Tentim-atentati ndaj kryeministrit Kurti/ Ekspertët e sigurisë kanë një paralajmërim - Skenari që po përgatit Serbia!

Politika

Tentim-atentati ndaj kryeministrit Kurti/ Ekspertët e sigurisë kanë një paralajmërim - Skenari që po përgatit Serbia!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 shtator 2022 Në ora: 20:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë ditës së djeshme media A2 ka raportuar se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, deputetit të PDK-së Xhavit Haliti dhe ish-komandantit të UÇK-së Ismet Haxhës. Zyra e kryeministrit Kurti ka konfirmuar se për atentatin e planifikuar ndaj tij, kryeministri Kurti ishte informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Gjithsesi, zyra e kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Sipas ZKM-së, “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.

Përveç paralajmërimeve për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, dhe deputetit Xhavit Haliti, në listë për t’u vrarë ishte edhe Ismet Haxha.

Ai ka thënë se ishte njoftuar nga Policia e Kosovës, por edhe nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës, se jeta e tij ishte në rrezik.

“Para 6 muajsh më patën treguar policia dhe shërbimi informative”, ka thënë Haxha në një deklaratë.

Në një dokument të bërë publik të hënën nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano, theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj figurave të përmendura më lartë.

Sipas këtij raportimi i dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Shala: Situata të tilla ka patur edhe në të kaluarën sa i përket rrezikshmërisë për bartësit e institucioneve në Kosovë

Image
Drizan Shala

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se kjo ngjarje që është bërë publike tregon që Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm për shkëmbimin e informacioneve që rrezikohet siguria e dy vendeve.

“Ngjarja e cila tani është bërë publike në lidhje me një sulm drejtuar kreut të qeverisë së Kosovës po e dëshmon faktin që institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në shkëmbimin e informacioneve relevante që në mënyrë të drejtpërdrejt rrezikohet siguria nacionale e të dyja vendeve”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë më tej, thotë që këso lloj situatash ka pasur edhe në të kaluarën.

“Situata të tilla ka patur edhe në të kaluarën sa i përket rrezikshmërisë për bartësit e institucioneve në Kosovë dhe një reagim aq i shpejtë duke krijuar kushte preventive për sigurinë e personit në fjalë”, shton eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai thotë që institucionet e sigurisë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të vazhdojnë një thellim më të gjerë të një bashkëpunimi duke krijuar pse jo edhe një mekanizëm kombëtar për siguri.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Shqipëri duhet të vazhdojnë një thellim më të gjerë të një bashkëpunimi duke krijuar pse jo edhe një mekanizëm kombëtar për siguri ku institucionet si Policia e Inteligjenca e të dyja vendeve do të mund të bashkëveprojnë edhe më shpejt dhe efikas në neutralizimin e rrezikut në të dyja vendet”, nënvizoi Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Serbia, dëshiron t’i arrijë qëllimet në këto bisedime, edhe mund të ndodhë që të planifikojnë ndonjë akt terrorist

Image
Hajrullah Tërnava

 

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që çështja e sigurisë të qytetarëve në një shtet, varet nga shërbimet profesionale të sigurisë, sikur që janë Ushtria (FSK), Policia dhe AKI-ja, dhe shërbimeve tjera institucionale që janë në shërbim të popullit

“Çështja e sigurisë të qytetarëve në një shtet, varet nga shërbimet profesionale të sigurisë, sikur që janë Ushtria (FSK), Policia dhe AKI-ja, dhe shërbime tjera institucionale që janë në shërbim të popullit. E kur ato shërbime janë të stërvitura mirë, dhe me kompetencat që ua mundëson ligji, e jetësojnë Kushtetutën e shtetit dhe ligjet e saj në fuqi, e që janë në hap me kohën dhe që janë në shërbim të popullit, duke i zbuluar veprat kriminale që ende nuk janë të kryera, por që janë në plan me u krye, prandaj këto shërbime kur nga intuita dhe angazhimi i tyre i zbulojnë ato vepra terroriste që janë në plane me u krye, i parandalojnë ato vepra. Atëherë nënkuptohet se shteti i ynë i ka shërbimet e perfeksionuara dhe të afta në shërbim të popullit”, potencon ai.

Eksperti më tej, shprehet se të dyshuarit për këto atentate janë të njohur për akte terroriste dhe duhet pasur kujdes.

“Në një dokument të publikuar këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar në vitin 2021, Gledis Nano, dhe si i dyshuar për këtë akt terrorist ishte Prek Kodra, e që ata që merren me këto vepra terroriste, e sidomos kur bëhet fjalë për përgatitjen e akteve terroriste ndaj burrështetasve shtetërore sikur në këtë rast ndaj kryeministrit Kurti, dhe të tjerëve, deputetit Xhavit Haliti, anëtar i kryesisë së PDK-së, dhe ish-anëtari i SHIK-ut Ismet Haxhaj dhe pjesëtar i UÇK-së”, shprehet eksperti i sigurisë.

Megjithatë Tërnava shton që kur shërbimet sekrete i zbulojnë ato plane terroriste të shërbimeve të huaja informative, në praktikë gjithçka merr fund për realizimin e tyre, sepse dekonspirimi i atyre veprave i kontribuon ngritjes së nivelit të mbrojtjes nga ato vepra terroriste.

“Në këto situata të trazuara dhe të komplikuara kur po udhëheqin bisedimet për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, e kur shërbime sekrete të huaja janë të involvuara në këto aktivitete, pala e pakënaqur në këto bisedime e që është Serbia, dëshiron me i arrit qëllimet e saja në këto bisedime, edhe mund të ndodhë që të planifikojnë ndonjë akt terrorist apo çrregullime-trazira për t’i arritur qëllimet e tyre, të politikave për të cilat janë të angazhuar që t’i arrijnë. Megjithatë kur shërbimet sekrete i zbulojnë ato plane terroriste të shërbimeve të huaja informative, në praktikë gjithçka merr fund për realizimin e tyre, sepse dekonspirimi i atyre veprave i kontribuon ngritjes së nivelit të mbrojtjes nga ato vepra terroriste. Megjithatë duhet që shërbimet tona sekrete të jenë vigjilente dhe të jenë aktive në zbulimin e rasteve të tilla, dhe të jenë të pranishme gjithandej, sepse në këto rrethana preventiva luan rolin e vet të posaçëm kundër akteve terroriste, sikur që po përfolen për planet terroriste ndaj udhëheqësve tonë”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat