Nga rrënimi në dyfishim/ Publicisti nga Gjermania tregon se kush e garanton ngritjen dhe të ardhmen e LDK-së- ka një porosi për Abdixhikun

Politika

Nga rrënimi në dyfishim/ Publicisti nga Gjermania tregon se kush e garanton ngritjen dhe të ardhmen e LDK-së- ka një porosi për Abdixhikun

Nga: M.L. Më: 26 shtator 2022 Në ora: 21:26
Konventa programore e LDK-së në Gjilan

Veprimtari politik dhe publicisti nga Gjermania Idriz Zeqiraj, e konsideron si të mirë gjendjen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut në krye të saj.

Në një bashkëbisedim me gazetën “Bota Sot”. Zeqiraj ka përmendur një kronologji ngjarjesh të cilat e sollën LDK-në, në gjendjen në të cilën është sot.

Image
Idriz Zeqiraj

“I. Me shuarjen fizike të kryetarit Rugova, orekset për ta trashëguar atë, u shpërfaqën, gjithnjë e më shumë, duke kulmuar në Kuvendin e 6-të Zgjedhor, siç ka hyrë në mbamendje "Kuvendi i karrigeve"! Përgatitja për atë Kuvend, ishte kopjim i largët, por, vështirë i aplikueshëm, për një shoqëri provinciale dhe lehtas e manipulueshme.
 

Për rrjedhojë, LDK-ja, tashmë, e klanuar, delegatët e saj me votë të zbuluar dhe të paracaktuar, për kandidatin e preferuar, edhe pse me votë të fshehtë, votimi ishte formal. Për herë të parë, degët e LDK-së në rrethe, bënë pazare të pista, por, tradhtuan në kuti. Të mundurit me votë, nuk e pranuan humbjen, por, as të fituarit nuk arritën ta menaxhojnë fitoren, edhe pse oferta ishte në tavolinë, nga e cila varej shmangia e ndarjes të partisë. Tashmë, kandidatët e shkolluar bollshëm, për karrierizmin e tyre, dëmtuan, pakthyeshëm LDK-në, por edhe veten e tyre, sepse anëtarësia kurrë nuk i amnistoi, pavarësisht nga përmasa e fajësisë të garueseve, në atë Kuvend zhgënjyes”, ka thënë Zeqiraj.


Zeqiraj thekson se, katapultimin e profesor Isa Mustafës, në krye të LDK-së, në Kuvendin e 7-të Zgjedhor, ish-kryetari Fatmir Sejdiu ia faturon kalkulimeve të PDK-së me SHIK-un e saj.

Ai ngulmon se "kemi fotografuar njerëzit e SHIK-ut, duke afishuar slogane", si ato se "do ta kallim Selinë e LDK-së, nëse nuk zgjidhet Isa Mustafa kryetar i LDK-së" dhe tjera të ngjashme. Rrjedhat kohore, aleanca e gjithmonshme me PDK-në, nënshkrimet dhe ratifikimet e marrëveshjeve fatale për Kosovën, në Parlament dhe deri te zgjedhja banditeske e Hashimit president, janë të mjaftueshme, për të mos dyshuar në vërtetësinë e konstatimit të profesor Sejdiut.

"Do ta krijojmë një LDK të re, një Lidhje", - deklaroi kryetari i sapo zgjedhur Mustafa! Dhe, vërtet, e mbajti fjalën. Ajo që bëri përshtypje ishte se grupi që e rrethonte Sejdiun, po ata e rrethuan fort Mustafën, kundër Sejdiut. Kështu shefi i ri i partisë ndjehej më i fortë dhe riktheu metodat moniste në drejtim të LDK-së, duke shpërfillur praktikat e koduara rugoviste, që nga shuarja e aktiveve, deri ke votimi aklamativ, për të gjitha strukturat e partisë. Për të gjitha këto veprime, të cilat do të rezultonin rrënuese për LDK-në, kishte aprovimin e një rrethi vicioz dhe heshtjen e kuadrove të tjerë”, është shprehur ai.


Zeqiraj ka përmendur edhe Kuvendin e tetë zgjedhor të LDK-së, që solli Isa Mustafën në krye të saj, ndërsa ka rikujtuar se në këtë Kuvend nuk u lejuan të hyjnë 6 delegatë nga dega e Gjermanisë.

“Kuvendi i 8-të Zgjedhor i LDK-së, shpërfaqi mujshinë dhe rrugaçërinë, njëherësh, të kryetarit dhe të rrethit vicioz të tij, tashmë i konsoliduar, si klani Mustafa. Nga 9 (nëntë) delegatët e Degës së LDK-së, në Gjermani, 6 syresh kishin prind, vëlla, nipa të vrarë nga bandat e "komandantëve" të PAN-it, të cilët nuk u lejuan të hynë në sallën kuvendore. Arsyetimi ishte sa i rrejshëm, aq edhe cinik, se, gjoja, "Dega e LDK-së në Gjermani e Zvicër, nuk kanë bërë Kuvende zgjedhore valide!" Ndërkohë që, pikërisht, këto dy Degë kishin bërë Kuvende zgjedhore demokratike, si askund tjetër në Kosovë dhe Mërgatë. Bllokimi i i delegatëve të këtyre dy Degëve, kishte vetëm një arsye: Delegatët në fjalë refuzonin çfarëdo votimi aklamativ, të hapur. Kërkonin votim të fshehtë në kutinë e votimit.

Si delegat i 4 (katër) Kuvendeve Zgjedhore kam parë formalitetin aklamativ, fiktiv të votimit. Në tre sish, kam denoncuar, në sallën e Kuvendit, këtë falsicitet, me thirrjen, deri në çjerrje, të bërë delegatëve, për ta refuzuar aklamacionin jo statutar. Mua edhe më duartrokisnin, por votonin Isa Mustafën! Në Kuvendin e 9-të kishin premtuar të votonin në kuti, por mashtruan delegatët, vazhduan me aklamacionin. Akademik Sabri Hamiti reagoi, me refuzim që të jetë në strukturat e partisë. Ky veprim ishte një sinjal serioz, për të mos vazhduar me hile e dallavere. Andaj, e konsiderova si mëlmesë e një kundërshtie akademike”, ka potencuar Zeqiraj.

Sipas tij, nëse do të bëheshin zgjedhje demokratike, me votim të fshehtë, Isa Mustafës, me klanin e tij, nuk do t`i vazhdohej mandati i dytë dhe as i tretë.

E bëra këtë parantezë, me qëllim të të kuptuarit drejt, se "peshku qelbet në kokë" dhe ndryshimi jo vetëm që ishte i domosdoshëm, por edhe skajshëm i vonuar”, nënvizoi ai.

Kështu sipas Zeqirajt, “zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ishin një kambanë alarmi, për LDK-në e rrënuar nga profesor Isa Mustafa dhe klani i tij”.

“Ai foli dhe veproi, përtej dekadës, në emër të LDK-së, duke mos përfillur popullin, elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje, as edhe Kryesinë e LDK-së! Më shumë 100 mijë anëtarë të LDK-së, refuzuan me votë udhëheqjen klanore, si ndëshkim për lidhjet konspirative dhe bashkëpunimin, hiç parimor, me PDK-në, të cilën e mbajti në pushtet, për afro dy dekada, duke u bërë bisht e patericë e saj”, potencoi ai.

Publicisti ka thënë se Kuvendi i 10-të i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, bëri ndryshimin në kreun e LDK-së dhe Kryesinë e saj, ndërsa në Këshillin e Përgjithshëm u bënë vetëm disa retushime.

Zgjedhja e kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si shpresë për ndryshim dhe reforma, u mirëprit nga shumica absolute e anëtarësisë dhe e elektoratit. Kjo u dëshmua me zgjedhjet e radhës lokale, me ç ‘rast u kthyen në shtëpinë e tyre të parë partiake, tej 100 mijë anëtarë.

Bazuar në dyfishimin e anëtarësisë të LDK-së, në harkun kohor prej 7 muajsh, nga zgjedhjet e shkurtit, gjendja në parti duhet konsideruar e shkëlqyer, me udhëheqjen e re të saj. Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Disa kuadro shumëvjeçarë, të cilët, dikur punuan paarsyeshëm, por me kalimin e kohës u burokratizuan, humbën integritetin e tyre, besa, edhe personalitetin, duke u bërë servilë të kryetarit Isë dhe argatë të partisë-bandë PDK-së, duke bërë koalicion pas koalicioni me atë, përkundër vullnetit, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të popullit të Kosovës”, shtoi ai.

Për Idriz Zeqirajn, katandisja e LDK-së, dikur prijëtare e krenare, rënia në nivelin më të ulët së kurrë më parë, kishte emër dhe mbiemër.

“Andaj, nuk mund të vazhdohej më me heshtjen bizare, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndryshimi i kësaj gjendjeje mjerane, ishte domosdo e kohës dhe duhej pranuar e duartrokitur nga të gjithë, përfshi këtu edhe nga ata , të cilët, meritueshëm, mbetën jashtë Kryesisë Qendrore. Dhe, asnjë ndëshkim tjetër, për fajësinë faktike të bërë, abuzimin me partinë e kryetarit Rugova, sjelljen deri në prag të shuarjes.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe pse atakohet, sulmohet dhe fyhet pa të drejtë, ai ua ka shtrirë dorën të gjithëve, pa përjashtim, që nga kuadrot e djeshëm dhe të sotëm e deri ke anëtarët e thjeshtë të partisë. Gjendja e përgjithshme aktuale në LDK është e mirë. Kryetari, Kryesia dhe veprimtarët e partisë janë të mobilizuar për veprime të pritshme.

Perspektiva, ngritja, e ardhmja e LDK-së, është e garantuar, nëse kryetari Lumir Abdixhiku, me shokë të udhëheqjes së re, i deklaron të gabuara dhe të fajësuara, veprimet numerike nga shefat pararendës partiakë, duke risjellur mënyrën klasike-rugoviste, të drejtimit të LDK-së. Aktualisht, zërat e shumëzuar, që flasin në emër të partisë, duke bërë një kakofoni ç akorduese, duhet disiplinuar. Dhe, në vend të zërave anarkistë dhe të paautorizuar, një zëdhënës me përgatitjen përkatëse, është fort i nevojshëm”, ka përfunduar Zeqiraj, në pjesën e parë të bashkëbisedimit me gazetën “Bota sot”.


 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat