“As Gjermania, as Franca”, zbulohet ku u shkrua projekti i ri për dialogun Kosovë-Serbi: E mori ky politikan shqiptar!

Politika

“As Gjermania, as Franca”, zbulohet ku u shkrua projekti i ri për dialogun Kosovë-Serbi: E mori ky politikan shqiptar!

Nga: A.ZH. Më: 27 shtator 2022 Në ora: 08:06
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Njohësi i çështjeve politike dhe profesori universitar Enver Bytyçi, ka komentuar dokumentin e publikuar së fundmi nga mediat në Kosovë, që thuhet se është paraqitur në kornizën e re për marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij plani, marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në vitin 2023, derisa hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë.

Bytyçi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me “non-paper-in” e publikuar nga portali i Baton Haxhiut, Kosova u lejon autonomi më të madhe serbëve në Kosovë, në këmbim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe integrimit të BE e NATO.

Ju më pyesni për një projekt, ose non paper, i cili është botuar në portalina Albanien Post në Shqipëri, e që na thotë se marrëveshja e radhës midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një marrëveshje e dytë, e ndërmjetme, që “do të çojë në marrëveshjen përfundimtare pas dhjetë vitesh. Sipas kësaj Non-Paper të Baton Haxhiut, Kosova jep konsensusin e saj për një autonomi më të madhe të serbëve në Kosovë, po ashtu për kishat e manastiret, dhe në këmbim të kësaj fiton të drejtën të pranohet në organizatat ndërkombëtare dhe fillon procesin e integrimit në BE e NATO. Ndërsa, njohja e Kosovës do të ndodhë, thotë portal i Batonit, pas dhjetë vitesh. Madje ai shkruan se nëse njëra palë nuk e pranon këtë version, do të izolohet”, është shprehur profesori.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, të njëjtën gjë që thuhet në dokumentin e publikuar nga portali i Haxhiut, e kanë thënë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalimet e tyre në OKB.

Të njëjtën gjë tha në Nju Jork, gjatë fjalimit të tij në OKB edhe Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, Edi Rama tha një ditë më parë në një intervistë se njohja e pendesa serbe duhet të ndodhin në fund të procesit, jo sot. Dmth duhet të ndodhin pas dhjetë vitesh. Vuçiq në fjalën e tij në OKB, tha se më mirë 100 vjet bisedime, se sa një ditë luftë! Me një fjalë, formuloi projektin e Serbisë për të fituar kohë dhe bëri thirrje që njohjen e Kosovës t’ia lëmë një kohe tjetër, të përcaktuar fillimisht me dhjetë vite, por pas kësaj “shohim e bëjmë”!”, ka nënvizuar Bytyçi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, më tej zbulon edhe mashtrimin e këtij dokumenti. Ai thekson se projekti nuk është i Gjermanisë apo Francës, por ai është shkruar në Beograd dhe të njëjtin e ka marrë Edi Rama.

Mashtrimi i Non Paper zbulohet në pikën kur thotë se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kosovën do ta njohin pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur atë. Por, nuk përcaktohet mekanizmi si do të ndodhë kjo! Kush mund t’i detyrojë ato ta njohin Kosovën? Njohja është akt juridik nacional dhe jo i bashkësisë europiane. Cili ligj europian i detyron këto vende ta bëjnë këtë? Prandaj, mendoj se projekti i publikuar nuk është i vërtetë. Nuk është i BE-së, as i Gjermaniës dhe Francës. Gjermania dhe BE e përgenjështruan ekzistencën e tij. Vuçiq tha se “më kanë lënë një projekt, por nuk e kam lexuar, duke mos pranuar ta konfirmojë atë plotësisht dhe duke krijuar një alibi për ta besuar se non-paper-i i Baton Stanishiqit ekziston. Në fakt projekti është shkruar në Beograd. E ka marrë Edi Rama”, ka deklaruar Enver Bytyçi.

Profesori ka akuzuar më tej gazetarin Haxhiu, se është bërë “vegël e servisit të Beogradit”, derisa për kryeministrin Rama ka thënë se ai ia dëshmoi edhe një herë besnikërinë “mikut të tij në Beograd”.

Presidenti i Serbisë i ka kërkuar kryeministrit të Shqipërisë që këtë projekt ta publikojë një media shqiptare. Pastaj është thirrur Batoni. Ky është vegla e servisit të Beogradit. Qëllimi është që dikush në BE e SHBA ta marrë mesazhin se çfarë projekti do ta pranonte presidenti Aleksandar Vuçiq. Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me këtë akt i ka dhënë edhe një herë mikut të tij në Beograd besnikërinë e tij në dobi të zgjidhjeve të Serbisë e kundër Kosovës”, ka thënë Bytyçi.

Si qëllim të dytë të publikimit të dokumentit, ai e vlerëson testimin e opinionit publik, për ta nxitur qeverinë e Albin Kurtit, që ta pranojë të njëjtin.

Ndërkohë, si qëllim i dytë është testimi i opinionit publik. Çfarë thonë njerëzit? Cfarë thotë media?! Çfarë mendojnë politikanët shqiptarë?! Madje është pritur që të thyhet uniteti dhe bashkëpunimi i politikës shqiptare, sidomos në Kosovë. Pra, që dikush nga subjektet politike e politika të thonë “Okay, projekti është i pranueshëm. Kosova duhet të japë dicka dhe le të japë një autonomi për serbët në Kosovë. Pastaj të besojnë se Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, se atë do ta njohin shtetet e BE-së e të NATO-s e tjera si këto. Për ta nxit qeverinë e zotit Kurti që ta pranojë atë. Në fakt është krejt ndryshe. Kosova bëri lëshimin e saj me pakon e Ahtisaarit, pikërisht me kërkesën që Serbia ta njohë atë. Pastaj nënshkroi në vitin 2013 marrëveshjen e normalizimit me idenë për njohje. Madje zoti Thaçi atëherë thoshte me krenari se “Serbia de facto e njohu Kosovën”!”, ka thënë profesori.

Gjermania ka demantuar pretendimet se qëndron këtij dokumenti katërfaqësh të ashtquajtuar “korniza e re”, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar se ka pasur në duart e tij një dokument (kornizë e re) për dialogun me Kosovën. Ai ka thënë se dokumenti i kishte ardhur nga këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka dashur të komentojë “Kornizën e re” të dialogut, duke e cilësuar si dokument pa autor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat