“Pa Amerikën në krah, Kosova rrezikon të hyjë në Serbi e bashkë nën Rusi”, por asociacioni një-etnik i papranueshëm!

Politika

“Pa Amerikën në krah, Kosova rrezikon të hyjë në Serbi e bashkë nën Rusi”, por asociacioni një-etnik i papranueshëm!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 shkurt 2023 Në ora: 15:15
Gabriel Escobar, Albin Kurti

Në vitin 2013 është nënshkruar marrëveshja për formimin e asociacionit, ndërsa më 2015 është nënshkruar marrëveshja tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni.

Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, një kërkesë të tillë e kanë edhe ndërkombëtarët.

Përmes një teksti autorial nga Derek Chollet dhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar kanë bërë thirrje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ata thonë se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.

“Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”.

Ndaj zyrtarëve amerikanë me dozë së mosbesimit që nuk ka shkelje kushtetuese, shprehen nga pozita e disa politikanë opozitarë, kurse analistët politikë ndajnë mendime të ndryshme sa i përket kësaj çështjeje.

Kundër asociacionit një etnik

Analisti politikë Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk duhet të formohet në asnjë mënyrë Asociacioni, kjo pasi sipas tij, do të ishte fund i pavarësisë së Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, Kosova me çdo kusht duhet ta kundërshtojë Asociacionin.

“Nuk është në pyetje besimi tek amerikanët por tek Asociacioni një etnik. Mund mos të ketë shkelje të Kushtetutës, kjo asgjë nuk e përhumb esencën e Asociacionit, e që është krijimi i "Serbisë së vogël" brenda Kosovës. Nuk duhet të formohet në asnjë mënyrë Asociacioni, kjo do të ishte fundi i pavarësisë, zhbërja e saj dhe nisja e luftës janë pastaj të pashmangshme. Kosova, duhet me çdo kush ta kundërshtojë, ose po e mbajmë shtetin ose po e lëshojmë, nuk ka rrugë tjetër”, pohon Mehmeti.

Fajtorët kryesorë, sipas Mehmetit, janë ata që e kanë nënshkruar Asociacionin dhe kësisoj të gjithë bashkë duhet ta kundërshtojnë “Serbinë e vogël”.

“Hashimi dhe Isa janë fajtorët kryesorë të kësaj tragjedie që po i troket vendit tonë, Serbia po rikthen në zemër të Kosovës falë tyre. Të gjithë bashkë duhet të jemi unik në kundërshtim të "Serbisë së vogël". Nuk shoh alternativë, çdo gjë që mund të stimulohet për ta lehtësuar këtë gjë nuk e zbeh qëllimin e saj një entik, sllavomadh”, thekson Mehmeti.

Më shumë detaje nga letra

Në letrën e zyrtarëve amerikanë, thuhet se Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar”.

Ata kanë deklaruar se “është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik”.

“Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, thonë ata.

Shahu: Kosova pa Amerikë do të fliste serbisht

Analisti politik, Rexhep Shahu, thotë se duhet dakorduar pasi që pa Amerikën në krah Kosova do të ishte jo më pjesë e Jugosllavisë, por pjesë e Serbisë.

Shahu ka kujtuar se me ndihmën e ndërkombëtarëve Kosova është shtet i pavarur për herë të parë.

“Kosova pa ndërhyrjen e luftën e Amerikës, do të vazhdonte të ishte nën Serbi. Patriotët tallava që po bëjnë trimëri në facebook, do të vazhdonin të ishin në ekzil në vendet e perëndimit ose do të brohorisnin rrallë e më rrallë liri demokraci në ndonjë shesh të Kosovës. Duhet të biem dakort se pa Amerikën në krah Kosova do të ishte jo me pjesë e Jugosllavisë, por pjesë e Serbisë. Këta që trimërojnë nëpër faqet e facebookut e rrjetet sociale duke u ngrohë rreth sobës, nuk janë ata që kanë sakrifikuar ndonjë gjë të madhe për Kosovën. Asnjëherë me luftërat tona shqiptarët nuk mundën ta dëbojnë Serbinë prej Kosove, ta shpallnin Kosovën të lirë e të pavarur dhe të siguronin mbrojtjen e përkrahjen e një perandorie. Gjithmonë Kosova ka qenë nën një perandori, nën një sundim të huaj, nën Serbi njëqind vitet e fundit. Veç me ndihmën ushtarake, politike e diplomatike të Amerikës e Natos, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Italisë etj, fuqi që i mobilizoi Amerika në krah të saj, sot Kosova është shtet i pavarur për herë të parë në jetën e saj. Kjo fale Amerikës”, deklaron Shahu.

Kosova pa Amerikën, do të fliste serbisht, sipas Shahut, gjersa shton se serbët janë e do të jenë pakicë gjithmonë, pakicë e mbrojtur.

Politikanë e çobanë, komuniste e leniniste, pa bërë asnjë sakrificë, pa luftuar vetë, pa fituar vetë asgjë kurrë me luftë, pa derdhe gjak te tyre për lirinë e pavarësinë, i vënë kushte dhe fyejnë sjellësit e lirisë e pavarësisë së Kosovës, i vënë kushte dhe diktojnë Amerikën. Ia përmendin edhe Trepçën sikur Trepça e Kosova janë pasuria e globit, kërthiza e botës dhe Amerika lakmuaka në të. Miliona Trepça ka bota e ka Amerika, nuk është ky pazari që shtrojnë patriotat shqiptarë të tallavase. Amerika është deklaruar qartë gjithmonë, ka luftuar për një Kosove të lirë e te pavarur, ka luftuar luftën me speciale në botë nga ajri, e ka dëbuar Serbinë prej Kosove, e ka bërë Kosovën shtet të lirë e të pavarur me dy milionë shqiptarë, kur në botë ka dhjetëra milionë kurdë p.sh që nuk po e fitojnë dot pavarësinë. Se nuk e kanë një përkrahje amerikane siç e ka Kosova. Kosova pa Amerikë do të fliste serbisht, kudo në zyra, do të drejtohej prej serbëve, e me Amerikën në krah drejtohet prej shqiptarëve. Serbët janë e do të jene pakice gjithmonë, pakicë e mbrojtur”, thekson analisti.

“Një zgjim për beteja virtuale në rrjete sociale kundër Amerikës”

Shqiptarët që kanë frikë asociacionin nuk besojnë ende që në Kosovë prej dy dekadash e qeverisin shqiptarët, thotë Shahu.

Sipas tij, shqiptarët duhet të binden se më mirë se që mbron Amerika, nuk e mbron vendin as Kosova.

Image
Rexhep Shahu

“Shqiptarët që kanë frikë asociacionin, kujtojnë se asociacioni do ta qeverisë Kosovën ende nuk besojnë se Kosovën prej dy dekadash e qeverisin shqiptarët. Kosova me Amerikën në krah do të hyjë në OKB, do të njihet nga vendet evropiane, do hyje ne NATO e në BE. Pa Amerikën në krah Kosova rrezikon të hyjë në Serbi e bashkë nen Rusi. Kjo që po ndodh gjoja për kundërshtimin e Asociacionit që është miratuar e nënshkruar në 2013 e ne 2015, është një zgjim për beteja virtuale në rrjete sociale kundër Amerikës, është një sponsorizim nga Rusia e Serbia tek komunistet e enveristet e Shqipërisë e Kosovës për ta ngjallë e zmadhuar antiamerikanizmin tek shqiptaret. Kjo në fakt është mosmirënjohja shqiptare ndaj Amerikës që na ka dhuruar lirinë, pavarësinë, shtetin e Kosovës shqiptare, që na mbron përditë nga Serbia kur në fakt nuk e ka për detyrë, por për të shpëtuar dy milionë shqiptarë nga shfarosja. E disa shqiptarë që mendojnë enverisht, rusisht, serbisht janë hedhë me përdredhje deklaratash e statusesh fyese e sharëse kundër Amerikës mbrojtëses se Kosovës. Shqiptarët që bëjnë bla bla bla nëpër rrjetë sociale, nuk guxojnë të bëjnë asnjë dite luftë e qëndresë për Kosovën, por janë të parët që ikin me vrap nga frika e Serbisë. Amerika i doli përballë dhe e dëboi Serbinë prej Kosove. Deklaratat idiote mburravece, sharlatane të lloj lloj anonimi patriot pasuli, patriot dimiash janë fyerje e rëndë për Amerikën dhe për vetë Kosovën. Binduni o njerëz se Kosovën e ka çliruar Amerika e NATO e jo shqiptarët. Binduni se Kosovën sot e mbron dhe siguron Amerika e NATO e jo shqiptarët. Binduni se me mirë se na do e mbron Amerika nuk na do as na mbron as vetja jonë. Se vetja jonë është e pa zonja. Në mund të vdesim të gjithë për Kosovën, por vdekja jonë nuk mjafton me fituar lirinë e pavarësinë, as ta mbrojmë lirinë e pavarësinë”, vazhdon Shahu.

Ai ka kërkuar që Amerika ta shkruaj vendimin për Asociacionin dhe shqiptarët edhe amerikanët ta firmosin bashkërisht.

“ Opsioni i palës kosovare për Asosacionin e për çdo gjë tjetër mendoj se duhet të ishte kjo, ta shkruajë Amerika vendimin për Asosacionin dhe ta firmosin shqiptarët edhe amerikanët bashkërisht. Amerika duhet detyrimisht të jetë garante e Kosovës përjetë. Dhe kjo duhet shprehë me shkrim kudo në çdo dokument me Serbinë. Marrëveshjen për kapitullimin e Serbisë e ka nënshkruar Amerika, jo shqiptarët, asnjë shqiptar dhe këtë të mos e harrojnë patriotët e facebookut. Ata që shajnë Amerikën për llogari të ndonjë politikani ata i shërbejnë Serbisë e Rusisë dhe bëjnë argatin e tyre. Ata abuzojnë me lirinë e pavarësinë që ua solli Amerika. Amerika ka krijuar liri, pavarësi e siguri në Kosovë e patriotët e dimive e përdorin këtë liri e siguri më sha e mallkue Amerikën për llogari të Serbisë e Rusisë. Mosmirënjohja e pështire e antiamerikaneve në Kosovë e Shqipëri është e neveritshme”, përfundon Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat