FSK-ja do të ndërhyjë me KFOR-in nëse rrezikohet veriu nga Serbia / Flasin nga KFOR-i, a ishte FSK-ja e pranishme në veri?

Politika

FSK-ja do të ndërhyjë me KFOR-in nëse rrezikohet veriu nga Serbia / Flasin nga KFOR-i, a ishte FSK-ja e pranishme në veri?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 shtator 2022 Në ora: 07:55
FSK

Lista serbe ka guxuar, që me fjalët më fyese, më akuzuese, kundër sovranitet dhe integritetit të Kosovës të lëshojë një deklaratë, për kinse shkelje të një marrëveshje të vitit 2013.

Por, pavarësisht asaj marrëveshje, analistët besojnë se FSK-ja është forcë e krijuar për të mbrojtur interesat strategjike të vendit, dhe jo për të ndjekur dëshirat e një partiçke serbe, siç është Lista, e kontrolluar plotësisht nga Beogradi dhe grupet mafioze.

Lista serbe e ka akuzuar kryeministrin Kurti për shkelje të marrëveshjes së 2013-ës, e cila ia ndalon FSK-së të jetë prezente në veri pa lejen e KFOR-it.

“Inkursioni i paligjshëm i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në territorin e komunës së Zubin Potokut. Është shkelje e rëndë e marrëveshjes së vitit 2013, e cila garantohet nga NATO dhe e cila garanton se asnjë formacion i armatosur i Prishtinës nuk mund të pushtojnë komunat serbe në veri pa miratimin e kryetarëve të këtyre komunave dhe komandantit të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe. Me insinuata dhe shpifje e denigruese për realitetin në Kosovë.

Si mund të bëjë FSK-ja inkursion në atdheun dhe në shtetin e saj, edhe nëse është stërvitur në veri të Kosovës. Pavarësisht që Hashim Thaçi e ka nënshkruar një marrëveshje të vullnetit, që FSK-ja, të mos dal në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, Kushtetuta e Kosovës e obligon atë, që ta ruajë dhe mbrojë sovranitetin e vendit.

KFOR-i: Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë të fundit nga FSK-ja në lidhje me këtë

 

Lidhur me këtë ҫështje, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar zyrtarë të KFOR-it nëse është e vërtetë ajo ҫka kanë deklaruar deputetët serbë. Në përgjigjen dhënë për gazetën, zyrtarë të KFOR-it, thonë se, ata nuk kanë pranuar asnjë kërkesë në lidhje me këtë.

“Sipas marrëveshjeve ekzistuese, vendosja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. KFOR-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë të fundit nga FSK-ja në lidhje me këtë”, thuhet në këtë përgjigje.

Tutje, nga KFOR-i thonë se misioni i tyre mbetet në zbatimin e mandatit të tij, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesor, përfshirë përfaqësuesit e Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe Shefin e Mbrojtjes së Serbisë”, thonë zyrtarë të KFOR-it për ‘Bota sot’.

Ndonëse marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013, parasheh këtë kufizim të FSK-së për të qëndruar në veri, a duhet që vet NATO-ja, t'ia heq atë kufizim FSK-së, të cilën e ka aleate edhe në misione jashtë Kosovës, që ajo të ndihmojë në krijimin e sigurisë në veri?

Burjani: Nëse rrezikohet Kosova nga Serbia, FSK-ja dhe KFOR-i mund të ndërhyjnë së bashku

Image
Njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani

Lidhur me këtë, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se, deri më tani nuk ka pasur shkak që FSK-ja të ndërhyjë në veri, pasi KFOR-i është aty. Megjithatë, FSK-ja mund të ndërhyj së bashku me KFOR-in nëse rrezikohet Kosova nga Serbia.

“Po, fakt NATO ka marrëveshje me FSK-në që mos të ndërhyjë në veri, përveҫ policisë. Mendoj që është e mjaftueshme në rast se ka nevojë të ndërhyj në veri, pra policia speciale dhe e rregullt është e mjaftueshme, po nëse ka nevoje KFOR-i është aty, pra deri më tash nuk ka pas nevojë të ndërhyjë, FSK është forcë ushtarake, ajo mund të ndërhyj së bashku me KFOR-in nëse rrezikohet Kosova nga Serbia. Në rastet e tilla KFOR-i është i gatshëm të përgjigjet forcë me forcë, pra tash Serbia le të mendohet. E keqja më e madhe është se Serbia nuk do marrëveshje përfundimtare, por mban status quo, pa zgjidhje dhe e lenë gjendjen e konfliktit”, thotë Burjani.

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti nuk e cilëson këtë si shkelje të marrëveshjes, pasi nuk ka asgjë që e ndalon FSK-në të ushtroj veprimtarinë e saj në tërë Kosovën.

Mehmeti: S’ka asnjë shkelje të marrëveshjes

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“S’ka asnjë shkelje të marrëveshjes, sepse s’ka asgjë që e ndalon FSK-në të ushtrojë veprimtarinë e saj në tërë territorin e vendit. FSK-ja është e dal nga Kushtetuta, e cila është garante e sovranitetit të vendit, në këtë kuptim ҫdo gjë është në përputhje me kushtetutën e vendit”, vlerëson ai.

Sipas Mehmetit, akuzat e Listë Serbe janë për konsum të brendshëm tek vetë serbët, jo që ka ndonjë peshë.

“KFOR-i dhe FSK-ja janë aleatë edhe në misione jashtë vendit, s’ka si mos të jenë brenda Kosovës. Deri tani Lista Serbe ka qenë e përkëdhelur nga Hashimi e Ramushi, me Albinin iu ka has sharra në gozhdë. FSK-ja është e Kosovës dhe kudo në Kosovë ka të drejtë të jetë prezente, këtë ia garanton Kushtetuta, e jo Lista Serbe”, vlerëson Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat