Kosovës iu bë edhe një padrejtësi, këta janë fajtorët që nuk iu liberalizuan vizat

Politika

Kosovës iu bë edhe një padrejtësi, këta janë fajtorët që nuk iu liberalizuan vizat

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 nëntor 2022 Në ora: 19:27
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës do të mbahen të izoluar të paktën deri në janar të vitit 2024. Të paktën kështu u vendos në takimin e fundit në Bruksel.

Ҫështjen e vizave për Kosovën e ka komentuar të enjten edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon. Ajo ka thënë se vizat i janë hequr edhe Venezuelës e cila udhëhiqet nga Nicolas Maduro, ndërkaq Kosova ende pret në radhë.

Kosova po nënçmohet, më keq se Nikaragua

“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja duhet të mbeten çështje të veçanta. Kosova është i vetmi vend evropian (përveç Bjellorusisë) qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në BE. Pavarësisht se ka listën më të gjatë të kritereve që kërkohet nga çdo vend evropian për të marrë liberalizimin e vizave, kushtet janë plotësuar më shumë se 6 vjet më parë dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë në radhë për viza edhe pse regjimi pa viza i është dhënë Nikaraguas apo Venezuelës së Maduros”, tha ajo.

Padrejtësinë që iu bë Kosovës sa i përket vizave, e ka komentuar për ‘Bota sot’ edhe profesori dhe eksperti amerikan, Alon Ben-Meir. Ai thotë se kjo nuk është çështje padrejtësie. ‘Mjerisht, e gjithë çështja e targave është hedhur në erë’.

“Siç e kam thënë gjatë gjithë kohës, kryeministri Kurti është dashur të tregojë fleksibilitet për këtë çështje, që në thelb është simbolike. Nuk është vonë për të ndryshuar mendje”, thotë ai.

Frika nga Putini

Por, ndërkohë, nga biseda e bërë, kanë rrjedhur gjërat, dhe çështja e targave, nga takimi i kryenegociatorit Bislimi me atë serb në Bruksel me ndërmjetësuesin Lajçak, gjatë ditës së mërkurë, është përmbyllur kjo çështje, dhe targat e lëshuara do të mund të përdoren deri në arritjen e marrëveshjes, ndërsa Serbia, nuk do të lejohet më të prodhojë targa të reja.

“Duhet të kujtojmë se BE-ja, po bënte presion për një zgjidhje të çështjes së targave thjesht sepse BE-ja nuk e sheh këtë çështje, që lidhet me pavarësinë e Kosovës, apo si relativisht të parëndësishme. BE-ja dëshironte të shmangte që kjo çështje konfliktuale të bëhej e dhunshme, veçanërisht në këtë moment kur lufta në Ukrainë është e ndezur dhe Putini po bën gjithçka që mundet për të destabilizuar Ballkanin”, vlerëson ai.

Image
Alon Ben-Meir

 

Madje, sa i përket targave, ai kishte edhe një këshillë për kryeministrin Kurti.

“Këshilla ime për Kurtin ishte që të mos vononte zbatimin e kërkesave për targat siç pat kërkuar koordinatori i BE-së Josep Borrell. Kjo sigurisht që po krijon tani (me shtyrjen e vendimit), një gjest vullneti të mirë nga ana e Kurtit dhe do të përmirësojë më tej procesin e anëtarësimit në të ardhmen, të Kosovës në BE”, thekson profesori amerikan.

Ndërsa i pyetur se sa janë shanset që Kosova ta ketë një rast tjetër, dhe liberalizimi të bëhet në vitin 2024, Ben-Meir thotë se me pranimin e shtyrjes së zbatimit të vendimit në faza për targat ilegale serbe, atëherë liberalizimi i vizave me të vërtetë mund të realizohet deri në janar 2024.

“Autoritetet në vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Tani i takon Kurtit të bëjë lëvizjen e radhës. Një zëdhënëse e Presidencës Çeke, Eva Hrncirova tha për BIRN se BE-ja dëshiron të shohë fillimisht de-përshkallëzimin e situatës për targat e veturave në veri të Kosovës”, thekson ai.

Këtë ҫështje e ka komentuar edhe analisti politik dhe publicisti, Gani Qarri. Ai thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, nuk varet më nga Kosova, por nga disponimi i vendeve të BE-së, e veçanërisht nga qëndrimi, fatkeqësisht determinues i vendeve mos-njohëse të shtetit tonë, përndryshe ashtu siç deklaronte pak kohë më parë edhe vet zonja Von-Cramon Kosova i ka plotësuar që moti kushtet teknike për liberalizimin e vizave.

“Prandaj, është shumë gabim kundërshtimi dhe kushtëzimet e reja që kohë pas kohe, paraqesin disa vende për këtë proces të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, të cilët të vetmit në rajon, mbahen padrejtësisht të mbyllur në geto, nga Bashkimi Evropian, akt për të cilin nëse BE-ja nuk ndryshon, tërhiqet nga ky pretendim poshtërues ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova në shenjë proteste, duhet ta paralajmëroj edhe tërheqjen nga bisedimet e kushtëzuara. Për aq më tepër, pas kushtëzimit kinse për demarkacion, gjë që as falja e 8300 hektarëve tokë, Malit të Zi, nuk mjaftoi, së fundi çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, po kushtëzohet edhe me zhvillimet në dialog, që është akt shumë i padrejtë për shumë arsye, por me këtë rast po përmendi vetëm dy; e para se këto janë dy procese të ndara, prej njëra tjetrës dhe e dyta, edhe po qe se, procesi i liberalizimit lidhet me targat, marrëveshja për konvertimin e tyre, tash e mbi 11 vite është nënshkruar në Bruksel, nën ndërmjetësimin e vet BE-së”, thekson ai.

Image
Gani Qarri

Pesëshja e BE-së, problem serioz

Sipas Qarrit, vet kjo dëshmon se nuk ka asnjë arsyetim bindës, që liberalizimi i vizave të bllokohet për një çështje të dakorduar para më tepër se një dekade, me pajtimin e të dy palëve dhe marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet të dyja vendeve dialoguese.

“Sipas trendit të zhvillimeve në maratonën e pafund të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, mjerisht duke pasur edhe "mbështetjen" e opozitës së inkriminuar, shihet hapur se disa vende mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës, e veçanërisht Spanja dhe Sllovakia prej nga vijnë edhe ndërmjetësuesit e dialogut, nuk kanë qëllim për ta bllokuar liberalizimin e vizave vetëm për targat, sepse marrëveshja për targat, ka mundësi edhe tani, të arrihet, por ato, shihet hapur se do të insistojnë t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Kosovës, deri në përfundim të bisedimeve”, thotë ai.

Për analistin politik kjo shihet se po bëhet për t’i krijuar favore Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste në mënyrë që ky shtet ish okupator i Kosovës, t’i realizojë pretendimet për bosnjëzimin e vendit tonë me imponimin e "zajednicës" kundër-kushtetuese, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi e Mustafa, si hap paraprijës, për të arritur te ndarja e veriut dhe shkatërrimi i tërësishëm i shtetit të Kosovës, që është edhe qëllimi kryesor i Serbisë.

“Shto kësaj edhe çakordimin e tërësishëm dhe sulmet gjithnjë e më agresive të opozitës së inkriminuar, jo vetëm kundër Qeverisë, por edhe kundër përpjekjeve për rivendosjen e rendit e të ligjit, duke shkuar deri atje sa të dalin hapur në krah të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, jo vetëm që vë në pikëpyetje të madhe shansin për Kosovën që të paktën, ta zë hapin në një rast tjetër dhe liberalizimi të ndodhë në vitin 2024, por po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar se që kanë shpresuar qytetarët e Kosovës, dhe ku një rol negativ po e luajnë 5 vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, vlerëson ai.

Sipas tij, ‘vende këto të cilat siç po shihet në realitet, jo vetëm nuk mbajnë, të paktën qëndrim neutral, siç janë deklaruar vet, ndaj statusit të Kosovës, por edhe anojnë publikisht, deri në simpati të hapur, për ish-shtetin okupator të vendit tonë, si Serbia hegjemoniste, e cila është shkaktare e të gjitha luftërave dhe gjakderdhjeve masive pothuajse në të gjitha shtetet e dala nga ish-federata jugosllave, përfshirë edhe krimet dhe gjenocidin e paparë që ka shkaktuar në Kosovë, akte tragjike, që jo vetëm Spanja, e Sllovakia, por edhe opozita, duket se i ka hedhur prapa shpine dhe harruar tërësisht nga inati kundër Albin Kurtit’.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat