Plani për shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës – Kështu Serbia po i shmanget pranimit të projektit franko-gjerman

Politika

Plani për shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës – Kështu Serbia po i shmanget pranimit të projektit franko-gjerman

Nga: P.R Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 21:12
Olaf Scholz, Albin Kurti, Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiq

Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet para pranverës 2023.

“Jemi pajtuar që të mos e zbatojmë vendimin tonë për të penalizuar drejtuesit e makinave me tabela ilegale serbe, ndërsa Serbia është pajtuar që të mos lëshojë më tabela të trashëguara nga regjimi i Millosheviqit. E bëmë këtë vetëm që ta deeskalojmë situatën, por edhe të krijojmë mundësi për të nisur shpejt negociatat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata duhet të përfundojnë para pranverës së vitit 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i këtij kompromisi”, u shpreh Kurti për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, deklaroi se qeveria e saj nuk do të diskutojë për projektin e ashtuquajtur franko-gjerman, nëse qeveria e Kosovës nuk realizon marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ndërkohë para disa ditësh presidentja Osmani publikoi faktin se Serbia nuk ka realizuar 13 marrëveshje të nënshkruara nga ajo vetë në Bruksel. Është shumë interesant sesi arrin Beogradi të manipulojë dhe të imponohet në diplomacinë e vet kësisoj”, thotë Bytyçi, cipas të cilit, Serbia po i shmanget pranimit të projektit franko-gjerman.

“Por kjo që kërkon Brnabiq nuk ka të bëjë thjesht me krijimin e Asociacionit. Kat ë bëjë me një objektiv të qartë, t’i shmangen diskutimit dhe pranimit të projektit franko-gjerman. Opozita në Kosovë ndërkohë është fokusuar te kërkesa që në projektin në fjalë të vendoset njohja përfundimtare e Kosovës nga ana e Serbisë. Memli Krasniqi ka artikuluar si kushtëzim edhe pranimin në NATO dhe Be të Kosovës. Është mirë që opozita në Kosovë bën propozime dhe jep rekomandime se si do të duhet të përfundojë marrëveshja midis dy vendeve ende në konflikt”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se çështja e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, gjë për të cilën duhet të këmbëngulë qeveria Kurti.

“Është mirë që qeverisë i thuhet të bëjë kujdes dhe të bëjë kërkesa shtesë për atë projekt. Megjithatë çështja kryesore është krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Së pari, ka shumë rëndësi që qeveria Kurti të këmbëngulë që Asociacionit dhe gjithçka tjetër të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare. Kjo do të thotë se duhet imponuar që ideja ose refuzimi i kryeministres së Serbisë të mos funksionojë. Diskutimi i Asociacionit si pjesë e paketës së përgjithshme të zgjidhjes e pengon Serbinë të prodhojë ndonjë kërkesë tjetër ndaj Kosovës, me qëllim që të pajtohet për një marrëveshje të tillë përfundimtare. Sepse tashmë edhe këto bisedime prej vitit 2011 e këtej kanë provuar se Beogradi ndjek taktikën e përfitimeve të vazhdueshme të pjesshme. Madje edhe për rishikimin e disa marrëveshjeve, si ajo e targave dhe dokumenteve të udhëtimit, të cilat duhej të zbatoheshin në vitin 2015, por që me këmbënguljen e Serbisë u shtynë për pesë vite të tjera, deri në shtatorin e vitit 2021. Tani ja ku jemi! Përsëri në konflikt me Serbinë për targat dhe dokumentet e udhëtimit”, shpjegon profesor Bytyçi.

Bytyçi thotë se Serbia synon shkatërrimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës me shtyrjen e marrëveshjes finale.

“Kjo taktikë serbe e përfitimeve të pjesshme për ta shtyrë pa fund marrëveshjen e njohjes së shtetit të Kosovës, synon shkatërrimin e shtetësisë dhe pavarësisë së vendit. Prandaj nuk duhet pranuar në asnjë rrethanë që Asociacioni të nënshkruhet jashtë marrëveshjes përfundimtare. Së dyti, Asociacioni do të duhet të mendohet mirë nga autoritetet dhe ekspertët e Kosovës, me qëllim që të evitohet një organizim paralel shtetëror në vend, ngjashëm si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë ose diçka edhe më e pakët se ajo republikë. Kjo do të thotë që Asociacioni nuk mund të prek karakterin unitar dhe multietnik të Kosovës. Kjo do të thotë që minoriteti serb në Kosovë të ketë të drejta të cilat janë aplikuar në raste të caktuara në Evropë. Pra, jo të krijohet një precdent i ri, i cili mund të përdoret si model për vendet e tjera”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, asociacioni duhet të hartohet me një statut ku nuk mund të parashikohen kompetenca ekzekutive.

“Nuk mund të vendosë një Asociacion, çfarëdo qoftë ai për projektet e zhvillimit dhe për çështjet e sigurisë, politikës së jashtme dhe imponimit të drejtësisë. Nuk mund të marrë Asociacioni, çfarëdo të jetë ai kompetenca për emërime e shkarkime të drejtuesve të institucioneve, qofshin këto edhe lokale. Mundet të bëhet pjesë me propozime, por jo në vendimmarrje. Formula e përjashtimit të autoriteteve qendrore është e papranueshme. Edhe pa Asociacionin ne e pamë se si imponohet Beogradi në çështjet e shtetësisë së Kosovës në veri të vendit. Ngjarjet e fundit janë një mësim i madh dhe mund të përdoren në bisedime si provë e asaj se si qeveria dhe presidenti i Serbisë ndërhyjnë në jetën dhe punët e brendshme të Kosovës, madje me paralajmërime kundër institucioneve, sidomos atyre të sigurisë”, thekson Bytyçi.

Po a mund të arrihet një marrëveshje finale gjatë vitit 2023, ashtu sic ka kërkuar Albin Kurti?

“Se marrëveshja mund të përmbyllet në pranverë ose jo, kjo varet sidomos nga gatishmëria e palës serbe. Po shoh se diplomat dhe politikanë të caktuar të Kosovës po i drejtohen zotit Kurti me kritika për atë që ata e quajnë popullzimi i kryeministrit. Po thonë edhe se popullzimi i zotit Kurti e pengon marrëveshjen përfundimtare. Kam ndjesinë se kjo kategori po i bëjnë thirrje njëkohësisht atij që të bëjë kompromise deri me territorin. Kësisoj m’u duk edhe një ambasador apo ish-ambasador në një intervistë në Euronews Albania”, nënvizon Bytyçi.

“Këto skema ne i njohim. Fatkeqësisht ka jo pak politikanë dhe diplomat në Kosovë e në Shqipëri që i bëjnë presion kryeministrit Kurti të bëjë kompromise me shtetësinë dhe territorin, me qëllim siç e quajnë ata “pajtimin me Serbinë”! Kjo është e tmerrshme! Kjo është e paparashikueshme! Absurde njëkohësisht!”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat