Presioni për Asociacionin – profesori tregon se çfarë ndodh nëse ndërkombëtarët e anashkalojnë Kurtin dhe propozimin e tij!

Politika

Presioni për Asociacionin – profesori tregon se çfarë ndodh nëse ndërkombëtarët e anashkalojnë Kurtin dhe propozimin e tij!

Nga: A.Morina Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 19:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një temë e ‘nxehtë’ diskutimi.

Kjo çështje, ka marrë sërish vëmendje pas angazhimit të shtuar të ndërkombëtarëve për themelimin e tij.

Formimi i Asociacionit ka prodhuar debate dhe reagime të shumta.

Së fundi, kryeministri Albin Kurti ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive  dhe duhet të zbatohet pas marrëveshjes finale.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, njëherësh profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi presionin dhe përpjekjet e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Fillimisht, ai tha se Asociacioni një nacional është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ku me themelimin e tij do të bëhej një nivel i ri i pushtetit në vend.

“Asociacioni është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në formën e bartjes së pushtetit lokal në Asociacion. Kjo, edhe për faktin se Asociacioni një nacional në shtet multinacional të Kosovës nuk lejohet me Kushtetutë. Ligjësisht është e pa mundur.

Formimi i Asociacionit një nacional serb krijon de-jure një subjekt të ri juridiko-politik dhe një nivel tjetër të pushtetit. Me kompetencat e komunave që barten në Asociacion kemi nivel të ri të pushtetit. Thjeshtë krijohet një autonomi e gjerë politike, juridike e kulturore”, deklaroi ai.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, njëherësh profesori, Muhamet Kelmendi

Krahas kësaj, Kelmendi radhiti shtatë kompetenca që i kanë komunat me shumicë serbe, e të cilat ua kanë garantuar Thaçi e Mustafa me nënshkrimin e marrëveshjes vite më parë.

“Po i përmendi vetëm disa kompetenca: 1.Planifikimi hapësinor. 2 infrastruktura, 3. Arsimi, shkenca dhe kultura. 4. Administrata. 5. Sistemi gjyqësor dhe prokurorial. 6. Komandimi me policinë. 7. Prona dhe tërë sistemi ekonomik.

Tërë këto kompetenca i kanë komunat me shumicë serbe. Gjykatat dhe prokuroria iu kanë dhënë me marrëveshjen e nënshkruar nga Mustafa-Thaçi. Policia është vënë nën komandën e komunave me shumicë serbe. Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga z.Thaçi. Kjo u pa në rastin e dorëheqjes së policëve serbë në veri të Kosovës. Atje kemi një udhëheqës serb për katër komuna. Këtë do të këtë Asociacioni për komunat me shumicë serbe. Ka edhe shume kompetenca tjera....”, theksoi profesori.

Më tej, ai tha se Asociacioni financohet nga shteti serb dhe se shuarja e tij bëhet vetëm me vendim të komunave themeluese.

“Mendohet se në Asociacion krijohet një organ udhëheqës. Asociacioni ka gjithashtu kryetarin, Këshillin ose Kuvendin, si dhe administratën e vet, që vepron në kuadër të statutit. Asociacioni ka financat e veta. Financohet edhe nga Serbia. Shuarjen e Asociacionit nuk mund ta bëjnë organet qendrore në Prishtinë. Shuhet me vendim të komunave themeluese. Me kompetencat që barten nga komuna në Asociacion krijohet de-jure, veç de-fakto, një subjekt i ri autonom. Faktet e tilla tregojnë formimin edhe të një subjekti të ri serb në Ballkan”, shpjegoi Kelmendi.

Ndër të tjera, profesori tha se Asocaicioni nuk është mirë të bëhet pa miratimin e qeverisë aktuale, më saktësisht të kryeministrit Kurti, kjo pasi në çdo formë tjetër që themelohet prodhon konflikte.

“Natyrisht, se ShBA-ja mund të organizojë Asociacionin. Këtë mund ta bëjnë edhe pa asnjë përfaqësues të skenës politike, kulturore dhe civile e arsimore të Republikës së Kosovës. Kjo, për faktin se për shqiptarët, çdo gjë që vjen nga ShBA-ja, pranohet. Shqiptarët nuk e kundërshtojnë. Mirëpo, kjo nuk prodhon paqe. Tash mendohet se Kosova dhe shqiptarët pajtohen. Por, çka në të ardhmen? Gjeneratat që vijnë ndoshta nuk do të pajtohen me këtë subjekt! E ardhmja do të jetë treguesi më i qartë. Vet ky fakt tregon se është e domosdoshme që të përfshihen në dialog organet e Kosovës. Këtu është fjala për Kuvend dhe pushtet ekzekutiv. Nuk është mirë të bëhet anashkalimi i pushtetit të dalur nga votat në Kosovë. Asociacioni, në çfarëdo forme që themelohet, është antikushtetues dhe prodhon konflikte në Kosovë. Të gjithë kundër Asociacionit”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat