Anëtarësimi në NATO dhe asociacioni pa shkelje kushtetuese, kushtet kryesore që Kosova ta nënshkruajë marrëveshjen finale me Sebinë

Politika

Anëtarësimi në NATO dhe asociacioni pa shkelje kushtetuese, kushtet kryesore që Kosova ta nënshkruajë marrëveshjen finale me Sebinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 janar 2023 Në ora: 11:49
Gabriel Escobar, Albin Kurti, Misroslav Lajçak

Një marrëveshje Kosovë- Serbi mund të arrihet brenda pak muajve, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë në një intervistë për median zvicerane.

Ai ka thënë se duhej që në marrëveshje të përfshihen të dy palët dhe që BE dhe ShBA-ja të ndërmjetësojnë për këtë gjë.

“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për këtë - dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”- u shpreh Kurti.

Analistët politikë thonë se Kurti duhet të jetë skeptik, pasi që një marrëveshje që nuk garanton tërësinë territoriale të Kosovës është e duhet të jetë e papranueshme për Kosovën.

Sipas tyre, Kosova duhet të vendos për marrëveshje që nuk dëmton territorin e saj.

Asociacioni, pengesë kryesore

Analisti politik, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se vendet gjenden para një presioni të shtuar euro- amerikan për t’i dhënë fund konfliktit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, asociacioni është pengesa kryesore që qeveria Kurti të pajtohet me planin e sotëm franko- gjerman.

“Kosova dhe Serbia ndodhen para një presioni të shtuar euro-amerikan për t’i dhënë fund konfliktit. Pesë diplomat perëndimorë bënë një vizitë javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd dhe biseduan për projektin franko-gjerman të zgjidhjes së këtij konflikti. Në perceptimin tim më shumë se gjysma e kërkesave të këtij projekti gjendet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 nënshkruar nga dy ish-kryeministrat e kohës, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Në atë dokument janë paraparë çështje të tilla si njohja e dokumenteve, çështja e targave, që Serbia të mos pengojë Kosovën në njohje dhe në pranimet në organizatat ndërkombëtare, që të ruhet paqja dhe stabiliteti, që problematiket dhe konfliktet të zgjidhen përmes dialogut etj. Nëse i kthehemi marrëveshjes së 19 prillit 2013 do të shohim se draft-marrëveshja franko-gjermane e përkrahur nga SHBA-të dhe BE është gati i njëjtë me atë marrëveshje tashmë të nënshkruar. Shtesë e asaj marrëveshjeje është krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pikërisht kjo çështje është pengesa kryesore që qeveria Kurti të pajtohet me planin e sotëm franko-gjerman. Asosacioni dhe jo marrëveshja e paraqitur, është problem i Kosovës. Në atë projekt asociacioni parakuptohet në pikën kur kërkohet të plotësohen e realizohen në praktikë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”, pohon Bytyçi.

Peci: Kosovës t’i garantohet anëtarësimi në NATO

Në anën tjetër ish- ambasadori në Suedi, Lulzim Peci ka deklaruar dje se nëse Kosova nuk nënshkruan marrëveshje me Serbinë, kjo do të dëmtonte interesat e vendit.

Image
Lulzim Peci

Peci u shpreh se Kosovës duhet t’i jepet një zotim nga BE-ja, që vendit t’i jepet statusi kandidat, nëse e nënshkruan marrëveshjen.

Nëse Kosova nuk do ta nënshkruajë këtë marrëveshje, unë besoj që ne do të humbim hapin për një të ardhme mjaft të gjatë. Vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet në SHBA dhe BE. Kjo çështje e rregullimit të marrëdhënieve me Serbinë mund të zgjasë për vite me radhë, kjo do të jetë në dëm të interesave të Kosovës.

Kosovës t’i jepet një zotim nga BE, që nëse e nënshkruan marrëveshjen, do t’i jepet statusi kandidatit dhe nga NATO-ja, anëtarësimi në aleancë”, theksoi ai.

“Kosova ka të drejtë të jetë skeptike dhe dyshuese për hedhjen e çfarëdo firme”

Ndërsa, nëse do të duhej Kosova ta kundërshtojë marrëveshjen me Serbinë, Bytyçi, thotë se është dilemë për secilin.

Ai përmend dilemat, gjersa shton se influence ruse ka qenë e pranishme atëherë dhe sot, sidomos në Serbi.

“A duhet ta kundërshtojë Kosova marrëveshjen me Serbinë? Kjo është një dilemë për secilin që mëton të japë një mendim serioz. Edhe unë nuk mund ta jap një recetë terapie të saktë. Por diagnoza në thelb është e njëjta, si në vitin 2013. Ndryshon vetëm sfondi gjeopolitik dhe gjeostrategjik, sepse këtë vit kemi një zhvillim të ri dramatik me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Kjo duhet bërë pjesë e analizës me qëllim marrjen e vendimit. Ndërkaq influenca ruse ka qenë e pranishme atëherë dhe është sot, sidomos në Serbi. Thjesht kemi një zhvillim plus me përpjekjet e Kremlinit për të hapur një front të dytë konflikti në Ballkan. Por dilemat tjera janë identike. Pritej që marrëveshja e 19 prillit 2013 të zbatohej nga Serbia. Por nuk ndodhi. Ndaj Thaçi e Mustafa në vitin 2015 nënshkruan një marrëveshje shtesë p.sh për targat që të shtyhet zbatimi i saj. Po ashtu për çështje të tjera. Kjo sepse Beogradi manipuloi me serbët në Kosovë, sidomos ata të Veriut, dhe i tensionoi situatat e marrëdhëniet me Kosovën. Forcoi retorikën e pretendimeve dhe kërcënimeve të saj për të cenuar sovranitetin kombëtar të Kosovës. Nxiti konflikte e barrikada në vend. Pra, qeveria dhe presidenti i Serbisë e rritën dozën e mosbesimit në Kosovë. Besimi dhe besueshmëria janë elementi thelbësor për të arritur marrëveshje midis çdo pale, sidomos midis shteteve”, deklaron Bytyçi.

Kosova ka të drejtë të jetë skeptike dhe dyshuese për hedhjen e çfarëdo firme, sipas Bytyçit, gjersa shton se BE si dhe vendet evropiane e SHBA nuk kanë dëshmuar akte që rrisin besimin e Kosovës ndaj tyre.

“Përballë një Serbie e cila minon çdo ditë shtetësinë dhe integritetin territorial të saj, Kosova e ka të drejtën e Zotit të jetë skeptike dhe dyshuese për hedhjen e çfarëdo firme. Autoritetet e Kosovës nuk po lidhin marrëveshje me një vend demokratik, që ka si model sjelljeje logjikën dhe racionalitetin. Serbia nuk është as Gjermani, as Suedi. Prandaj nuk është aq e lehtë që të pranohet nga ana e Kosovës e ndonjë marrëveshjeje me Serbinë. Por jo vetëm Serbia nuk është e besueshme. Fakt është se edhe BE si dhe vendet evropiane e SHBA nuk kanë dëshmuar akte që rritin besimin e Kosovës ndaj tyre. Ne e dimë çfarë ka ndodhur pas marrëveshjes së 19 prillit 2013. Në vitin 2017-2020 bisedimet rrëshqitën në terrenin e një marrëveshjeje për ndarjen e Kosovës. Kjo me miratimin e pasueses së Baroneshës Ashton, pra të Frederica Mogherinin. Në ditët e sotme, Lajçka dhe Borrell kanë mbajtur qëndrim të njëanshëm pro-Serbisë. Po ashtu Gabriel Escobar. Disa politikanë amerikanë dhe evropianë u bënë ortakë të Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Vuçiç për ndarjen e Kosovës. Të gjitha këto akte e kanë dobësuar besimin te garanti i marrëveshjes së ofruar. Madje garantët, pra diplomatët evropiane dhe amerikanë, të cilët i bëjnë presion kryeministrit Kurti, nuk marrin përsipër as sot të jenë të tillë, p.sh. për njohjen e Kosovës nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së. Nuk merret asnjë angazhim për anëtarësimin e saj në NATO”, shprehet Bytyçi.

Një marrëveshje që nuk garanton tërësinë territoriale të Kosovës, është e duhet të jetë e papranueshme për Kosovën, sipas Bytyçit.

Sipas tij, natyrisht që humb Kosova nëse refuzon marrëveshjen, por duhen vënë në balancë humbjet dhe fitoret.

“Unë besoj se SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Turqia, si vendet më të fuqishme të Aleancës Atlantike e kanë forcën që ta garantojnë pranimin e Kosovës në NATO. Pse nuk e bëjnë? Pse nuk marrin përsipër këtë garanci për sovranitetin e saj? Po të isha në vendin e Kurtit do të isha shumë skeptik. Një marrëveshje që nuk garanton tërësinë territoriale të Kosovës është e duhet të jetë e papranueshme për Kosovën. Kjo është e drejtë. A humbet ajo nëse e refuzon marrëveshjen? Sigurisht që po, sepse partnerët janë shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës. Por a do të humbasë dhe çfarë mund të humbasë me nënshkrimin e marrëveshjes? Edhe kjo duhet marrë në konsideratë. Dhe duhen vënë në balancë humbjet dhe fitoret në secilin opsion, si në refuzim, si në pranim. Se nga anon balanca, këtë e përcakton pala në bisedime, qeveria e Kosovës! Ajo do të jetë e detyruar të zgjedhë gjënë më të dobishme për vendin!”, shton profesori.

Kundër, asociacionit kryeministri Albin Kurti është shprehur edhe të enjten. Ai ka thënë se le të zhvillohen sa më shumë diskutimet, por për normalizim të marrëdhënieve nevojitet njohja reciproke në qendër, e jo Asociacioni.

“Andaj e le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt Bashkimit Evropian për paqe afatgjate e stabilitet, për paqe afatgjatë e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjëri, nevojitet njohja reciproke në qendër jo Asociacioni në qendër, as asociacioni parakusht, por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë kancelari Scholz, po ua përsërisë edhe unë këtu juve”, ka deklaruar ai.

Ahmeti: Kompromise vetëm në harmoni me kushtetutën e vendit

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, thotë se çdo përpjekje për ta favorizuar Serbinë në dialog, potencialisht do të krijonte një “konflikt” me pasoja afatgjate.

Sipas tij, çdo “kompromis” në marrëveshje ku do të ishte në harmoni me kushtetutën e Kosovës nuk do ta dëmtonte si shtet.

“Kosova si shtet unitar nuk duhet t'iu nënshtrohet as një presioni ndërkombëtar deri aty kur dëmtohet substanca e shtetit. Çdo përpjekje për të favorizuar Serbinë në dialog, potencialisht do të krijonte një "konflikt" me pasoja afatgjate në konsultim të shtetësisë. Plani i Ahtisarit, i cili ka derivuat në Kushtetutën e Kosovës ju garanton mundësi të madhe minoriteteve e veçanërisht serbeëe. Kjo është një pasqyrë reale për t’u arsyetuar pala kosovare në dialog. Çdo "kompromis" në marrëveshje ku do të ishte në harmoni me kushtetutën e Kosovës nuk do të dëmtonte Kosovën si shtet”, vlerëson Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat