Lista “Guxo” merr guximin e distancohu nga Glauk Konjufca, injorimi i Presidentit Rugova nuk duhet të falet!

Politika

Lista “Guxo” merr guximin e distancohu nga Glauk Konjufca, injorimi i Presidentit Rugova nuk duhet të falet!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 nëntor 2022 Në ora: 19:02
Donika Gërvalla, Faton Peci, Haxhi Avdyli, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca- Foto ilustrim Bota Sot

28 nëntori shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

Kjo ditë përfaqëson trashëgiminë më të rëndësishme kombëtare që u përcoll brez pas brezi deri në ditët e sotme.

Dita e flamurit është simbolika që i bëri bashkë të dielën deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me ata të Republikës së Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës udhëtuan drejt Tiranës për t’u bashkuar në Kuvendin e parë të madh të shqiptarëve.

Organizimi i mbledhjes simbolike për të kujtuar 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ishte ndër rastet e pakta ku politikanët shqiptarë bëhen bashkë, e njëzëri flasin për vlerat kombëtare dhe atdhedashurinë e trashëguar brez pas brezi.

Por, për fat të keq ndasitë politike u vërejtën qysh në momentin e nisjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës me autobus për në Shqipëri.

Deputetët opozitarë duket sikur nuk preferuan të udhëtonin në një mjet udhëtimi me ata të pozitës. Por, kjo është e keqja më e vogël që do të duhej të ndodhte në një datë si 28 nëntori i shqiptarëve anë e mbanë.

Në këtë datë historike të shqiptarisë nuk u përmendën të gjithë emrat që e bënë historinë.

Emri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, nuk zuri vend në fjalimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

I pari i Kuvendit, përmendi shumë figura kombëtare që me veprimtarinë e tyre kontribuuan në arritjet e derisotme të Kosovës, por “harroi” të përmendte Presidentin Rugova.

“Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, u shpreh mes tjerash Konjufca.

Konjufca, duket sikur harroi se mbase ndonjë apo shumë e shumë rugovistë mund t`ia kenë dhënë votën e ta kenë sjell aty ku është sot. Të flasësh për vota në një ditë kaq të madhe si kjo e sotmja është pak e rëndë, por realiteti i hidhur i politikës shqiptare është ky.

Pra, i pari i kuvendit injoroi emrin e figurës më të shquar të kombit, Presidentin Rugova që falë veprës së tij, bota na njeh më mirë e miqtë na ndihmuan të jemi të lirë e të pavarur.

Me të drejt, sot mund të pyesim se ku ishte Konjufca në ditën kur u varros Presidenti Rugova, e po ashtu edhe në ditët e përkujtimit të tij?!

A nuk i pa Konjufca ata qindra e mijëra shqiptarë e miq ndërkombëtarë që erdhën ta nderojnë presidentin në ato ditë të ftohta janari të viti 2006?!

Përse ky injorim i paskrupull i Konjufcës për njeriun që bëri historinë?

Pak më lart, e ulëm nivelin e diskutimit në vota! Kjo për shkakun se partia e Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje, ishte në koalicion me Listën Guxo të përfaqësuar nga tani Presidentja Vjosa Osmani.

Pra, i fituan votat edhe në emër të Rugovës!

A do ta marr guximin partia “Guxo” e Vjosa Osmanit, Donika Gërvallës, Haxhi Avdylit, Faton Pecit etj, që të distancohen nga fjalimi i Konjufcës ku nuk figuronte emri i Ibrahim Rugovës?

Kjo do të duhej të ndodhte me patjetër, se në të kundërtën kjo do të përkthehej si harresë e idealeve për hir të pushtetit e për hir të komoditetit në koalicionin qeverisës.

Mbase, Konjufca ka pritur që Presidentin Rugova të mos e nderojë as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, as kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e as të tjerë përfaqësues të Partisë Socialiste në Shqipëri. Por, si duket llogaritë i dolën gabim.

Nga përpjekja për t`i “pëlqyer” Edi Ramës dhe për t`u dukur “më komunist se komunistët”, Glauk Konjufca doli qesharak!

Megjithatë, Konjufca është veç një pushtetar kalimtar që edhe në ditë festash kombëtare i ngjyrosë fjalimet e tij politikisht e kompleksohet nga emri i të madhit Ibrahim Rugova.

Historia ka shkruar, shkruan e do të shkruaj për gjithsecilin.

Emri i Ibrahim Rugovës do të mbes në histori për jetë të jetëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat