Çfarë ndodhi prapa skenave? Ish-ambasadori holandez: Vuçiq u shpërblye për barrikadat, ja pse ndërkombëtarët s’mund ta dënojnë Serbinë

Politika

Çfarë ndodhi prapa skenave? Ish-ambasadori holandez: Vuçiq u shpërblye për barrikadat, ja pse ndërkombëtarët s’mund ta dënojnë Serbinë

Nga: A.Zh Më: 2 janar 2023 Në ora: 21:03
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, e ka vlerësuar si përsëritje të viteve të 1998/99, skenarin e barrikadave në veri të Kosovës, ku serbët lokalë bllokuan për tri javë rrugët me kamionë, pas arrestimit t ëish-policit serb Dejan Pantiq.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bosch ka akuzuar Listën serbe, pjesë të Kuvendit të Kosovës, se ka sajuar histori për keqtrajtim të serbëve në Kosovë, duke provokuar krizë ndërmjet të dyja vendeve.

“Gjithçka dukej si një përsëritje e viteve 1988/89. Histori të sajuara keqtrajtimit të serbëve në Kosovë, të pavërteta dhe krizë të provokuar nga Lista serbe (lexo Beogradi) dhe për të mbrojtur serbët e varfër Beogradi duhej të vepronte. Sërish Millosheviq i pastër”, ka thënë ish-ambasadori.

Heqjen e barrikadave në veri, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si “fitore të vogël diplomatike” të Serbisë. Ai ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë të luftojë për Kosovën edhe në takimin me fuqitë e mëdha, që sipas tij, do të mbahet në janar.

“Në gjysmën e parë të janarit, pres që njerëzit e mëdhenj nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje", ka thënë Vuçiq, teksa ka shtuar se i frikësohet “shumë papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Se Vuçiq u shpërblye për uljen e tensioneve me Kosovën, e konfirmon edhe Robert Bosch, duke paralajmëruar se ai do të përpiqet të marrë edhe më shumë nga ndërkombëtarët.

“Sigurisht që presion ishte i madh, sidomos ndaj Vuçiqit që të mos e teprojë me dorën e tij, por, unë nuk jam më pjesë e lojës, sinqerisht besoj që Vuçiq u shpërblye shumë për uljen e tensionit, sikur të jetë kështu, ai do të përpiqet përsëri për të marrë edhe më shumë”, është shprehur diplomati.

Sipas tij, Perëndimi nuk mund ta dënojë Serbinë, pasi e dinë se Vuçiqi mund ta bëjë në Kosovë, atë që e bëri Vladimir Putin në Ukrainë.

“Problemi për perëndimin sipas meje është se nëse vërtet dënojnë Serbinë, nuk do të kenë më asnjë levë dhe Vuçiqi mund të bëjë të pamendueshmen ashtu siç bëri miku i tij Putin në Ukrainë. Pra, përsëri në varësi të asaj që ndodhi prapa skenave, unë kam prirje të mos jem shumë optimist. Megjithatë, le të shpresojmë se jam gabim”, ka shtuar ish-ambasadori Bosch, për gazetën “Bota sot”.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, paralajmëroi se në vitin 2023 pret paqëndrueshmëri të mëtejshme në Kosovë. Madje ajo ka bërë përgjegjës kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, për situatën e krijuar.

Kryeministri Kurti, ka njoftuar se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve, ka qenë se nuk ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar ka mohuar kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat