E përkrahnin Serbinë në dialog/ Kërkohet hetim ndaj Lajçakut dhe Borrellit – ja synimi i tyre!

Politika

E përkrahnin Serbinë në dialog/ Kërkohet hetim ndaj Lajçakut dhe Borrellit – ja synimi i tyre!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 janar 2023 Në ora: 08:02
Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, po duket se ka marrë vrull dhe se po shpresohet në arritjen e një marrëveshje.

Por, aq më shumë që po kalon koha, po zbulohen edhe skandale. Skandalet po dëshmojnë se shqiptarët ishin të përçmuar, ndërsa Serbia po favorizohej nga autoritete të larta të BE-së, madje, pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Siç duket Serbia po shpërblehej për qëndrimet e saja pro Rusisë.

Është eurodeputeti holandez Thijs Reuten, i cili nuk po pajtohej me politikat që Komisionari i BE-se, Oliver Varhelyi karshi Serbisë, por edhe Hungarisë, përkatësisht kryeministrit Orban.

Informacione të shumta linin të kuptohej se Komisionari Varhelyi, po mbështeste pikërisht drejtuesit e shteteve në Europë, të cilët po e mbronin Rusinë. Komisionari i BE-së, po e mbështeste pikërisht presidentin e Serbisë, i cili për rreth një vit, nuk u ndal së mbështeturi agjendën ruse, dhe refuzoi që vendi i tij Serbia, t’i vendoste sanksione Rusisë.

Parlamenti Europian e pranoi kërkesën e eurodeputetit Reuten për hetimin e brendshëm ndaj Komisionarit të BE-së Varhelyi, për favorizimin e Serbisë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut.

Por, ky hetim i nisur dhe deklarimet e bëra publikisht në favor të Serbisë nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i tij për Kosovën, Mirosllav Lajçak, kanë shtuar kritikat, dhe duan që të nisin hetimet ndaj tyre, dhe për ndikimin që mund të ketë ushtruar mbase edhe komisionari Varhelyi ndaj tyre.

Qysh në janar të vitit të kaluar, Borrell e akuzonte Kosovën si palë destruktive në negociata, duke thënë se aktualisht Prishtina po tregon më shumë mos dëshirë për t’u kthyer në bisedime.

A duhet që të bëhen hetime edhe ndaj Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe emisarit të tij Lajçak?

Qarri: Qeverisë dhe institucioneve të vendit tonë, nuk u mbetet gjë tjetër, përveçse të angazhojnë ekspertët përkatës, më të mirë ndërkombëtar

Analisti politik, Gani Qarri mendon se imazhi i BE-së është goditur shumë nga skandalet, si nga Katar-gate, tashmë nga hetimi ndaj Komisionarit për Zgjerim të BE-së Varhelyi, e që sipas tij këto kanë ndikuar që të flitet publikisht dhe të kërkohet hetimi i atyre që donin ta ndanin Kosovën, si ndaj zonjës Federika Mogherini.

Image
Gani Qarri

Skandali i Katar-Gate në kreun e Bashkimit Evropian, pastaj heqja e imunitetit të eurodeputetëve të lidhur me aferën e korrupsionit në Asamblenë e BE-së, kanë bërë që kohëve të fundit të flitet publikisht për korruptimin edhe nga Serbia, të ish ndërmjetësueses Federica Mogherini, që ndarjen e Kosovës ta vendoste në tavolinë të bisedimeve Kosovë-Serbi, gjë e bërë me pëlqimin e kuislingut Thaçi.

Për aq më tepër përveç burgosjes së zëvendëskryetares së Parlamentit Evropian grekes Eva Kaili dhe ish-deputetit italian Pier Antonio Panzeri, me akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me pagesat që dyshohet se u bënë nga Katari, Francesco Giorgi bashkëshorti italian i zonjës Kaili, po ashtu në paraburgim, e ka pranuar publikisht, se jo vetëm ai vet, që ka marrë ryshfet, por dyshon se edhe deputeti socialist belg Marc Tarabella merrte para nga Katari”, u shpreh ai.

Qarri më tej, thekson që Lajçak dhe Escobar duhet të hetohen pasi të njëjtit tashmë kanë kaluar në anën e Serbisë plotësisht.

Këto janë argument shumë të fuqishme, të cilat na bëjnë me të drejtë, të dyshojmë se përveç korruptimit të zyrtarëve kaq të lartë të BE-së, nuk e përjashtohet mundësia e blerjes me para edhe të z. Borell e z.Lajçak e pse jo edhe të emisarëve të tjerë nga Serbia, të cilët sidomos kohëve të fundit, nuk po veprojnë më as si ndërmjetësues, por si argatë të drejtpërdrejtë të Serbisë hegjemoniste, duke i bërë presion vetëm Kosovës për kompromise të mëtejme”, thotë ai.

Sipas Qarrit, Lajçaku dhe të tjerë jo vetëm që nuk tregohen të paanshëm në bisedime, por edhe me sjellje praktike, dëshmojnë se kanë kaluar tërësisht në anën e Serbisë hegjemoniste, “duke vepruar jo si ndërmjetësues të paanshëm ndërkombëtar në dialogun në mes të dy shteteve të pavarura, por sillen, sikur të ishin diplomat serb dhe anëtarë të delegacionit të Serbisë, në bisedime me Kosovën”.

Sipas analistit është tejet e rrezikshme kjo anshmëri e emisarëve ndërkombëtar.

Madje sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, pasi u hoq nga tryeza e bisedimeve njohja reciproke, siç e thekson me shumë të drejtë edhe eksperti gjerman Boden Weber, ndërmjetësuesi Lajçak dhe emisari Escobar, futën pa pëlqimin e Kosovës, jo vetëm “zajednicën” serbe, por edhe tendencën meskine të Aleksandër Vuçiqit për marrëveshje “kompromisi”, konteksti i të cilës, tani po përdoret edhe nga Lajçak, e Eskobar, për formësimin e një marrëveshjeje plagjiative, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E kjo sipas z.Weber, është “tejet e rrezikshme”, pasi që ka qenë pika kryesore e Vuçiqit dhe e Serbisë hegjemoniste për gllabërimin e territoreve”, u shpreh analisti.

Ndër të tjera Qarri thotë se në bisedime është bartur edhe zyrtarisht, rreziku i interpretimit ndryshe të marrëveshjeve nga Serbia dhe lënia e mundësisë së riaktualizimit të krizave.

“Kështu që tanimë, jo vetëm me dëshirën e Serbisë, por edhe me involvimin dhe vullnetin e ndërmjetësuesve si Lajçak në bisedime është bartur edhe zyrtarisht, rreziku i interpretimit ndryshe të marrëveshjeve nga Serbia dhe lënia me pëlqimin e ndërmjetësuesve Lajçak e Eskobar, e mundësisë së riaktualizimit të krizave nga Vuçiqi me bandat kriminale serbe në veri, deri në arritjen e ndarjes së Kosovës”, thotë Qarri.

Pak ditë më parë në SHBA u arrestua McGonigal për shkak të dyshimit se ka bashkëpunuar dhe ka përfituar mbi 200 mijë dollarë nga agjentë të Rusisë.

I arrestuari është zbuluar se është mik i kryeministrit Edi Rama, i cili e përkrahte po ashtu ndarjen e Kosovës, madje e mbante gjallë nëpërmjet disa eksponentëve edhe pa arrestimit të Hashim Thaçit nga gjykata speciale.

Qarri thotë se bisedimet po rrjedhin keq, dhe se po shkohet në një marrëveshje shumë më të ulët (më të dobët për Kosovën) dhe më pak neutrale se si ishte paraparë në fillim të bisedimeve, duke hequr njohjen reciproke nga dialogu dhe, “duke futur, përveç “zajednicës” kundërkushtetuese edhe tendencën e Vuçiqit, për marrëveshje “kompromisi”, në vend të njohjes reciproke, arsye dubioze, e cila nuk është sqaruar asnjëherë”

Sipas Qarrit Kosovës i duhet që të angazhojë ekspertët më të mirë ndërkombëtar, për qasjen në dialog dhe hetimin e dyshimeve, për njëanshmëri të ndërmjetësuesve, “të nxitur nga korrupsioni i mundshëm”.

Burjani: Ata gëzojnë përkrahjen e plotë nga BE-ja, këtë qëndrim e përkrahin SHBA

Por, nuk mendon kështu analisti, Blerim Burjani, sipas të cilit nuk ka bazë për t’i hetuar. Sipas tij, emisarët ndërkombëtar kanë përkrahje të plotë nga BE-ja dhe SHBA-ja, ani pse po kërkohet asociacioni.

Image
Blerim Burjani

“Ata gëzojnë përkrahjen e plotë nga BE-ja, këtë qëndrim e përkrah SHBA-ja. Më e çuditshmja në këtë proces është se disa diplomatë ndërkombëtar po bëjnë përpjekje në Kosovë të bëjnë një status special për serbët nëpërmjet asociacionit të komunave serbe. Duke përmendur Tirolin Jugor apo edhe disa shembuj të veçantë, që gëzojnë disa shtete, e që nuk kanë asgjë të përbashkët me Kosovën si shtet i vogël”, potencoi juristi.

Në fund, juristi thotë që çdo copëzim, apo ndarje me statuse të veçantë do të thonë në një mënyrë ndarje e Kosovës, herët apo vonë.

Çdo copëzim apo ndarje me status të veçantë do të thotë në një mënyrë ndarje të Kosovës, herët apo vonë. E kjo do të ishte tragjedia e dytë për shqiptarët. E para ishte me pastrimin etnik të bërë në 1878 ku u përzunë nga Serbia 300 mijë shqiptarë e 70 mijë u masakruan”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Atë që e përfol si mundësi Burjani, duket se parasheh qartë neni 2 i tekstit të propozuar për marrëveshje Kosovë-Serbi, i cili flet për autonomi dhe vetëvendosje: “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht... për respektimin e autonomisë ... të drejtën për vetëvendosje...”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat