbatohen, Serbia nuk po e pranon dhe po krijon tensione.

Sipas tij, Serbia po tenton të përfitojë kohë sa më shumë për ta shtyrë këtë vendim të Kosovës.

“Në lidhje me masën e reciprocitetit që si rezultat kemi hasur një tension të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit nga Serbia dhe aparatura e saj shtetërore. Kjo ka shtyrë që qeveria të pezullojë për një muaj vendimin, por që nga 1 shtatori të vazhdojë që të implementohet. Kundër këtij vendi është pozicionuar qeveria e Beogradit, e cila po tenton me çdo kusht të përfitojë kohë që mos të zbatohet vendimi, por gjithashtu të ndryshojnë rrethanat gjeostrategjike ndërkombëtare që kjo pastaj të marr veprimin në terren”, thotë ai.

Shala parasheh se mund të ketë tensione nga grupet kriminale, kurse për grafitet thotë se prapa tyre qëndron krimineli Milan Radojçiq.

“Unë pres që Qeveria e Kosovës të vazhdoj të implementojë vendimin, ndërsa në anën tjetër të ketë ndoshta tensione vetëm nga grupet kriminale, por pa mbështetjen zyrtare siç ka ndodhur në të kaluarën nga Beogradi. Por, çdo gjë do të varet nga takimi që pritet të këtë Presidenti i Serbisë me përfaqësuesit serb ditën e diel në Beograd.

Sa i përket thirrjeve këto janë të gjitha thirrje, që mbrapa tyre qëndron krimineli i kërkuar Milan Radojçiq”, përmbylli Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat