Publicisti: Jo targat, ky është halli i serbëve që u larguan nga institucionet; si veproi kryeministri kryeneç i Kosovës

Politika

Publicisti: Jo targat, ky është halli i serbëve që u larguan nga institucionet; si veproi kryeministri kryeneç i Kosovës

Nga: A.Zh Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 11:40
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës, ka bërë disa hapa para, përmes teorisë së Reciprocitetit në raportet ndaj Serbisë. Kështu ka thënë për gazetën “Bota sot” publicisti dhe analisti i çështjeve politike Idriz Zeqiraj.

Ai ka fajësuar ish-pushtetarët se kanë aprovuar synimin e Serbisë se është “brenda Kosovës”. Nuk ka lënë pa kritikuar as ndërkombëtarët për situatën në veri të Kosovës.

“Statusquoja, vendnumërimi i dialogut, pavarësisht ecejakeve Prishtinë-Bruksel, tashmë, është pranuar nga palët në dialogim. Rezultatet janë simbolike dhe ngecja në çështjet e shtruara për zgjidhje, vazhdon të lëngojë. Qeveria Kurti e thirrur për -ndryshimin, bëri disa hapa para, me teorinë e Reciprocitetit, e njohur si e drejtë dhe normë ndërmjet shteteve sovrane.

Image
Idriz Zeqiraj

Synimet errëtake të Serbisë, për të dëshmuar se jemi brenda Kosovës, edhe zyrtarisht, duke u imponuar me targa ilegale, në veriun e Kosovës dhe enklava serbe, kanë hasur në miratimin kriminal të pushtetarëve të mëparshëm të Kosovës. Por, edhe ndërkombëtarët i kanë aprovuar dhe heshtur abuzimet dhe provokimet e vrazhdëta të Serbisë, përmes bandave të "Listës Serbe", në veri të Mitrovicës”, është shprehur Zeqiraj për gazetën.

Analisti më tej ka vlerësuar se Qeveria Kurti, erdhi në pushtet edhe për të shtrirë sovranitetin në veriun e Mitrovicës. Por, sipas tij, vendimi i Kurtit për targat e automjeteve të qytetarëve serbë hasi në kundërshtim nga serbët, ndërkombëtarët dhe opozita e Kosovës - e gatshme për ta rrëzuar kryeministrin.

Lexo edhe: “Shokuese deklarata bombë për veriun”, Zeqiraj kërkon hetime ndaj këtij eksponenti të PDK-së: Provokim i tmerrshëm!

“Qeveria e LVV, e kryesuar nga Albin Kurti, ka ardhur në pushtet për ta bërë ndryshimin. Dhe, ky ndryshim, përveç luftimit të krimit dhe të korrupsionit, përkatësisht, hajnisë zyrtare, shtrihet edhe në kthimin e sovranitetit të munguar në veriun e Mitrovicës. Dhe, filloi, nga zëvendësimi i targave ilegale të vëna nga Serbia, me targat e ligjshme të Kosovës. Afati i parë, për zëvendësimin e targave dështoi. Pasoi afati i dytë, me përshkallëzimin: me qortim, ndëshkim me gjobë dhe, së fundi, me konfiskim.

Kundërshtia ishte, pothuaj se, korale​: Serbët e Kosovës në bllok; qeveria e Serbisë e quajti provokim, me tendencë të shpërnguljes të serbëve. Ndërkombëtarët, të prirë nga amerikani Escobar, kërkoi shtyrjen e afatit edhe për 10 muaj, nga 1 tetori, kur përfundonte afati. Opozita e gatshme, për ta dështuar vendimin e Qeverisë Kurti, në pritje, si dhelpra, "të rënies të boleve të dashit", rënien e Qeverisë Kurti”, ka thënë Idriz Zeqiraj.

Ndërsa, lidhur me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, publicisti ka thënë se ky veprim i tyre erdhi vetëm për ta dramatizuar situatën dhe përfituar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai ka shtuar se serbët në Kosovë, janë peng i qeverisë serbe në Beograd.

“Kryeministri kryeneç, Kurti, i mbështetur edhe nga presidentja, Vjosë Osmani dhe shqiptarët, arsyetuan vendimin si kushtetues dhe me vendosmëri filluan nga zbatimi i përshkallëzuar. Kjo, kinse, ishte shkas që serbët në veriun e Kosovës, për t`u larguar nga institucionet lokale e qendrore të Kosovës.

Vërtet, këtij largimi i parapriu konsultimi me presidentin Vuçiq. Por, halli ishte për ta dramatizuar situatën, për të përfituar asociacionin, pse jo, edhe një status, diçka të ngjashme me autonominë. Rrjedhimisht, nuk janë targat, por refuzimi i autoriteteve serbe, për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, për 23 vjet me radhë. Zyrtarët e minoritetit serb janë nën trysninë dhe peng i qeverisë qendrore të Serbisë”, ka shtuar Zeqiraj për gazetën./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat