Çfarë po ndodh me PDK-në, përplasje, pakënaqësi… - a po ndahen në heshtje grupet e komandantëve dhe ‘civile’!

Politika

Çfarë po ndodh me PDK-në, përplasje, pakënaqësi… - a po ndahen në heshtje grupet e komandantëve dhe ‘civile’!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 shtator 2022 Në ora: 07:46
PDK

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar të përçahet. Situata brenda kësaj partie politike, nuk duket të jetë edhe aq e mirë.

Fillimisht, ditë më parë ishte Ramë Buja ai që dha dorëheqje nga anëtarësia e kryesisë së kësaj partie, dukeshprehur pakënaqësi, kryesisht ndaj liderit të saj, përkatësisht vendimeve.

Kjo ishte hera e dytë që Buja jep dorëheqje nga kryesia e PDK-së.

Të njëjtin veprim e kishte ndërmarrë edhe para pesë vitesh.

Burime brenda PDK-së kanë treguar se arsyeja pse Buja vendosi të dorëhiqet nga Kryesia është bërë dega e Lipjanit ku ka filluar një iniciativë e aktivistëve të PDK-së, që po e mbështesin deputetin Rashit Qalaj për ta marrë në udhëheqje këtë degë.

Kurse, vetëm disa ditë më pas, deputetja Ganimete Musliu ‘shpërtheu’ me kritika ndaj udhëheqësve të kësaj partie, pas mbajtjes së Konventës së gruas.

Kjo pasi, Musliu nuk e pa të arsyeshme të bëhet pjesë e një Konvente ku nuk përmenden ish-themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Analistët politikë komentuan përplasjet dhe mospajtimet brenda PDK-së dhe treguan arsyet se pse po ndodhin ato.

Zogaj: Memli Krasniqi e ka zënë kreun e PDK-së jo rastësisht!

Opinionisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” i konsideroi si normale përçarjet dhe mospajtimet brenda PDK-së.

Image
Skënder Zogaj

Ai thotë se jo të gjithë brenda partisë i gëzojnë ato që mendojnë se i meritojnë dhe për këtë shkak shpërthejnë pakënaqësitë.

Të gjitha partitë politike në çdo etapë kanë brenda tyre mospajtime dhe kjo është krejtësisht normale, sepse, jo të gjithë brenda partisë i gëzojnë ato që mendojnë se i meritojnë dhe, në raste të këtilla domosdo që nuk do të pajtohen dhe në rastin e volitshëm edhe do ta shfaqin mospajtimin e tyre. E them këtë duke u bazuar me partinë time, LDK-në, brenda së cilës ka pasur të pakënaqur edhe në periudhat më të bukura partiake”, deklaroi opinionisti.

Sipas Zogajt, me arrestimin e Thaçit dhe Veselit PDK-ja pësoi një tronditje të madhe, ku iu dha mundësia e fuqizimit partiak, ku në këtë rast përfitoië Memli Krasniqi.

Krahas kësaj, ai shton se kjo parti duhet të reagojë sa më shpejt dhe të përcaktohet se si do të vazhdojë më tutje.

Prandaj, është fare e thjeshtë që pakënaqësi të ketë brenda PDK-së, sepse, kjo parti ka pësuar tronditjen e madhe me largimin e dy liderëve kryesor, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mungesa e të cilëve e ka destabilizuar rëndë PDK-në, dhe u ka krijuar mundësi apetiteve për fuqizim partiak. Memli Krasniqi e ka zënë kreun jo rastësisht, dhe, ka qenë zgjidhje shumë e mirë, por jo nga më të merituarat, kur kemi parasysh disa nga figurat themeluese të partisë dhe forca organizative e saj. Të këtillët që janë shumë meritorë, arsyeshëm mund të mos pajtohen me amullinë aktuale, e cila nuk mund të zgjas kështu shumë, sepse, është e qartë që PDK-ja duhet ta "kapërcej ylberin" dhe të përcaktohet çka dëshiron më tutje”, theksoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti thotë se detyra kryesore dhe më e rëndësishme e Krasniqit është spastrimi i partisë së tij nga njerëzit që në të kaluarën kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe të lidhur me krimin.

Memli Krasniqi derisa e ka pranuar detyrën e ka obligim që edhe ta udhëheq si mendon se është më së miri! Këtë qëndrim e ka treguar që nga marrja e detyrës, por, nuk ka më kohë të pres, sepse, mund ta rrezikoj shumë partinë. Dhe, kryesorja që duhet ta bëjë është spastrimi definitiv me gjithçka që dyshohet se është i lidhur me krimin. Kjo është jetike! Nuk jam mirë i informuar për forcat dhe fraksionet e brendshme, por them se pikëpamjet e rinisë së PDK-së janë tjera nga të deritashmet! Edhe figurat e mëdha që janë afirmuar me rezultate personale të dukshme dhe që posedojnë njohuri dhe përvojë të mirëfilltë, jam i bindur se e duan një profilizim më të mirë që do t'ua ngushtonte hapësirën "parazitëve" përfitues të deritashëm. Sa do ta thelloj këtë shteg Memli është vështirë të themi, porse nuk e ka lehtë, kjo është e sigurtë”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: PDK po ndahet në heshtje!

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti deklaroi se Memli Krasniqi posa është zgjedhur kryetar i partisë, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, më të irrituarit me kreun e PDK-së janë garda e vjetër, Xhavit Haliti, Sami Lushtaku, Ganimete Musliu etj.

“Ardhja e Memli Krasniqit në PDK ka prodhuar pakënaqësi qysh në ardhjen e tij. Këto pakënaqësi janë të pritshme kur dihet se ardhja e tij s’ka të bëjë me ndonjë kontribut të madh, apo ndonjë arritje për punën e tij si ish-ministër apo shef i grupit parlamentar të PDK-së. Garda e vjetër e PDK-së në krye me Xhavit Halitin, Sami Lushtakun, nuk janë të kënaqur me Memlin, të cilit së fundi i doli kundër edhe Ganimet Musliu si dhe dorëheqja e Ramë Bujës”, theksoi analisti.

Ai shtoi se kjo parti po ndahet në heshtje, dhe se Krasniqi nuk po i largon ata që janë të lidhur me krimin, por ata që nuk janë servilë ndaj tij.

“Ka qenë e pritshme që të ketë largime, vlerësoj se PDK-ja po ndahet në heshtje, s’po ndahet për parime, por për interesa. Memli s’po i largon ata që fliten për korrupsion, po i detyron të largohen ata që nuk janë servil të tij, e tërë gjendja në PDK ngjan me një film horror ku secili tenton ta “vras” politikisht tjetrin. Fundi dihet, rënie edhe më e madhe për PDK-në, e cila po mbledh kusuret si parti që ka infiltruar njerëz në ndarjen e LDK-së sikur edhe të VV-së”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat