“Kosova mund të ballafaqohet me zhbërjen e shtetësisë së saj”, Analisti kërkon që asociacioni të mos themelohet pa u bërë e ditur kjo gjë

Politika

“Kosova mund të ballafaqohet me zhbërjen e shtetësisë së saj”, Analisti kërkon që asociacioni të mos themelohet pa u bërë e ditur kjo gjë

M.Lakna Nga M.Lakna Më 25 janar 2023 Në ora: 21:01
Foto ilustrim

Ambasada amerikane në Prishtinë, më datën 31 janar ka thirrur edhe takim me përfaqësues politik dhe shoqërinë civile për të nisur diskutimet për themelimin e këtij Asociacioni.

Deri më tash dihet se pjesëmarrjen e në këtë takim e ka pranuar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Pjesëmarrja e ministrit Rashiq në këtë diskutim është përshëndetur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, por, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar nëse Rashiq do të marr pjesë si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës apo i komunitetit serb.

Presioni për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë sa vjen e shtohet.

Duke e komentuar këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” analisti Gani Qarri, ka thënë se me veprimet e fundit po tregohet se Serbia serish po shpërblehet publikisht, në kurriz të Kosovës, për qëndrimet e saja pro Rusisë.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht me heqjen e njohjes reciproke nga tryeza e bisedimeve, dhe futjen e "zajednicës" si dhe kërkesës meskine të Aleksandër Vuçiqit për marrëveshje “kompromisi, nga ndërmjetësuesi Lajçak dhe emisari Escobar, pa pëlqimin e Kosovës, që tani po përdoren, prej tyre edhe si kontekst për formësimin e një marrëveshjeje plagjiati, nga idetë hegjemoniste të Vuçiqit, duket se Serbia serish po shpërblehet publikisht, në kurriz të Kosovës, për qëndrimet e saja pro Rusisë. Madje duke pasur parasysh faktin se kërkesa për "marrëveshje me kompromis", ishte tendenca kryesore e Serbisë, për gllabërimin e territoreve të Kosovës, me këtë akt, në bisedime është bartur edhe zyrtarisht, rreziku i mundësisë për përsëritjen dhe vazhdimin e krizave në veri, deri në ndarjen e Kosovës”, ka thënë Qarri.

Ndaj, sipas publicistit, bazuar në përvojën e hidhur që për gjithë këto vite e ka Kosova me bandat kriminale serbe dhe përzierjet e vazhdueshme të Serbisë hegjemoniste, në rregullimin shtetëror dhe çështjet e brendshme të Kosovës, shteti dhe populli i ynë, nuk e ka luksin të involvohet me vet dëshirë në aventura të reja siç është formimi i asociacionit.

Dhe i ashtuquajturi "asociacion" serb, siç e thotë hapur, vet kryetari i "republika srpska" të Bosnjës, Millorad Dodik nesër do të shndërrohet në një "republika srpska" edhe në Kosovë, që vije si paralajmërim me kohë, se çka mund të ndodhë dhe me çfarë sprovash të rrezikshme, do të ballafaqohet Kosova.

E nëse megjithëse Gjykata jonë Kushtetuese e ka hedhur poshtë, ne pranojmë krijimin e ngrehinave të rrezikshme kanceroze, si "zajednica" kundërkushtetuese serbe, Kosova, pa kaluar shumë kohë, do të ballafaqohet me zhbërjen e shtetësisë së saj.

Madje, sot më tepër se kurdoherë më parë, po shihet hapur se sa shumë kundërshtar ekzistencial të shtetit, ka brenda dhe jashtë Kosovës, duke filluar jo vetëm me Vuçiqin dhe Serbinë hegjemoniste, por edhe ndërmjetësuesit e BE-së, si Lajçak e Borell, ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill dhe vet i dërguari i lartë i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, të cilët kanë kaluar plotësisht në anën e Serbisë, pa harruar këtu të cekim edhe eksponentët e PDK-së të cilët kërkojnë publikisht ndarjen e Kosovës si dhe ata të LDK-së, që duan formimin e "zajednicës" të nënshkruar nga ish të parët e tyre kuisling”, vlerëson Qarri.

Për analistin Qarri, ata që marrin pjesë në tryeza si kjo për asociacionin, ose “janë të shitur te Serbia dhe kundërshtarët më të mëdhenj të ekzistencës e vazhdimësisë së shtetit të Kosovës”.

ata shqiptar, të cilët edhe në këtë gjendje, marrin guximin të involvohen në tryeza të tilla, ku do të flitet për kancerizimin e Kosovës me ngrehina të rrezikshme kundërkushtetuese, të paqena kurrë në vendin tonë, me të cilën kërcënojnë në vijimësi shtetin e Kosovës me ndarje, ricopëtim dhe zhbërje, si "zajednica", o janë të shitur te Serbia dhe kundërshtarët më të mëdhenj të ekzistencës e vazhdimësisë së shtetit të Kosovës, o renegat të sëmurë dhe të papërmirësueshëm të vendit tonë”, ka potencuar ai.

Për më tepër, ai rikujtoi se me kërkesën e eurodeputetit holandez, Thijs Reuten, këto ditë po hetohet edhe vet Komisionari i BE-se, hungarezi Oliver Varhelyi, për politikat e tij mbështetëse dhe favorizimin e Serbisë gjatë negociatave të zgjerimit të BE-së, presidentit serb Vuçiq dhe drejtuesve të shteteve evropiane, të cilët vazhdojnë ta përkrahin publikisht Rusinë.

Shto kësaj kërkesat edhe brenda vet Bashkimit Evropian, që të nisin hetimet edhe ndaj deklarimeve të hapura nga shefi i politikës së Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i tij për Kosovën, Mirosllav Lajçak, në favor të Serbisë, tek të cilët mendohet të ketë ndikuar edhe komisionari Varhelyi.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto, shqiptarët nuk guxojnë të dëshmohen kaq amator politik, por të tregohen më të përmbajtur dhe presin, qoftë edhe për pak kohë, në mënyrë që të shihen zhvillimet e hetimeve për korrupsion dhe mbështetje të palejueshme politike, ndaj Serbisë dhe Rusisë nga Komisionari i BE-se, hungarezi Oliver Varhelyi, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për Kosovën, Mirosllav Lajçak, para se të vrapojnë të marrin pjesë në diskutime për themelimin e organizmave të rrezikshme kundërkushtetuese si "zajednica", nga efektet e të cilës nuk do të prekej askush tjetër, përveç vendit tonë dhe me të cilën do rrezikohej ndarja e copëtimi dhe shuarja e shtetësisë së Kosovës”, shtoi Qarri.

Kështu, sipas tij, përderisa Parlamenti Evropian me kërkesën e eurodeputetit Reuten bënë hetimin e Komisionarit të BE-së Varhelyi, për favorizimin e Serbisë, edhe Kosova duhet të kërkojë sqarimin e marrjes anë, apo edhe hetimin e qëndrimit të shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për Kosovën, Mirosllav Lajçak, për shkeljen e parimit të paanësisë në bisedime dhe kalimin e tyre në anën e Serbisë.

“Kjo, pasi që korrupsioni dhe skandalet politike, kanë filluar pikërisht nga kreu i BE-së, dhe nuk kanë të ndalur”, theksoi analisti.

Qarri e ndërlidhi situatën aktuale edhe me arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles MsGonigal.

Pikërisht këto ditë në SHBA u arrestua edhe ish zyrtari i FBI-së Charles MsGonigal, për shkak të dyshimit se ka marrë mbi 225 mijë dollarë nga agjentë të Rusisë, i cili përveçse del, që nga fillim-viti 2019 të jetë administrator dhe ortak, i një avokatie në Tiranë, ai 225 mijë dollarët, i ka marrë nga një bashkëpunëtorë shqiptar të kësaj avokatie dhe është duke u hetuar edhe për 4 takimet që kishte me Edi Ramën e bashkëpunëtorët e tij, pra me njeriun që edhe sot, jo vetëm përkrah, por bashkë me disa eksponentë të PDK-së, mbanë gjallë idenë renegate, për ndarjen e Kosovës, edhe pas arrestimit të kuislingut Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale në Hagë”..

Andaj, përsërisë që Kosova dhe shqiptarët duhet të kenë pak durim dhe ti shohin rrjedhat e hetimeve, të cilat ka mundësi ti nxjerrin të involvuar në korruptim e veprime tjera të paligjshme edhe shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin e Bashkimit Evropian për Kosovën, Mirosllav Lajçak, e ndoshta edhe vet z.Eskobar, pasi që të gjithë si një dhe në mënyrë të menjëhershme, shkelën parimin e paanësisë në bisedime dhe kaluan pa asnjë arsye në anën e Serbisë, mu në ditët që shohim publikisht, se korrupsioni dhe skandalet politike, janë shfaqur, pikërisht nga kreu i BE-së, e deri te bashkëpunëtorët më të lartë të FBI-së, si Charles MsGonigal, i cili dikur ishte kreu i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Neë York City dhe përderisa forconte marrëdhëniet e biznesit me oligarkun miliarder rus Oleg Deripaska, i cili ishte në qendër të akuzave për ndërhyrje nga Rusia në fushatën zgjedhore të vitit 2016, të Trumpit, ai vet merrte qindra mijëra dollar prej agjentëve rus dhe bënte sikur hetonte lidhjet e presidentit Trump me Rusinë”, përfundoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat