A u qortua nga VV-ja për qëndrimet kundër partisë së tij? Flet deputeti Humolli, befason me fjalët për grevën

Politika

A u qortua nga VV-ja për qëndrimet kundër partisë së tij? Flet deputeti Humolli, befason me fjalët për grevën

Nga: A.Zh Më: 4 tetor 2022 Në ora: 10:17
Fatmir Humolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fatmir Humolli, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, lidhur me grevën në arsim.

Për gazetën “Bota sot”, deputeti Humolli ka thënë se Qeveria është dashur të gëzohej për kërkesat mininale të sindikalistëve dhe t’i plotësonte ato kushte.

“Grevistët kanë kërkesa minimale, Qeveria është dashtë me u gëzu për kërkesat minimale dhe me i plotësu”, është shprehur ai.

Sipas tij, sindikalistët janë hidhëruar më shumë se me çdo qeveri tjetër me të Vetëvendosjes, pasi ajo nuk po i kupton drejtë kërkesat e tyre.

“Punëtorët tanë duke i pa rrethanat ndërkombëtare dhe pozitën tonë si Kosovë, e kanë duruar klasën tonë politike për së tepërmi. Kanë besuar se qeveria e VV-së do t’i kuptojë drejtë, për arsye se kanë besuar tek ajo. Derisa qeveria nuk po i kupton drejtë, tani ata janë të hidhëruar më shumë se sa me çdo qeveri tjetër”, ka thënë më tej deputeti i VV-së.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos ua jep pagat e muajit shtator grevistëve, çka ka shkaktuar pakënaqësi te mësimdhënësit, të cilët kanë paralajmëruar sërish ndërprerje të mësimit.

Humolli ka dalë kundër qëndrimit të VV-së edhe për projektiligjin për Trustin, duke konfirmuar se do të votojë pro tij, nëse vjen në Kuvend. I pyetur nëse është “qortuar” nga Grupi Parlamentar i VV-së për këto qëndrime, Humolli ka thënë se deputeti është i pavarur në marrjen e vendimeve.

“Deputeti i Kuvendit të Kosovës me Kushtetutë është i pavarur për marrjen e vendimeve brenda parlamentit.

Lista e VV-së është një bashkim i grupeve dhe individëve që kanë pikëpamje të ndryshme për gjëra të veçanta.

Unë besoj se sikur të ishin investuar mbi 2 miliardë euro të Trustit për prodhim në Kosovë, këtë krizë të jashtme do ta kishim mirëpritë dhe shfrytëzuar pozitivisht në shumë drejtime.(Do të ishin krijuar mbi 80,000 vende të punës dhe do të ishte fituar besim për investitorë të jashtem për shumë miliarda investime në Kosovë)”, ka shtuar për “Bota sot” deputeti Fatmir Humolli./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat