Çfarë po ndodhë në veri? Vjen paralajmërimi: Situata mund të përshkallëzohet, kështu duhet të veprojë urgjent Qeveria

Politika

Çfarë po ndodhë në veri? Vjen paralajmërimi: Situata mund të përshkallëzohet, kështu duhet të veprojë urgjent Qeveria

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 nëntor 2022 Në ora: 11:44
Bedri Elezi

Eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzohet.

Duke komentuar incidentet e fundit në komunat veriore të vendit, ndër to edhe sulmin e fundit ndaj stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik, Elezi ka thënë se situata atje konsiderohet e tensionuar. Shkak i kësaj, sipas tij, është prania e një kontigjenti të zyrtarëve të shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës aktualisht mund të konsiderohet e tensionuar dhe poashtu ka dyshime se mund të përshkallëzohet. Ashtu edhe siç kemi paralajmëruar, në veriun e Mitrovicës ka zbarkuar një kontigjent i zyrtarëve specialë të shërbimeve sekrete serbe BIA si dhe atyre të GRU. Këto forca speciale të këtyre shërbimeve sekrete janë dislokuar në veri me qëllim të orkestrimeve të aktiviteteve të dhunshme në veri dhe kështu për të vazhduar edhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, më pas edhe destabilizimin e rajonit, me qëllimin e vetëm - largimin e vëmendjes nga lufta në Ukrainë, apo zgjerimin e luftës edhe në Evropë”, ka thënë Elezi në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Ai ka përmendur edhe sulmet dhe dhunën ndaj qytetarëve të komunitetit serb, të cilët pranuan konvertimin e targave në RKS.

“Së fundmi kemi pasur në atë zonë veprime të dhunshme, të cilat janë të organizuar nga shërbimet sekrete në fjalë. 7 vetura të qytetarëve nga komuniteti serb janë djegur, të cilët konvertuan targat në RKS. Gjithashtu, janë dhunuar disa qytetarë, të cilët janë treguar lojalë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ditë më parë është sulmuar stacioni policor”, është shprehur eksperti.

Elezi, këto sulme i sheh si pjesë të skenareve serbo-ruse.

“Sigurisht se këto sulme janë pjesë e skenareve të shërbimeve sekrete serbe-ruse. Duhet konsideruar serioze deklarimet e subjektit serb Lista serbe, pjesë e Qeverisë së Kosovës për daljen nga institucionet shtetërore. Këto deklarime u bënë pasi drejtori i policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së, suspendoi nga detyra drejtorin rajonal në veriun e Kosovës, i cili ishte nga komuniteti serb dhe i cili kishte vepruar sipas kërkesave të subjektit politik Lista serbe”, ka theksuar Bedri Elezi për “Bota sot”.

Ai në fund ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtojë urgjent komunikimet me partnerët e sigurisë, që të mos lejojë eksalimin e dhunës, gjë që sipas tij, do t’i shkonte për shtati vetëm Rusisë dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës duhet analizuar veprimet e saj, sepse eskalimi eventual i dhunës do t’i përgjigjej vetëm strukturave të sigurisë serbe dhe atyre ruse. Është tejet e nevojshme që të shtohen komunikimet me partnerët e sigurisë, e veçanërisht me SHBA-të, sepse koordinimi i aktivitetetve të institucioneve të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe zyrat e Bashkimit Europian është tejet urgjent. Kosova, asnjëherë nuk duhet të bjerë pre e provokimeve apo skenareve të Serbisë, skenare të cilat autoritetet e sigurisë në Republikën e Kosovës duhet t’i njohin”, ka shtuar Elezi.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës për sulmin në Jasenovik, thuhej se “zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armësh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat