Miqësia me SHBA jetike- Paralajmëron Qarri: Veprimet e pamatura mund të çojnë në pasoja shkatërrimtare për shtetësinë e Kosovës

Politika

Miqësia me SHBA jetike- Paralajmëron Qarri: Veprimet e pamatura mund të çojnë në pasoja shkatërrimtare për shtetësinë e Kosovës

M.Lakna Nga M.Lakna Më 30 nëntor 2022 Në ora: 15:21
Presidenti Joe Biden gjatë vizitës në Kosovë në cilësinë e zëvendëspresidentit amerikan, gusht 2016

Ditëve të fundit janë shtuar zërat ndërkombëtar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ndër personat që ka folur për këtë është edhe ish-këshilltari i Presidentit amerikan Joe Biden, Charles Kupchan.

Ai në një intervistë televizive ka thënë se, beson se dialogu do të përfundoj me njohjen e Kosovës nga Serbia, pavarësisht se sa i gjatë do të jetë ky proces.

Këtë deklaratë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” publicisti Gani Qarri, i cili ja thënë se nuk duhet harruar se z. Kupchan ka ndryshuar disa herë deklaratat e tij, madje ai qysh në fillim-verën e vitit 2020 deklaronte se deri në fund të atij viti, do të arrihej marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Image
Qani Qarri

 

Qarri ka thënë se personalisht mbetet i rezervuar ndaj deklaratave të tilla, veçmas kur flitet për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hegjemoniste.

“Kjo edhe për faktin se Serbia fal mbështetjes së pa rezervë, që sidomos kohët e fundit po gëzon publikisht nga partitë e inkriminuara në Kosovë, ka fituar avancë të theksuar diplomatike në arenën ndërkombëtare, veçanërisht tek vendet më me ndikim në botë, deri në administratën e jashtme amerikane.

Në anën tjetër, Charles Kupchan ish këshilltar i lartë për siguri i Barack Obamas dhe ish këshilltar i presidentit Joe Biden, në shtator të vitit 2018, ishte ndër të parët që pajtohej me idenë e prezantuar nga kuislingu Thaçi për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili edhe pas katapultimit të Avdullah Hotit në krye të qeverisë, me inskenimet e Thaçit dhe të Isa Mustafës, besonte se Thaçi, përsëri do të mbetej kryesues i negociatave me Serbinë, kurse po këtë vit, pak kohë më parë, Kupchan deklaronte se Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës, në këmbim të pranimit të saj në BE, e në fakt, ne sot kemi një plan franko-gjerman, apo të ashtuquajtur të BE-së, që nuk parasheh marrëveshje me njohje për Kosovën tonë”, ka thënë Qarri.

Megjithatë, ai thotë që beson ende në rolin e madh që mund, duhet dhe uron se do ta pranojnë, ta kenë SHBA-të, në përmbylljen e dialogut maratonik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç dëshmoi edhe rasti i targave ilegale serbe.

“Pa SHBA, Kosova mund të humbte, por duke pasur parasysh dominimin e fortë të islamistëve, thellimit të paprecedent të ideve turko-arabe dhe hiperxhamizimin e Kosovës, pa asnjë objekt të vetëm, të kulturës evropiane dhe botërore, të ngritur në 23 vitet e pas çlirimit nga SHBA, NATO dhe vendet e BE-së, të gjitha këto bashkë, kanë fituar shumë në dimension dhe filluar ti distancojnë me të madhe, miqtë tanë më të çmuar ndërkombëtar nga dashamirësia dhe mirëkuptimi, që dikur kishin për Kosovën”, ka thënë ai.

Qarri ka vënë në theks edhe problemet aktuale në botë, si lufta që vazhdon të zhvillohet në Ukrainë, qëndrimi jo krejtësisht i qartë i z. Eskobar e deri te deklaratat e hapura "pro-serbe" të ambasadorit aktual në Serbi Christofer Hill, i cili pothuajse ka kaluar tërësisht në anën e Aleksandër Vuçiqit.

“Këto më bëjnë shumë pesimist dhe të shqetësohem pa masë, për fatin e mëtejmë të bisedimeve të Kosovës me një shtet agresor si Serbia hegjemoniste, e cila edhe 23 vite pas lufte, vazhdon ti shpreh më hapur se kurrë dhe në mënyrë gjithnjë e më agresive, pretendimet territoriale ndaj Kosovës, duke gjetur mirëkuptimin qoftë vetëm formal edhe të vendeve që deri më tani, ishin në anën e Kosovës”, shton Qarri.

Andaj, publicisti ka theksuar se në këtë situatë, çdo veprim i pamatur i liderëve politik dhe shtetëror të Kosovës, të cilët do të mbajnë përgjegjësi për çdo të keqe që do ti ndodhë popullit dhe vendit tonë, mund të qojë në vendime të rënda, me pasoja afatgjata e ndoshta edhe shkatërrimtare për shtetësinë e brishtë të Kosovës.

Kështu që, duke e ditur se zgjidhja për Kosovën nuk është aspak e lehtë, sidomos kur të kihet parasysh presioni i shtuar që përveç ndërmjetësuesve të BE-së dhe vendeve më të fuqishme evropiane si Franca, Anglia, Gjermania, e kohët e fundit vije, në doza të theksuara edhe nga emisarët e lartë të SHBA-ve, për formimin e asociacionit kundërkushtetues, një etnik serb, situata e ndryshuar kaq rrënjësisht, në favor të Serbisë, përkundër të gjitha luftërave dhe krimeve e gjenocidit të ushtruar gati në gjithë territorin e ish republikave të federatës jugosllave, deri në Kosovë, na jep të kuptojmë përfundimisht, se çdo veprim i pamatur i liderëve politik dhe shtetëror të Kosovës, të cilët do të mbajnë përgjegjësi për çdo të keqe që do ti ndodhë popullit dhe vendit tonë, mund të qojë në vendime të rënda, me pasoja afatgjata e ndoshta edhe shkatërrimtare për shtetësinë e brishtë të Kosovës”, ka nënvizuar Qarri.

Ai ka thënë se kërkohet që Kosova medoemos ta ruaj fort miqësinë me vendet si SHBA dhe presidentin Joe Biden që është më i lidhur me Kosovën.

“Prandaj, veçanërisht në gjendjen në të cilën ndodhemi aktualisht edhe me padijen dhe fajin tonë, kërkohet që Kosova medoemos ta ruaj fort miqësinë me vendet si SHBA dhe presidentin Joe Biden që është më i lidhur me Kosovën dhe më shumë se kushdo tjetër, garantojnë pavarësinë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit të Kosovës, veçmas në kontestin aktual të zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe botë, ku pesha e faktorit politik shqiptarë është baras me zero dhe pothuajse nuk ekziston fare”, ka përfunduar analisti.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat