Favorizoi Vuçiqin, eurodeputetët ia dhanë një grusht Varhelyi-t – Ky është lajm i mirë për Kosovën!

Politika

Favorizoi Vuçiqin, eurodeputetët ia dhanë një grusht Varhelyi-t – Ky është lajm i mirë për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 janar 2023 Në ora: 14:02
Komisionari për zgjerim të Bashkimit Europian Oliver Varhelyi.

Këtë javë deputetët e Parlamentit të Evropës kërkuan të bëhet një hetim ndaj Komisionarit për zgjerim të Bashkimit Europian Oliver Varhelyi. Deputetët shprehin shqetësimin se ai favorizon presidentin serb prorus, Alexander Vuçiq.

Ata hodhën dyshime se raportet e progresit kanë favorizuar autokratët në Ballkan, si Vuçiqin.

Në raportin e miratuar gjatë ditë së mërkurë nga Parlamenti i Evropës në Strasburg, eurodeputetët i kërkuan komisionit të BE-së të nisë një “investigim të pavarur dhe të paanshëm” për të parë se a është politika dhe sjellja e Komisionarit për zgjerim Oliver Varhelyi, në kundërshtim me kodin e sjelljes së Komisionit dhe të BE-së.

Në raportin vjetor për zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), të miratuar të mërkurën me 407 vota pro, 92 kundër dhe 142 abstenime, PE shpreh shqetësimin për informacione që supozojnë se politikani hungarez “përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE)".

Grupi S&D, i socialistëve dhe demokratëve, në Parlamentin Evropian, i cili promovoi peticionin, tha se ishte "i alarmuar nga lajmet" për veprimet e Komisionarit. “Komisionari Várhelyi vazhdimisht relativizon sulmet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj demokracisë dhe mbështet veprimet separatiste të Milorad Dodik”.

Po ashtu sipas eurodeputetëve që kërkojnë hetimin, besohet se kreu i Bashkimit Evropian, Komisionari Oliver Varhelyi, po i mbështeste pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.

Analistët për “Bota sot” komentuan ndikimin e këtij hetimi të Komisionarit evropian në politikat e Kosovës.

Preqi: Zbulimi i Komisionarit evropian Varhelyi do të ndikojë në favor të Kosovës

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi hetimin që PE-ja po kërkon të bëhet ndaj Komisionarit evropian Varhelyi.

Fillimisht, ai përmendi faktin se Komisionari hungarez është mbështetës i politikave të kryeministrit Viktor Urban, i cili është nga përkrahësit më të fuqishëm të politikave fashiste të Putinit.

“Nuk është e çuditshme, Evropa mund t’ia sheh sherrin Serbisë, nëse diplomacia e saj do të anonte dhe mbështeste politikat jo parimore dhe antidemokratike, sikur që po veprojnë krerët e saj, duke e mbështetur Beogradin dhe Moskën, apo me një fjalë tjetër, kundër iniciativave parimore evropiane.

Eurodeputetët e Parlamentit Evropian së shpejti do e miratojnë Raportin për themelimin e një komisioni hetimor, të cilët do të zbulojnë veprimet e komisionarit Evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili haptas po bëhet krah i Vuçiqit dhe i Putinit.

Hungarezi Oliver Varhelyi, është ithtar i politikave të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Urban, i cili është ndër mbështetësit e njohur të politikës fashiste të Putinit, që pretendon ta pushtojë Ukrainën, dhe pothuaj se e gjithë bota demokratike është kundër kësaj lufte, në këtë sfond dallohet edhe përkrahja e atyre që e dëshirojnë të kundërtën e demokracisë dhe lirisë njerëzore”, deklaroi opinionisti.

Po ashtu, Preqi tha se më së shumti nga vendet e Ballkanit Perëndimor, po e pëson Kosova nga rolet destruktive të disa krerëve evropianë.

Kësisoj, ai e konsideroi kërkesën për hetim të Varhelyi si sinjal për BE-në dhe SHBA-në.

“Komisionari Evropian dhe krerët tjerë të këtij forumi do të duhej të luanin një rol të fuqishëm dhe kyç në mbrojtjen e paqes dhe të integritetit në vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë pjesë e familjes së ardhshme evropiane, siç është Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi, mirëpo siç duket komisionari në fjalë Oliver Varhelyi, nuk do të ishte i vetëm, po ashtu edhe më herët kur ishte edhe Federika Mogherini, si përfaqësuese e lartë e BE-së, i bënin trysni Kosovës, duke e mbështetë Serbinë dhe politikat e saj, për ta ndarë veriun e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij Kosova po vazhdon të shantazhohet nga Serbia, për shkak të qëndrimeve destruktive të disa zyrtarëve të lartë të BE-së.

“Duke marrë parasysh rolin destruktiv të misionit të disa krerëve evropian, ndër të tjera Kosova, po pëson më së shumti, e cila po kërcënohet dhe shantazhohet përditë nga fqinji i vet verior Serbia, dhe si pasojë e saj, do të pësojë edhe gjithë rajoni. Në këtë mënyrë po shihet qartazi se integrimi i këtyre vendeve në Ballkanin perëndimor po shkon duke u zbehur dhe në shumë raste kjo neglizhencë sikur po sinjalizon një lloj konstrukti, që përjashton aspektin e një vizioni të kthjellët dhe optimist për këto vende, nëse BE-ja, dhe bashkësia ndërkombëtare në krye me SHBA-të, do e lejojnë një gjë të tillë të merr kahje të kundërt”, theksoi ai.

Më tej, opinionisti tha se hetimet ndaj mbështetësve serbo-rusë do të ndikojë në favor të Kosovës, pasi kështu mund të ndalet hovi i veprimeve antidemokratike.

“Prandaj, hetimi i një zbulimi ndaj komisionarit Evropian dhe mbështetësve të tjerë të politikave hegjemoniste serbo-ruse, një rrjedhë e tillë e këtyre zbulimeve, do të ndikojë shumë në favor dhe në të drejtat e Kosovës dhe parimet e saj, po ashtu dhe në favor të vendeve të rajonit, dhe me një opsion optimist se aksioneve të tilla, do u ndalet hovi dhe akterët e tillë të ndëshkohen për veprimet e tyre antidemokratike, konkretisht dhe antishqiptare.

Është fakt se Kosova, po vonohet në hapat e saj drejtë integrimeve Euroatlantike, për shkak jo vetëm të neglizhimeve të saj dhe krijimit të kushteve që i kërkojnë rrethanat, por Kosova, po vonohet edhe për shkak të neglizhencës së akterëve Evropian, të cilët janë të fiksuar në një shirit tjetër, që po i josh Serbia, me iniciativat dhe këshillat e Rusisë, që nuk jep shpresa dhe optimizëm për vendet e Ballkanit perëndimor, të ngjitën apo të marrin përcaktimin e tyre në konceptin e materies për të cilën edhe janë orientuar ti bashkëngjiten familjes europiane”, nënvizoi Preqi.

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, i cili ishte nismëtar i kërkesës për ta hetuar Komisionarin Várhelyi për rolin e tij në Ballkanin Perëndimor tha shprehimisht se roli i Komisionit është t’i mbrojë kufijtë e shteteve kandidate për në BE.

“Roli i Komisionit është të mbrojë integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë – jo ta bëjë të kundërtën”, ka shkruar të enjten Reuten në twiter.

Sipas Preqit në këtë mënyrë, politikanët si Varhelyi po e përkrahin Serbinë me qëllim të zgjerimit të saj dhe në krijimin e një «mini» shteti serb brenda shtetit të Kosovës.

“Këtë ndjenjë e ka populli i Kosovës, që e kërkon arsyeja dhe merita e qytetarëve të këtij vendi pa paragjykime dhe dyshime, për të hyrë në këtë familje Evropiane, ndërkaq akterët e krerëve Evropian, që nga radhët e këtij grupi po dallohen shumë, të cilët në një mënyrë, përveç se po i pengojnë këto vende të inkuadrohen në familjen evropiane, në anën tjetër, po ia humbin imazhin dhe rolin e Evropës, së bashkuar, me aktin e akterëve të saj antidemokratik dhe të motivuar në baza selektive apo edhe me tentativa tjera me motive edhe më të ulëta, duke anuar dhe përkrahur iniciativat e Serbisë, në zgjerimin e saj dhe në krijimin e një «mini» shteti serb brenda shtetit të Kosovës, përmes formimit të komunave një etnike serbe, dhe me kompetenca ekzekutive.

Nga do që të nisemi rreth kompleksit të kësaj iniciative të formimit të komunave serbe, Kosova dhe qeveria e saj gjendet në një presion shumë të madh edhe ndërkombëtar, është fjala për një problem shumë të ndërlikuar që mund t’i ndodh Kosovës, në të ardhmen e afërt, sepse formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca të plota, është një plan i gatuar mirë nga Beogradi dhe Vuçiqi, ku në përbërjen e këtij brumi do të dalin edhe shumë «pite» të tjera, të cilat Kosova, kërkohet që t’i përpinë, por në realitet janë të pa gëlltitshme”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Nuk është vetëm Varheleyi që hapur ka bashkëpunuar me Serbinë në dëm të Kosovës dhe fqinjëve të saj të tjerë. Më parë këtë e ka bërë edhe Federica Mogherini, si Shefe e Politikës së Jashtme të BE-së, kur kishte vendosur ta pranonte ndarjen e Kosovës.

Edhe Josep Borell, që mban të njëjtën detyrë, pas takimit të fundit në Bruksel të Kurtit me Vuçiqin, mbajti qëndrim të njëanshëm dhe madje fyes ndaj Kosovës dhe institucioneve tona.

Ngjashëm ka bërë edhe ndërmjetësi Lajçak, përfshirë qëndrimin e djeshëm në Prishtinë, dhe veçmas në Beograd, duke e favorizuar Serbinë me retorikën e tij.

Mulliqi: Borell, Lajçak dhe së fundi edhe Varheley, në një farë mënyre i mbështetën barrikadat e bandave serbe ne veri

Image
Skënder Mulliq

Edhe sipas komentuesit Skënder Mulliq në një bashkëbisedim me “Bota sot” jo vetëm Varhelyi ka qëndrimet pro serbe, por edhe Lajçak dhe Borell.

Ai vlerëson se këtyre përfaqësuesve të Bashkimit Evropian nuk po iu intereson situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë.

“Struktura evropiane e BE-së, deri në kohën e fundit ishte e ngurtë pa ndonjë qasje konkrete e koherente, se si do të përfundonte dialogu Kosovë-Serbi. Në këtë kontest kishim edhe shumë deklarata kontradiktore si të Borell, Lajçak, por edhe të Oliver Varhelyi, Komisionarit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim. Madje, këta për çudi me qëndrimet e tyre bukur proserbe më shumë i bën presion Kosovës se sa Serbisë. Borell, Lajçak dhe së fundi edhe Varheley, në një farë mënyre i mbështeten barrikadat e strukturave paralele kriminale serbe në veri të dirigjuara nga Vuçiqi dhe Moska, duke dëshiruar të futen si pykë pastaj në bisedimet e ndërsjella, duke mos llogaritur në tensionimin e situatës politike dhe të sigurisë jo vetëm në Kosovë”, deklaroi analisti.

Sipas tij, lufta në Ukrainë dhe tentativat e Putinit për ta zgjeruar luftën edhe në Ballkan ka bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të merren seriozisht me dialogun Kosovë-Serbi.

“Vizitat e shpeshta të zyrtarëve më të lartë të Amerikës, Kosovës dhe Serbisë, shumë i kanë intensifikuar proceset e status-quos nga BE-ja, për arritjen e shpejt të një marrëveshjeje finale, në mes të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. Sigurisht se qëndrimet për zgjerim të luftës nga Ukraina në Ballkan të Putinit, me Vuçiqin, kanë bërë që edhe epilogu i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të këtë përfundim fatlum. Në këtë kontest edhe doli plani franko-gjerman, të cilin nuk e priti mirë Serbia e Vuçiqit, si bazë të mirë për marrëveshje të qëndrueshme midis dy shteteve, pas një kohe të gjatë të bisedimeve. Zaten shovinisti Vuçiq së bashku me Putinin për të kundërshtuar planin inskenuan barrikadat me strukturat kriminale serbe, dhe me grupin terrorist rus, Vagner që qendrën e ka në Nish. Amerika, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, po e mbështesin planin franko-gjerman. Kjo u pa qartazi në takimet e fundit që u zhvilluan me Kurtin dhe Vuçiqin, në Davosë, dhe në Prishtinë e Beograd”, theksoi ai.

Tutje, Mulliqi hetimet ndaj Varhelyit i cilësoi si shumë pozitive për Kosovën, ku sipas tij tani veçse presioni edhe ndaj Vuçiqit është shtuar edhe më shumë.

“Nëse për shumë kohë iu bë presion Kosovës, presion është duke iu bërë Vuçiqit, i cili edhe ka filluar shumë të djersitet pas takimeve te fundit, me përfaqësuesit special të BE-së, dhe të Amerikës. Ai ka marrë duket edhe ultimatum. Hetimi që do të bëhet ndaj deklarimeve pro-serbe të Varhelyi, të besojmë se do të rezultojnë pozitivisht. Shpesh deklarimet e zyrtarëve të lartë të BE-së, kanë qenë edhe mendime individuale të tyre, se sa qëndrim zyrtar i shtetit nga kanë ardhur, pos kuptohet nga katër shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesit tanë më të lartë të politikës në të kaluarën, ju krijuan shumë favore, Serbisë, e cila edhe na i caktojë agjendat. Qëndrimet e fundit të shteteve të BE-së dhe Amerikës, të cilat kanë dhënë ndihmesë të madhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, këtë presion janë duke e adresuar Vuçiqit, me planin franko-gjermanë siç e thash, që është një bazë e mirë, edhe pse nuk parashihet njohja e ndërsjellë”, nënvizoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

Së fundi, analisti Sadri Ramabaja ka kërkuar, që të hetohet edhe ndërmjetësi Lajçak, për shkak të qëndrimeve të shprehura të premten në Prishtinë, pas takimit të pesëshes ndërmjetësuese me kryeministrin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat