Shqiptarët të gatshëm të mobilizohen kundër Serbisë në veri!

Politika

Shqiptarët të gatshëm të mobilizohen kundër Serbisë në veri!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 dhjetor 2022 Në ora: 10:21
Pamje nga veriu i vendit

Veriu i Kosovës nuk po gjen qetësi. Serbia vazhdimisht po e kërcënon Kosovën me luftë.

Të shtunën, në veri u bllokuan rrugët, vetëm në Rudarë janë vendosur me dhjetëra makina të rënda e të lehta, si kamionë, automjete dhe madje edhe tetë automjete ambulance. Kurse, bllokada të rrugëve ka edhe në Soqanicë të Leposaviqit dhe Zubin Potok, të dyja këto komuna me shumicë serbe.

Heqjes së barrikadave i është kushtuar edhe vizita e të dërguarit të posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është takuar veçmas me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Presidentja Osmani bëri thirrje që menjëherë të hiqen barrikadat nga rrugët në veri.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në takim me Eskobarin është biseduar për heqjen e barrikadave dhe shfaqet si qëndrim i përbashkët. “U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë. Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në fund.

Kryeministri Kurti, edhe para këtij takimi i ka bërë thirrje KFOR-it, që të largohen barrikadat e vendosura nga grupet kriminale serbe, ndërsa ka deklaruar se Kosova është e gatshme t’i përgjigjet çfarëdo agresioni serb.

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka thënë Kurti.

Në përpjekje për të ndihmuar vendosjen e rendit kushtetues dhe ligjit në veri, pas kërcënimeve të Serbisë se do t’i dërgojë në Kosovë një mijë trupa, kanë reaguar pensionistët e policisë, duke theksuar se një mijë policë janë të gatshëm të veshin unifromën.

Por a është e gatshme Kosova të mobilizohet për mbrojtje të vendit?

Shala: Mobilizimi në Kosovë nuk është i rregulluar në formën normative

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, thotë se mobilizimi në Kosovë nuk është i rregulluar në formën normative, por sipas tij, mobilizimi si veprim mund të bëhet mbi baza vullnetare.

Image
Drizan Shala

Në lidhje me mobilizimin, që ju e parashtroni, në Kosovë nuk është i rregulluar në formë normative, dhe nuk ka mundësi që këtë pjesë ta organizojë shteti në formën klasike siç e kanë vendet tjera.

Por, mobilizimi si veprim mund të bëhet në këto kushte dhe rrethana mbi bazën vullnetare për t’iu përgjigjur nevojës shtetërore”, nënvizon Shala.

Sipas tij, në kushte normale do të ishte një mobilizim 2% i popullsisë.

Ndërsa me anë të normatives që mungon po të ishte, do të dihej mirë vendi ku duhet me u mobilizu, do të kishin me ekzistuar oficerë/nënoficerë aktiv që do ta trajtonin procesin e mobilizimit, të përcjellur me pjesë logjistike etj.

Në rrethana normale do të ishte një mobilizim 2% i numrit të popullsisë në Kosovë sipas parashikimeve”, deklaron ai.

Kelmendi: Në luftë me agresorët neofashist serbë do të jetë kombi shqiptar unik

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se shqiptarët gjithmonë kanë treguar unitet ndaj atdheut, ndaj çdo lufte dhe kanë dhënë maksimumin e tyre.

Image
Muhamet Kelmendi

Kosova dhe shqiptarët kanë treguar çdo herë një afinitet të atdhedashurisë dhe në çdo luftë kanë patur mobilizim të madh, si dhe kanë dhënë maksimumin e vetë. Edhe në luftën e fundit të udhëhequr nga UÇK-ja u tregua një ndjenjë e lartë e atdhedashurisë dhe në tërësi në luftën çlirimtare morën pjesë qindra, e mijëra vetë. Paraqitja e një mijë policëve në pension për të vepruar në mbrojtje të Republikës së Kosovës është gjë shumë pozitive dhe domethënëse për shtetin”, thotë ai.

Nëse vjen çështja për mbrojtjen e atdheut, Kelmendi thotë se mobilizimi i kombit shqiptar do të jetë i gjerë.

Sipas tij, agresionit serb, shteti do t’i përgjigjet masivisht, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga trojet etnike në Ballkan dhe mërgata.

Mirëpo, nëse vjen çështja për të vepruar në mbrojtje të Republikës, përkatësisht të atdheut, kundër shtetit neofashist serb dhe kriminelëve banditeskë, mobilizimi i kombit shqiptar do të jetë i gjerë.

Tash për tash nuk mund të dihet se nga shtresat shoqërore si do të veprohet? Sa do të mobilizohen dhe çfarë do të jetë reagimi i mërgatës dhe i kombit shqiptar? Megjithatë, dihet se tash është kohë tjetër. Populli ka tjera ndjenja politike dhe kombëtare. Lidhjet në mes kombit shqiptar janë shumë më të forta. Këtej edhe mobilizimi do të jetë adekuat. Masat do të përgjigjen me mobilizim të përgjithshëm.

Jo vetëm nga Kosova, por edhe nga mërgata, sikundër edhe nga viset shqiptare në Maqedoni, në Serbi, në Malin e Zi dhe kuptohet nga shteti amë, Shqipëria, do të vijnë në mbrojtje të atdheut. Kombi do të përgjigjet në union. Nuk do të mbetet krahinë shqiptare, pjesë e popullit tonë, pavarësisht vendit ku gjendet, që nuk do të mobilizohet në çështjen kombëtare. Nuk ka ku shkohet. Okupatori serbomadh e ka mbushur kupën. Përgjigjja do të jetë mbarë kombëtare. Kombi shqiptar do të jetë i tëri në këmbë”, përfundon Kelmendi për “Bota sot”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me shpresë të uljes së tensioneve dhe në respektim të kërkesave të shteteve perëndimore, për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ka shtyrë zgjedhjet në komunat veriore.

Ato do të mbahen në prill të vitit 2023.

Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo në një konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat