“Çështja e targave u problematizua”, analisti tregon çka pas 48 orëve

Politika

“Çështja e targave u problematizua”, analisti tregon çka pas 48 orëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 nëntor 2022 Në ora: 21:16
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për çështjen e targave, pas takimit të ditës së djeshme me presidentin serb në Bruksel, takim ky që rezultoi aspak frytdhënës.

Propozimi për shtyrjen e vendosjes së gjobave erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me në krye ambasadorin amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.

Pasi vendosi shtyrjen me 48 orë, Kurti u shpreh i lumtur që të do punojë me SHBA-të dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje në dy ditët e ardhshme.

“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti.

Por, lind pyetja çka pas 48 orëve?

Sipas analistëve politikë, pas 48 orëve Qeveria duhet të qëndrojë dhe t’i mbrojë pikëpamjet e veta të ligjshme.

Analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot”, se çështja e targave u problematizua tepër dhe shumë.

Sipas tij, Kosova ka çështje të tjera shumë më të rëndësishme dhe shumë më të shpejta sesa targat.

“Çështja e targave u problematizua tepër shumë dhe, kjo mendoj se, nuk është dashur të ndodhte, sepse, kemi pasur çështje të tjera shumë më të rëndësishme dhe shumë më të shpejta! Mirëpo, tash jemi këtu ku jemi dhe, mendoj se, Qeveria duhet të qëndrojë dhe mbrojë pikëpamjet e veta të ligjshme, sepse, bëhet fjalë për sovranitetin e vendit brenda kufijve të pranuar ndërkombëtarisht, kështu që është krejtësisht normale që për të gjitha nacionalitetet duhet të vlejnë të njëjtat rregulla!”, ka thënë Zogaj.

Image
Analisti politik, Skender Zogaj

Është veprim i duhur pranimi i kërkesës së SHBA-së, sipas Zogajt, kjo sepse ata kanë investuar shumë në shtet-formimin e Kosovës.

“Pranimi i kërkesës së SHBA-ve është veprim i duhur sepse, kemi të bëjmë me vendin që ka investuar shumë në shtet-formimin e Kosovës, prandaj, miqësia e meriton mirëkuptimin e kërkesës, dhe jo vetë kaq! Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos nxitohet, dhe gjithsesi të vë në veprim edhe masa të tjera ligjore sepse, serbët e në veriun e Kosovës, nuk mund të tolerohen që ta shkatërrojnë Kosovën e t'i shërbejnë Serbisë, që ende vazhdon me politikat e vjetra hegjemoniste”, ka shtuar Zogaj.

Ndryshe, për çështjen e targave ka reaguar para pak orësh deputeti gjerman, i cili ka thënë se Kosova ka të drejtë të vendos ligje brenda territorit të saj.

Knut Abraham, deputet nga radhët e CDU-së, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja e targave nga Bashkimi Evropian.

“Jam shumë i shqetësuar dhe i frustruar me atë se çfarë po ndodh në Kosovë. Kosova ka plotësisht të drejtë të vendos për ligjet brenda territorit të saj dhe kjo vlen për çështjen e targave. Problemi nuk është te targat, por tek Bashkimi Evropian që nuk ka një ide te qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës. Pra kur mungon një strategji konkrete se çfarë të bëhet me Kosovën, atëherë lindin probleme të tilla si çështja e targave”, tha Abraham.

Kujtojmë, se fillimisht Qeveria e ka pasur 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës. Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.

Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provë dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat