“Zajednica” në Kosovë, asociacioni i komunave greke në Shqipëri, çfarë po ndodhë me shqiptarët?

Politika

“Zajednica” në Kosovë, asociacioni i komunave greke në Shqipëri, çfarë po ndodhë me shqiptarët?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 dhjetor 2022 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Kosova vazhdon të jetë nën trynsninë e diplomacisë perëndimore për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kurse në Shqipëri ka nisur të flitet për “asociacionin e komunave greke”.

Diplomatë dhe ekspertë në Shqipëri, knë alarmuar se kryeministri i Greqisë, Micotaqis po përpiqet ta zyrtarizojë krijimin e një “asociacioni të komunave greke” në Shqipëri.

Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shtypi grek kishte raportuar se tre komunat shqiptare, sipas Athinës janë komuna greke.

Alarmi për rrezikun nga Greqia

Diplomati Shaban Murati këtë e ka quajtur skandaloz duke thënë se atë që Greqia nuk e arriti në vitin 1912, po mundohet ta arrijë në 2022.

“Nuk e arriti Venizellos në 1912, por po e arrin Micotaqis në 2022 për të rindërtuar “Vorio Epirin” grek në territorin e Shqipërisë. Për herë të parë kryeministri i Greqisë zyrtarizon Himarën si komunë greke dhe e bashkon atë me projektin qeveritar grek të “asociacionit të komunave greke” në Shqipëri. Skandaloze në planin diplomatik dhe shtetëror është fakti që kryeministri i Greqisë Micotaqis do të zhvillojë turne zyrtar në tre “komunat greke” në Shqipëri pa qenë dhe pa  bërë vizitë zyrtare dypalëshe në shtetin e Shqipërisë. Mospërfillja greke ndaj dinjitetit dhe sovranitetit të Shqipërisë shkon deri në absurdin që kryeministri grek, pa vizituar Shqipërinë vjen dhe zhvillon turne zyrtar vetëm në tre “komunat greke”, ku realizon rivendikimin grek edhe për Himarën, e përfshirë në hartën e re diplomatike të qeverisë greke me emrin “Asosiacioni i komunave greke” në Shqipëri”, ka shkruar Murati.

Por, gjatë samitit BE-Ballkani perëndimor, Micotaqis, hoqi dorë nga ajo vizitë e paralajmëruar.

Analistët politikë thonë se asociacioni i komunave greke nuk mund të ndodhë në Shqipëri pasi që nuk ka shumicë greke, ndërsa duke folur rreth asociacionit të komunave serbe në Kosovë, ata shprehen se do të ishte mirë të krijohet një zonë ekonomike në pjesën veriore të Kosovës.

Analisti politik në Shqipëri, Shpëtim Nazarako, ka thënë për “Bota sot”, se në Shqipëri ekziston forma territoriale.

Image
Analisti politik në Shqipëri, Shpëtim Nazarako

Sipas tij, është e natyrës së çuditshme sepse nuk ekziston në kuptim asocimi i komunave greke apo bullgare.

“Natyrisht se kjo do të ishte dhuratë, por kjo s’do të ndodhte, sepse me sa di unë të paktën,  në Shqipëri nuk ka asociacion të komunave greke dhe kjo nuk mund të ndodhë, sepse në Shqipëri është ndryshe. Në Kosovë bëhet reforma territoriale dhe minoritetet kërkojnë. Në Shqipëri kjo gjë është e rregulluar përmes formës territoriale dhe nuk mund të ndodhin organizime të tilla. Domethënë këtu, siç të thashë do të ishte natyrë e pikës së çuditshme, sepse këtu nuk eksiton në kuptimin e asocimit të komunave greke, apo gjërat e këtij lloji apo bullgare. Natyrisht zhurmat që bëhen në prag të reformave territoriale, por asnjëherë nuk fitojnë. Në zonat e jugut për shkak të ndërhyrjeve, herë pas here ose fuqizimit me anë të pensioneve që jepte dikur Greqia, në këtë lloj mund, por unë besoj se është histori e mbyllur me kohë, nuk besoj që nuk fiton asnjë lider, qoftë Rama këtu, qoftë Kurti atje nuk e kanë mundësinë, e as terrenin, as psikologjinë kombëtare”, pohoi Nazarako.

Të njëjtat të drejta edhe për shqiptarët në Kosovën lindore

Ndërsa, duke folur rreth asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Nazarako jep propozimin, që dikur e afirmonte Behxhet Pacolli, se atje duhet krijuar një zonë e lirë ekonomike.

“Ndërsa, sa i përket Kosovës e di që është një çështje shumë e nxehtë dhe mendoj se nuk mund të zgjidhet pa atë kundër dhuratën të themi, sepse shqiptarët kanë pasur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc një shumicë të tillë dhe besoj që duhet edhe ata të krijojnë të drejtat. Në pikëpamjen praktike, më shumë sesa asociacioni i komunave serbe të themi më tepër zgjidhje do të ishte, për mendimin tim të ishte zgjidhja e problemit të Mitrovicës së veriut, nëpërmjet krijimit të një zone të lirë ekonomike, e cila do të ishte e standardeve ndërkombëtare, natyrisht në territorin e Kosovës në këtë rast, por një zonë e mirë ekonomike për t’i ulur tensionet, për arsye se siç mendoj unë është një zonë që dikur kishte qenë e pasur edhe për shkak të minierave, minierës së njohur, ndoshta në pikëpamje ekonomike është bërë e vështirë edhe për vetë shqiptarët duke parë buxhetin”.

“Kështu që zgjidhja më e mirë që do t’i gëzonte të dyja palët është zgjidhja përmes një zone ekonomike, brenda territorit të Kosovës, sepse nëse buxheti para luftë p.sh. ka qenë 10 lekë dhe tani është bërë 1 lekë, gjendja është bërë e vështirë si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët. Kurse pretendimet e tipit politik janë një budallallëk, padiskutim budallallëk i madh, sepse unë nuk mendoj që serbët përfitojnë diçka nga kjo histori”, deklaroi Nazarako.

Gjersa, diplomati Murati thotë se kryeministri i Shqipërisë ka vënë në dispozicion të kryeministrit grek helikopterin qeveritar shqiptar për të realizuar turneun e përurimit të “Asociacionit të komunave greke” në Shqipëri, analisti politik Ilir Vata thotë se nuk mund të bëhet ky asociacion pa pasur shumicë greke.

Vata ka sqaruar edhe çështjen e Çamërisë dhe ujërave territoriale.

Image
Ilir Vata

“Për sa i përket asociacionit me komuna serbe në Kosovë dhe asociacionit me komuna greke në Shqipëri, pas pasur shumicë greke nuk mund të hidhet si paralele. Çamëria është territor shqiptar ashtu si Kosova dhe grekët kanë kërkuar ndarjen e ujërave territoriale dhe çështja është në gjykatë ndërkombëtare. Qeveria shqiptare nuk ka kërkuar Çamërinë, por thjesht ka pranuar kërkesën greke për të ndarë zonë ujore dhe tashmë po punohet drejt një marrëveshje që të prezantohen pretendimet në gjykatën ndërkombëtare. Por, në këto kushte nuk është Shqipëria vetëm me Greqinë, por dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Shqiptarët ndahen me shqiptarë e vet në vijnë kufitare, ashtu si dhe Kosova ka territore të saj në kufij, në anën serbe edhe se ka marrë pavarësinë. Pra kjo është një çështje kombëtare që padrejtësia ka 110 vite që rëndon mbi shqiptarët, por rasti në veri të Kosovës nuk ka qëllim në vete asociacionin e komunave me shumicë serbe, por një rast për të nxitur konflikt në Kosovë, si qëllim final i Rusisë për të shpërndarë konfliktin në Evropë, apo për të bërë presion perëndimi në lidhje me rastin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia”, thotë analisti Vata.

Asociacioni është një shpikje e Serbisë

Ndërsa, sa i përket asociacionit të komunave serbe në Kosovë ai shprehet se është shpikje e Serbisë për të krijuar probleme.

“Asociacion është një shpikje për t’i krijuar probleme Kosovës ose për t’i mbartur një probleme brenda shteti të saj, dhe më keq akoma për të tentuar për t’i hequr një pjesë. Çdo marrëveshje mes Kosovës e Serbisë duhet të zhvillohet me praninë të SHBA-së dhe BE-së, sepse nëse njëra palë do të veprojë më vetë, pra pa SHBA, ana do të anojë nga ajo serbë. Qeveria e Kosovës ka të drejtën e saj të ushtrojë kompetenca ligjore brenda territorit të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e saj, dhe në këtë rast kryeministri Albin Kurti po vepron sipas ligjit dhe kushtetutës, me një kah kundër asociacionit. Pra, Kurti ia ka vënë shpatullat shtetit ligjor në Kosovë, integriteti territorial dhe do ta çojë deri në fund, mbase dhe me kosto politike në dëm të tij, por në anë të Kosovës”, ka pohuar Vata.

Sipas tij, serbët nuk e kanë qëllim marrëveshjen -asociacionin, por zgjerimin e konfliktit rus-shqiptar.

“Serbët nuk kanë qëllim marrëveshje asociacioni, por zgjerimin e konflikti ruso-shqiptar, që në 1913 janë ndëshkuar nga Evropa dhe pasojat po i vuajmë edhe sot, madje kohët e fundit po i mëshohet një tjetër cungimi të territoreve të saj në veri të Kosovës. Edhe se është vendosur në marrëveshjen e Brukselit në 2013, Asociacion me komuna serbe në Kosovë është i paligjshëm sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sovranitetit të vendit. Sipas marrëveshjes Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilët janë në Mitrovicën e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Të drejta e minoriteteve garantohen nga kushtetuta edhe karta e të drejtave të njeriut në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë analisti.

Ai ka kërkuar që politika në Kosovë të ketë një qëndrim të përbashkët.

“Politika në Kosovë duhet të ketë një qëndrim të përbashkët për sa i përket Asociacionit me komuna serbe në Kosovë. Derisa Kosova është në dialog me Serbinë, atëherë palët kanë të drejtë të mbajnë qëndrimet e tyre për mbrojtjen territoriale të Kosovës dhe mos lejimin e palës tjetër të fus hundë në shtetin fqinjë. Tashmë Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndryshme dhe duhet të respektojnë pavarësinë institucionale dhe territoriale të vendeve”, ka theksuar analisti.

Greqia ka qenë agresive ndaj Shqipërisë

Ndërsa, duke folur rreth asaj se a është një dhuratë anti-shqiptare asociacioni i komunave greke, Vata ka thënë se Greqia ka qenë agresive ndaj Shqipërisë, me të njëjtën forcë si Serbia vite më parë.

“Në plan të parë është marrëveshja Kosovë Serbi, ku në themel është njohja e Kosovës nga Serbia, pas pranimit të pikës së parë, në prani të SHBA/BE Kosova mund të hyjë në marrëveshje me Serbinë për shumë probleme të tjera. Për sa i përket pyetjes a është kjo dhurata e dytë anti shqiptare e Ramës, mund të them se Greqia ka qenë shumë agresive ndaj Shqipërisë me të njëjtën forcë si dhe Serbia vite më parë, por tani po punon nën rrogoz. Druhem se marrëveshja me detin ka në mes hile greke, që lë të dyshojë çdo shqiptar. Politika shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe faktori shqiptar në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi duhet të kenë një plan kombëtar për mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve në rajon dhe funksionimin si një etnitet kombëtar kur bëhet fjalë për çështje territoriale. Por, kjo ka munguar dhe mungon dhe sot, dhe Albin Kurti është lënë i vetëm në betejë me serbët”, ka theksuar Vata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat