Vrasja që tronditi Kosovën!

Politika

Vrasja që tronditi Kosovën!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 dhjetor 2022 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit. Por, rastet me fund tragjik kanë qenë të rralla, edhe pse dhuna nuk ka qenë e panjohur.

Viktima e fundi është Hamide Magashi. Ajo ishte shtatzënë dhe u vra bashkë me foshnjën e saj që pritej ta lindte atë natë apo të nesërmen. Vrasja ndodhi derisa ajo ishte e shtrirë në spital, dhe kishte dalur me një shoqe për të blerë gjësende në oborrin e QKUK-së.

Autori dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin ishte ndarë pas tre muaj martesë. Dorasi ndodhet ende në arrati.

Kjo ishte një nga vrasjet më tronditëse, edhe reagimet vazhdojnë të jenë të shumta, madje duke kërkuar edhe dorëheqje morale, në zinxhirin e përgjegjësisë, sipas qeverisë, ndërsa sipas protestuesve edhe në qeverisje.

Dje pasdite u mbajt një protestë masive, ku qytetarët prishtinas dolën të kërkonin përgjegjësi dhe mbrojtje për gratë, që t’i jepet fund dhunës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave", ka thënë ajo.

Ndërsa, protestuesit që ishin mbledhur për të protestuar para Qeverisë së Kosovës pas vrasjes së parëmbrëmshme të shtatzënës, 35 vjeçare, para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK thërrisnin parullat: “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”, “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave!”.

Protestuesit kërkonin përgjegjësi institucionale për vrasjen.

Sipas të dhënave të policisë në periudhën janar-tetor 2022 janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2021 qenë raportuar 2.456 raste.

Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, sipas REL-it, në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Kjo është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë, pasi më 25 nëntor u raportua se një burrë 70 vjeçar, e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë. Ngjarja ka ndodhur po ashtu në Prishtinë.

Gashi: Kërkohet emancipimi i burrave që të pranojnë se gratë janë të barabarta me ta

Avokati Tomë Gashi, thotë se në këtë mes ka të bëjë mentaliteti i burrave që nuk i durojnë gratë të jenë të pavarura.

Image
Tomë Gashi

Sipas tij, duhet që të ndërrohet edhe ligji penal për raste të tilla, dhe të jetë mundësia e shqiptimit të dënimit me vdekje.

“Së pari është mentaliteti kinse i burrave që nuk i durojnë gratë që ato të jenë të pavarura, pastaj duhet të jetë dënueshmëria meritore me burg për ata që mbajnë armë pa leje.

Sepse deri më tani nuk kemi pas thuaja se asnjë rast që të ketë kryer krime të tilla pa pasë precedent të mëparshëm penal, e që zakonisht kanë qenë armëmbajtje, kërcënime dhe shantazhe.

Dhe ajo që duhet të jetë kryesorja është emancipimi i burrave që të pranojnë se gratë janë të barabarta me ta.

Dhe në fund duhet edhe të ndërrohet ligji penal sa që për raste të rënda penale si kjo të parashihet edhe mundësia e shqiptimit të dënimit me vdekje”, përfundon Gashi për “Bota sot”.

Shala: Duhet të kërkohet dorëheqje morale të 4 ministrive MPB, MD, MSH, Ministri Transfereve dhe Punës

Eksperti i sigurisë Drizan Shala për “bota sot” thotë se kjo çfarë ndodhi është një dështim i shtetit të Kosovës, që nga gjykata, policia e prokuroria.

Image
Drizan Shala

Në lidhje me situatën pas vrasjes se tani të ndjerës në oborrin e klinikës së Gjinekologjisë po e dëshmon edhe një herë faktin që shteti i Kosovës me gjithë akteret relevant ka dështuar në gjitha nivelet e tij.

Duke filluar nga Gjykata e cila ka lëshuar një mase mbrojtëse për viktimën tanimë dhe asnjëherë nuk ka kërkuar raport se a po zbatohet ky vendim i tij.

Ndërsa, Prokuroria ka neglizhuar situatën dhe potencialin e kryerësit të veprës penale sepse sipas shifrave zyrtare ka ra ndesh me ligjin dhe është konsideruar person me potencial rrezikshmërie për bashkëshorten”, thotë ai.

Shala siç e shpjegon, sheh një zinxhir të dështimit në këtë rast, duke filluar nga Policia e Kosovës që ka dështuar ta mbrojë viktimën, e pastaj edhe nga punonjësi social i Shtimes.

Policia e Kosovës në anën tjetër ka dështuar në përcjelljen e informacioneve për një person që ka urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata dhe që do të lëvizë nga vendbanimi, Shtime për në QKUK dhe kështu patrullat ta vizitonin, për të penguar rastin, për të parë nëse ajo kishte ndonjë shqetësim të mundshëm.

Në hallkën e dështimit është edhe punëtori social i Komunës së Shtimes që nuk ka ndërmarr veprime relevante për të njoftuar për lëvizjen e gruas si dhe kërcënimet e mundshme që mund t’i ketë marr viktima nga dorasi së fundi.

Duhet të kërkohet dorëheqje morale e 4 ministrave (Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Transfereve dhe Punës)”, nënvizon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat