Befason profesori nga Amerika: Rugova pati shumë atentate, donin ta mbanin larg nga pushteti, ja kush ishte i rrezikshëm për vendin

Politika

Befason profesori nga Amerika: Rugova pati shumë atentate, donin ta mbanin larg nga pushteti, ja kush ishte i rrezikshëm për vendin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 dhjetor 2022 Në ora: 13:11
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Dita e sotme shënon 78 vjetorin e ditëlindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova. Në këtë ditë, Rugova është kujtuar nga figura të ndryshme politike.

Rugova konsiderohet si vlerë kombëtare, ai që bëri historinë bashkëkohore të shqiptareve.

Profesori në Amerikë, Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Rugova me guximin e një intelektuali e ka ndarë popullin shpirtërisht nga shovenizmi i Millosheviqit.

Sipas tij, ai i ka treguar botës për Kosovën dhe keqtrajtimet.

“Ibrahim Rugova është vlerë kombëtare, njeriu që e bëri historinë! Rugova ishte dhe mbeti bir i madh i kombit. Ai bëri historinë bashkëkohore të shqiptarëve, u lidh me popullin në kohët më të vështira kur shqiptarët ishin të shtypur nga regjimet e armiqve tanë, që donin ta zhbinin nga faqja e dheut, duke i keqtrajtuar, duke i shpërngulur, duke ua zaptuar territorin.

E mori guximin prej intelektuali, e ndau popullin shpirtërisht nga shovenizimi i Millosheviqit duke e organizuar paralel jetën politike me shqiptarët në të gjitha sferat e jetës. Tërë jetën e vet e shkriu për pavarësinë e Kosovës. Ai i tregoi botës se ku gjendet Kosova. I tregoi botës se në Kosovë jeton një popull më i lashtë në Ballkan dhe se ai është i shtypur, i keqtrajtuar dhe bota i doli në ndihmë për ta çliruar Kosovën për të cilën ishte në gjendje edhe të jetë ta japë”, ka pohuar Maxharraj.

Edhe pas vdekjes së tij, Rugova ka vlerë edhe i rritet vlera, sipas Maxharrajt.

“Ai është biri me i devotshëm i cili doli nga gjiri i popullit, e udhëheqi atë me mençuri. Populli atë e respektonte, ia jepte votën sa herë që kishte zgjedhje. Dhe mu për këtë arsye ai mbetet ikona më e çmueshme e popullit shqiptar, mbetet figura që kurrë nuk shuhet në mendjen e popullit. Me fjalë tjera Presidenti historik Ibrahim Rugova është vlerë kombëtare, të cilit edhe për së vdekuri po i rritet vlera gjithnjë, e më shumë si frymë rugoviane. Edhe pas luftës deri në momentin e fundit të jetës, e udhëhoqi vendin si një lider i pa kontestuar. I fitoi të gjitha zgjedhjet e pas luftës sepse populli e donte e respektonte. Ai i vuri themelet e një qeverisje demokratike duke i formuar institucionet demokratike të Kosovës. Ai e qeverisi në mënyrë brilante Kosovën si president i parë historik. Insistonte në sovranitetin e Kosovës dhe të pa cenushmërinë e kufijve, sepse theksonte se Kosova është një dhe se nuk ndahet”, ka theksuar profesori.

Image
Binak Maxharraj

Sipas tij, Rugova kishte edhe shumë tentim atentatesh, donin ta zhduknin dhe ta mbanin larg nga pushteti dhe kështu ndodhi.

“ Ai kishte miq të shumtë ndërkombëtarë, e gjitha bota e respektonte dhe e nderonte, gjithkund pritej si një burrë i madh si një lider i pa kontestueshëm. Por, brenda për brenda vendit kishte edhe të të tillë, të cilët nuk e donin, donin ta zhdukshin për të hypur vetë në pushtet. Pati edhe shumë tentim atentatesh ndaj tij të cilin donin ta zhdukshin, sepse ua kishte”zënë rrugën”për pushtet. Jo rastësisht Rugova patë thanë së Thaçin duhet mbajt larg pushtetit, sepse është shumë i rrezikshëm për shtetin. Dhe kështu ndodhi”, ka shtuar Maxharraj.

Në ditëlindjen e presidentit historik, reaguan figura të ndryshme politike, por jo edhe krerët e shtetit, si Kryeministri i Kosovës apo kryeparlamentari.

Një mos reagim, e mos përmendje të atillë, Rugova mungoi edhe nëpër fjalimet e mbledhjes së dy kuvendeve (Kosovë- Shqipëri) gjatë shënimin të Pavarësisë së Shqipërisë.

Profesori Maxharraj, veçoi fjalimin e kryeparlamentarit, duke e quajtur kapriçoz dhe të turpshëm.

“Por këto ditë në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë u shënua përvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë me ç’rast u mbajt për herë të parë mbledhja e përbashkët e të dy parlamenteve atij të Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte kjo një ngjarje madhore kur dy Parlamentet u mblodhën për të përkujtuar historikun, katrahunën nëpër të cilën kaloi kombi shqiptar. Ishte kjo një histori e dhimbshme e përgjakshme, e vuajtjes dhe sakrificës, nëpër të cilën kaloi kombi shqiptarë në luftë të përhershme me armiqtë tanë shekullor sa që të cilt ne vazhdimësi gllabëronin tokat shqiptare dhe tkurrjen e tyre si komb.Në Parlamentin e përbashkët u mbajtën fjalë të rastit për historinë tonë kombëtare. Folën shumë syresh, president, ministra, kryeministra, njerëz të shkencës dhe kulturës për rëndësinë e 110- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë rast ia vlen te veçohet fjalimi i veçantë, do thosha skandaloz i krye parlamentarit të Kosovës Glauf Konjufca i cili i habiti të gjithë të pranishmit të pranishmit në Parlamentin e përbashkët”.

“Në fjalimin e tij kapricioz prej injoranti ai aksidentalisht, turpshëm, pos disa figurave tjera me pak të rëndësishme, nuk e zu n’hojë emrin e presidentit historik Ibrahim Rugovës, njeriun që e bëri historinë e Kosovës, njeriun i cili herët shumë herët i tregoi botës se ku gjendet Kosova në të cilën me shekuj jeton kombi më i lashtë në Evropë të cilëv po u shkelen të drejtat elementare, i cili po vritet dhe deportohet dhunshëm nga trojet e veta”, ka vlerësuar Maxharraj.

Sipas tij, veprimi i Konjufcës mund të jetë gafë e qëllimshme e tij për ta injoruar figurën madhështore të presidentit Rugova.

“A është kjo një gafë e Konjufcës e rastit apo thjesht e qëllimshëm e këtij njeriu me pikëpamje neomajtiste, kjo le të mbetet në ndërgjegjjen e tij. Po si është e mundur që një kryeparlamentar të mos e përmend emrin e presidentit Rugova, njeriut që e bëri historinë, njeriut i cili është kalitur thellë në zemrat e popullit shqiptar. Do thosha se mbase është një gafë e tij e qëllimshme i bërë me dashje me të vetmin qëllim, për ta injoruar figurën madhëtshtore të presidentit Ibrahim Rugova. Kjo as se si nuk do të duhej njeriut i cili gjendet ne kupolën e shtetit”, ka përfunduar Maxharraj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat