Sulme të vazhdueshme në veri, analisti jep paralajmërim jo të mirë: Ja kë mund të vras Serbia si kurban

Politika

Sulme të vazhdueshme në veri, analisti jep paralajmërim jo të mirë: Ja kë mund të vras Serbia si kurban

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 dhjetor 2022 Në ora: 15:49
Foto ilustrim

Veriu i Kosovës nuk është duke u qetësuar nga sulmet e një pas njëshme që po ndodhin.

Mbrëmë në ora 23:00, Policia e Kosovës ka njoftuar se një polic është sulmuar nga grupe të armatosur në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Sulmi ka ndodhur menjëherë pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, në të cilën ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Kurse, në ditën e sotme sulmet nuk janë ndalur. Persona të armatosur kanë sulmuar dy gazetarë e një kameraman, e pastaj raportohet edhe për sulme ndaj dy personave tjerë të një kompanie të sigurimit.

Sulmi sipas Policisë, ka ndodhur derisa viktimat ishin në vendin e tyre të punës.

Njëri nga ta ka pësuar edhe lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

“Viktima mashkull kosovar punëtor i kompanisë së sigurimit, ka pësuar lëndime pasi që i njëjti së bashku edhe me dy punëtor të kompanisë, nga të dyshuar deri më tani të pa njohur janë sulmuar me armë zjarri derisa ishin në vendin e tyre të punës. Viktimës për shkak të lëndimeve, i është ofruar tretman mjekësor në spitalin rajonal. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa njësitet policore janë duke ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkombëtarë e vendor kanë reaguar pas këtyre sulmeve, e pas situatës së krijuar në përgjithësi në atë pjesë të Kosovës.

Ndërsa, në anën tjetër analistët politikë thonë se pritet tensionim i situatës edhe më tutje dhe se Serbia mund të vras ndonjë serb si kurban për Asociacionin.

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se situata në veri është kaotike.

Ai ka rikujtuar deklaratën e presidentit serb që kishte dhënë në të kaluarën.

“Situata në veri është kaotike, pasojë e lazdërimit të serbëve për 20 vjet nga ish- qeveritë e kaluara. Serbia synon të ketë trazime, pse jo edhe ndonjë serb për ta vrarë kurban për të kërkuar Asociacionin. Ky edhe është qëllimi kryesor i tyre, të cilën Vuçiqi po e shtyn përpara me të gjithë forcat duke përfshirë edhe kriminelët në atë pjesë”, ka pohuar Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti, analist politik

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë, ku kryeministri foli rreth situatës në veri ku tha se do të koordinohen me ndërkombëtarët.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Republika e Kosovës të themelojë Asociacionin, ai ka thënë se s’mund të shtrosh kërkesa fëmijërore

“Unë po dua”, duke shtuar tutje se “ti po don po nuk bohet”. “Nuk mundesh në dialog të shtrosh kërkesa fëmijërore. Këtë gjë po e bën Beogradi. Po thotë këtë gjë e dua për vete. Nuk mund të shtrosh kërkesa fëmijërore, unë po dua, ti po don po nuk bohet. Pra duhet ta imagjinosh çka ndodh nëse e njëjta gjë të shtrohet ty. Këtë duhet ta paraqesim gjithmonë, sepse kjo është një mënyrë tjetër për ta elaboruar pak më gjatë reciprocitetin si parim i shëndosh i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Kurti.

Analisti politik, Faton Mehmeti ka thënë se Asociacioni po përdoret nga Beogradi si kartë për ta paraqitur para serbëve si fitore të Vuçiqit.

Sipas tij, pritet të ketë tensionim të situatës në veri, nëse qeveria vazhdon aksionet e saj në atë pjesë.

“Pres që të ketë tensionim të situatës në veri, në veçanti nëse vazhdon qeveria me aksionet e saj në atë pjesë. Qeverisë Kurti i ra barra kryesore e problemeve 20 vjeçare në të gjitha fushat, me veriun pjesën më të ndjeshme. Asociacioni po kërkohet nga Beogradi si kartë për ta paraqitur para serbëve si fitore të Vuçiqit”, ka shtuar Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat