Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë njoftuar të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Juristi Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” thotë se BE është treguar jo frytdhënëse në dialog, duke shtuar se edhe përfaqësuesit e BE-së, vijnë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovës shtet.
Tutje, deklaron se edhe përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë vijnë nga pozitë jo të qarta politike.
“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka rënë në një gjendje të vendnumërimit. Pala serbe kurrsesi të "kupton" se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim janë keqësuar edhe më shumë raportet ndërshtetërore. Serbia synon ndarjen e Kosovës ose krijimin e një shteti serb me asociscionin serb, që përmban pushtet ekzekutiv. Kosova mbështetet në parimin e të drejtës ndërkombëtare të reciprocitetit dhe të njohjes reciproke të shtetit. Këtu është mbetur gjendja.
UE është treguar jo frytdhënës në dialog. Përfaqësuesit e UE për dialog vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavaresinë e Kosovës. Mbi këtë nuk është ndërtuar një politik për zgjidhjen e çështjes. Ata u mbështetën gjoja në dialog, por ruajten çdo herë pozitën e Serbisë, duke lejuar veprime luftënxitëse të shtetit serb. Edhe përfaqësuesit e Francës dhe të Gjermanisë, z Emanuel Bonne dhe z.Jens Plötner, të caktuar për të ndihmuar dialogun, vijnë nga pozitë jo të qarta politike. Asnjëri nuk e mbështet dialogun nëpërmjet të cilës në qendër është njohja recioroke e shtetit. Tjetër është përfaqësuesi anglez dhe ai amerikan, të cilët e përkrahin dialogun, por në qendër e kanë njohjen reciproke”, shprehet juristi.
Ai për pjesëmarrjen e tyre e sheh si të dëmshme, duke spikatur atë të Francës, për mos ta lënë anash as Gjermaninë.
“Inkuadrimi në dialog i të dy përfaqësuesve tregon një gjendje të pa qartë në përfundim të dialogut. Tash i kemi të inkuadruar shtetet kryesore të perëndimit në dialog.
Kjo pjesëmarrje është e dëmshme. Sidomos, ajo franceze. Ndërsa, te Gjermania, edhe pse Berlini tregon deshirë për njohje reciproke, ky përfaqësues, z.Plötner, nuk është për njohje reciproke. Me këtë u hap porta që edhe Rusia të kërkon të merr pjesë në dialog me përfaqësuesin e vet. Kjo është e dëmshme.
Përfaqësuesi i Francës e kundërshton njohjen. Më qartë nuk është as ai gjerman. Të dy këta përfaqësues janë në pozitë të spanjollit, z Borell dhe të sllovakut, z.Lajçak. Kështu u keqësua dialogu”, shprehet Kelmendi.
Madje, ai alramon se ditë të rënda po vijnë për Kosovën, duke bërë thirrje që Kosova të kërkojë mëbshtetje vetëm te Amerika, sepse ata kanë qëndrimin e qartë ndaj dialogut.
“Për Kosovën po vijnë ditët më të rënda. Nuk u ndihmua kështu dialogu me këta dy përfaqësues. Ata e ndërlikuan edhe më shumë dialogun. Me këta përfaqësues u bë më realitet ndërtimi i asociacionit serb në Kosovë, e që edhe kompetencat do të zgjerohen. Kështu iu dha Serbisë mundësia të kërkon që edhe shteti rus të cakton një përfaqësues në dialog. Natyrisht se Kosova nuk mund t’i caktoj përfaqësuesit e UE dhe të shteteve vendimmarrëse në union.
Kosova kërkohet të mbështet kryesisht të Uashingtoni. Nga atje kemi qëndrim të qartë. Dialog pa njohje të shtetit nuk duhet të ketë. Qendra e tërë dialogut kërkohet të mbetet njohja reciproke. Kosova nuk ka të drejtë të diskutojë me shtetin serb organizimin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Kjo është e drejtë e vet shtetit të Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.
Kujtojmë, se më 9 shtator të dy këshilltarët të shoqëruar nga ndrëmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.