Ende asnjë kryeministër, ministër apo deputet i arrestuar për krim e korrupsion / Juristët flasin për krimin në Kosovë

Politika

Ende asnjë kryeministër, ministër apo deputet i arrestuar për krim e korrupsion / Juristët flasin për krimin në Kosovë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 shtator 2022 Në ora: 15:51
Foto nga vendngjarja

Një nga temat ende të pazgjidhura për vendin tonë mbetet luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Ani pse Qeveria në vazhdimësi është duke luftuar kundër kësaj dukurie, persona që kanë kryer vepra të rënda kriminale në kurriz të buxhetit të shtetit dhe të shoqërisë tonë në tërësi jetojnë të lirë, dhe si është më së miri.

Mungesa e një lufte të fuqishme kundër korrupsionit, dhe veçmas mosnxjerrja para drejtësisë e të dyshuarve, të akuzuarve të inkriminuar, është barometri i luftës së vërtetë kundër atyre fenomeneve negative.

Lufta kundër korrupsionit, nuk mbaron me largimin nga pushteti të individëve dhe të grupeve të caktuara, dhe ndalja apo reduktimi i përfitimit nëpërmjet tenderëve.

Sigurisht se këto koncepte dhe të tjera kanë në mendje ekspertët amerikan, të cilët e kanë nxitur Departamentin Amerikan të Shtetit të reagojë ashtu që, të vlerësojë se Ballkani Perëndimor nuk po lufton për çrrënjosjen e korrupsionit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price pak ditë më parë bëri të ditur se SHBA-të do të vazhdojnë angazhimin në këtë përpjekje, dhe se kjo do të vazhdojë të bëhet me sanksione, të cilat vlerësohen si një mjet i rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst më 26 shtator, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Prokurores së Shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, Diana Kajmakoviq.

Price tha se një prej qëllimeve të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është që të punojë me qeveritë për të luftuar korrupsionin.

“Sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm – por jo mjeti i vetëm i rëndësishëm – kur bëhet fjalë për rajonin dhe për qëllimin tonë. Këtë qëllim ne e ndajmë me qeveritë dhe banorët e këtij rajoni, pra për të çrrënjosur korrupsionin”, ka thënë Price.

Gjithashtu duhet theksuar që në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit, sanksionoi shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar, me seli në veri të vendit tonë.

Serbët e sanksionuar janë: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.

Mirëpo, asnjë prej tyre nuk është arrestuar, ndërsa ka fletarrest për Radojçiqin, i akuzuar për përfshirje në vrasje.

Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte një nga objektivat kyçe, të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit nacionale.

Ka disa raste të hetimit dhe arrestimit të zyrtarëve për krim të organizuar ku janë të përfshirë edhe biznesmen, si në rastin “Brezovica”.

Po ashtu janë bërë disa aksione kundër krimit të organizuar në veri të vendit.

Por, ende vlerësohet se nuk janë duke u arrestuar ‘rrethet’ e larta të krimit e të korrupsionit.

Mirëpo, sa janë duke u përmbushur këto kërkesa amerikane dhe premtimet e partive në pushtet?

Gashi: Në secilën ditë shohim aksione efektive të policisë së Kosovës, e cila po bën maksimumin e mundshëm në luftimin e krimit

Image
Tomë Gashi

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, ka kontaktuar me avokatin Tomë Gashi.

Ai u shpreh për gazetën që SHBA-ja po kërkon të bëjë atë që është dashur qeveritë e kaluara tash e 21 vite ta bëjnë.

“ShBA-ja kërkon të bëhet ajo që se kanë bërë të tjerët për 21 vite pas çlirimit të Kosovës, dhe tani kur kemi 23 vite pas çlirimit të Kosovës dhe kemi 14 vite pas Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, avokati thotë që qeveria Kurti po arrin të jep maksimumin sidomos në luftimin e korrupsionit, vlen të theksohen aksionet e mëdha, sidomos në veriun e Kosovës.

Këtë po e bënë qeveria më e mirë që ka pasur Kosova deri më tani, Qeveria e Albin Kurtit. Në secilën ditë shohim aksione efektive të policisë së Kosovës e cila po bënë maksimumin e mundshëm në luftimin e krimit e posaçërisht krimit të organizuar në secilën pjesë të Kosovës

Deri sa erdhi në pushtet qeveria Kurti ne as që kishim luftim të krimit të organizuar posaçërisht në veri të Kosovës. Ngase ishin një pjesë e vet pushtetarëve shqiptarë të Kosovës që ishin të përfshirë në krim të organizuar në veri, posaçërisht me tregti të mallrave me akcizë të madhe që se paguante askush dhe që dëmtohej Kosova me qindra miliona taksa të papaguara secilin vit”, thotë avokati.

Ndër të tjera, ai shton që qeveria Kurti po e bën Kosovën shtet të sigurt dhe po vepron siç po kërkon SHBA-ja.

“Tani qeveria Kurti po e bënë Kosovën shtet të sigurtë dhe pikërisht po vepron ashtu siç po e kërkon SHBA-ja, që të çrrënjoset krimi i organizuar në Ballkan”, nënvizoi Tomë Gashi për “Bota sot”.

Burjani: Luftim të korrupsionit nuk ka, por është rrit nepotizmi

Image
Blerim Burjani

 

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që nuk ka shenja minimale të luftimit të kësaj dukurie pasi nuk kemi ende as arrestime, as konfiskim pasurie të krerëve politik apo të ish-kryeministrave e ministrave, dhe politikanëve të tjerë, pasi të njëjtit nuk kanë blerë prona, e kanë krijuar pasuri duke keqpërdorur masivisht pronat apo pasuritë publike.

Nuk ka shenja minimale të luftimit të kësaj dukurie, pra deri më tash askujt prej krerëve politik nuk i është konfiskuar pasuria, e as asnjë shqiptim të ndonjë aktgjykimi ndaj personave politik ose ish qeveritar e as kryeministrave që kanë ble shtëpia, kanë ndërmarrje në emër të dikujt tjetër, është keqpërdorim masive i pronës publike ose blerje të pronave në emër të personave të tretë, përplot njerëz partiak dhe madje lider politik kanë keqpërdorë pozitën publike dhe kanë përfituar prona dhe pasuri publike gjatë procesit të privatizimit dhe gjatë gjithë kohës”, thekson juristi.

Në fund, juristi shton që luftim të korrupsionit nuk ka fare por është rrit nepotizmi partiak dhe familjare.

“Luftim të korrupsionit nuk ka fare por është rrit nepotizmi partiak dhe familjare. Duke dhënë poste publike bashkëpartiakëve ose dhënies së posteve të ambasadorit në emër të politikës dhe afërsisë politike”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat