Rreziqet nga financimet ruse, vjen paralajmërimi: Jo vetëm në parti politike, Rusia po ‘investon’ edhe në...!

Politika

Rreziqet nga financimet ruse, vjen paralajmërimi: Jo vetëm në parti politike, Rusia po ‘investon’ edhe në...!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 tetor 2022 Në ora: 12:08
Në fillim të marsit 2020, sistemi rus kundër-ajror "Pancir S1", të cilin Serbia e bleu nga Rusia, iu dorëzua Serbisë. "Pancir S1" u dorëzua në Serbi nga aeroplani rus Antonov 24 "Ruslan", pjesërisht edhe përmes hapësirës ajrore të Bullgarisë, një anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen shprehet e shqetësuar për financimet ruse në Ballkan.

Në një intervistë senatorja amerikane Shaheen, njohëse e Ballkanit Perëndimor, shprehet se marrëveshja e fundit mes Beogradit e Moskës, është alarmuese, veçanëriësht duke pasur parasysh kontekstin e kohës, ndërsa Rusia anekson katër rajone të Ukrainës, dhe kur dalin provat se si ajo ka investuar për të ndikuar zgjedhjet nga SHBA-ja në Ballkan.

Nuk kam informacion specifik se sa para kanë marrë. Jam shumë e shqetësuar për të. Ndërsa shohim agresionin e paprovokuar të Putinit në Ukrainë, e dimë që një nga zonat ku ai ka pasur interes, ka qenë Ballkani Perëndimor, fushatat e dezinformimit; sapo pamë një raport se sa shumë para, janë shpenzuar në përpjekje për të destabilizuar zgjedhjet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Po shohim përveç kësaj edhe se si njerëzve iu thuhen gënjeshtra, për atë që vërtet po ndodh dhe nëse njerëzit nuk kanë informacionin e saktë, nuk mund të bëjnë zgjedhje të mira. Prandaj, duam që të bëjmë gjithçka mundemi dhe synimi i atij ligji është që të përpiqemi dhe të promovojmë demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe të shohim se si mund të merremi me dezinformimin rus, të shohim se si mund të mbështesim përpjekjet për reforma që po bëhen këtu në Shqipëri dhe kudo në rajon”, u shpreh Shaheen.

Lidhur me paralajmërimet e senatores amerikane për rreziqet e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në shtetet shqiptare për “Bota sot” i komentuan eksperti i sigurisë, Drizan Shala dhe analisti Leon Duhanaj.

Shala: Duhet eliminuar dhe neutralizuar mundësitë e influencimit rus në politikë

Fillimisht, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se financimet ruse hovin më të madh e morën në vitet e para të pas luftës.

Image
Drizan Shala

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se hapi i fundit i Rusisë dhe më i rrezikshëm tani është lufta hibride me të cilën është duke u përballur Kosova.

“Financimi Rus në rajonin e Ballkanit ishte zhvilluar përgjatë viteve të pas luftës dhe deri më tani duke mundësuar që të hapen mediume të caktuara në shtete që janë pjesë e Ballkanit, duke financuar dhe krijuar subjektet politike që në nivelin politik avokojnë për lidhje me shtetin amë, që në këtë rast është Rusia Ortodokse si dhe hapi i fundit dhe i rrezikshëm tani është lufta hibride me të cilën është duke u përballur Kosova”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Më tej, ai kërkoi që në Kosovë në sektorin politik të dihen financat dhe prejardhja e tyre.

Në Kosovë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që të mundësohet që sa më parë të vendoset mundësia që në fazën kryesore që është sektori politik të dihen financat dhe prejardhja e tyre sikur në fazën e dytë të fillohet me filtrimin e mediumeve jo statike siç janë portalet e ndryshme dhe dal ngadalë të analizohet edhe në segmente të tjera eventuale brenda institucioneve të nivelit lokal dhe atij qendror, duke eliminuar dhe neutralizuar mundësitë e influencimit politik në këtë pjesë”, theksoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Duhanaj: Shumica e parasë e cila futet ilegalisht, janë të koordinuara nga Rusia

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se në vitet e fundit financimet ruse kanë qenë të shpërndara në shumë shtete të fuqishme të Evropës.

Image
Leon Duhanaj

Financimet ruse sidomos në dekadën e fundit, kanë qenë të shpërndara gjithandej Europës. Madje edhe vendet e mëdha perëndimore si Gjermania, edhe pse ekonomikisht njëra ndër superfuqitë botërore, megjithatë pati segmente politike të financuara nga Rusia. Qoftë ekstremi i majtë, apo i djathtë, qoftë edhe politikanë individualisht, kanë qenë të ekspozuar ndaj financimeve ruse”, deklaroi ai

Krahas kësaj, Duhanaj tha se shumica e parave që futen ilegalisht në shtetet e Ballkanit Perëndimor janë fonde të dyshimta ruse.

Kur flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor, atëherë lirisht mund të konstatojmë se shumica e parasë, e cila futet ilegalisht apo përmes fondeve të dyshimta, janë të koordinuara nga Rusia.

Për Serbinë nuk është që pritet ndryshe, por në pjesët tjera e posaçërisht në trojet shqiptare është vërtetë shqetësuese”, vlerësoi analisti.

Ndër të tjera, ai thotë se Rusia nuk investon vetëm në parti politike, por edhe në fonde arabe, të cilat shpërndahen përmes shoqatave në emër të fesë.

Nuk duhet harruar se nuk janë vetëm investimet në parti politike, të cilat i kontrollon Rusia, por janë edhe shumë investime të tjera si ato nga fonde arabe, të cilat shpërndahen përmes shoqatave në emër të fesë dhe janë në koordinim të plotë me interesat gjeopolitike serbe e ruse”, u shpreh Duhanaj.

Në fund, analisti shpreson që SHBA-ja dhe aleatët e tjerë, të kryejnë hetimet e duhura, marrë parasysh që shqiptarët janë më të ekspozuarit ndaj këtyre ndikimeve.

Në këtë kontekst është për t'u shqetësuar nëse i bëhet një hetim i thellë çdo investimi në trojet shqiptare, sepse jemi vendi dhe kombi më i ekspozuar në gjithë Europën.

Uroj që shërbimet e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, të kryejnë hetimet e duhura dhe njëherësh të nxjerrin mësimet e duhura në mënyrë që rajoni të bëhet më i sigurt”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat