23 vjet nga krimi i tmerrshëm i “Rojave të urës”, Barani tregon detaje nga vrasja e 10 shqiptarëve në veri të Mitrovicës

Politika

23 vjet nga krimi i tmerrshëm i “Rojave të urës”, Barani tregon detaje nga vrasja e 10 shqiptarëve në veri të Mitrovicës

M.Lakna Nga M.Lakna Më 5 shkurt 2023 Në ora: 22:03
Halit Barani

Edhe katër muaj do të mbushej një vit nga mbarimi i luftës në Kosovë. Vendi sapo ishte çliruar dhe mes dhimbjesh për më të dashurit e vrarë e plagëve që ua kishte shkaktuar lufta, shqiptarët po bënin përpjekje për t`u rimëkëmbur e për ta rindërtuar jetën nëpër shtëpitë e tyre, nga ku i kishte dëbuar regjimi kriminal i Millosheviçit.

Por, jo të gjithë ishin të lirë që ta bënin këtë gjë. Mitrovica tashmë ishte ndarë në dy pjesë, derisa shqiptarët në veri po përjetonin për të dytën herë tmerrin dhe po jetonin nën ankth, pasi tani e ashtuquajtura organizatë kriminale “Rojat e Urës” nuk po i linte të qetë.

Ky brutalitet do të kulmonte në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ku formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët.

Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it. 10 shqiptarë u vranë mizorisht.

25 u plagosën, e dhjetëra të tjerë u rrahën e u keqtrajtuan.

Kryetari i Qendrës Rajonale për të drejtat e njeriut në komunën e Mitrovicës, Halit Barani, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” ka përkujtuar këtë natë tmerri, ndërsa ka thënë se i ruan fotografitë e viktimave si dëshmi për gjithçka që kishte ndodhur.

Nata e tmerrit mes dates 3 e 4 shkurt viti 2000 ishte përtej tmerrit. Unë natën e 3 shkurtit 2000 që nga ora 18. 00 e deri më 4 shkurt 2000 pas orës 16. 00 kur dhe është krye varrimi i tre prej të pushkatuarëve në këte masakër, kam qëndruar në qytet duke lëvizur deri tek ura tashmë e famshme e lumit Ibër deri në zyrë të KMDLNJ-së Qendra Rajonale-Mitrovicë.

Vazhdimisht kam pasur kontakte përmes telefonit fiks që kisha në zyrë, ku kisha disa nr. të telefonave të disa banorëve shqiptarë të pjesës së okupuar. Diku rreth orës 23.00 të datës 3 shkurt 2000, në zyrë ka ardhur tashmë i ndjeri kryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Spahija, ku me mua ka qëndruar deri pas orës 24.00 kur në zyrë ka ardhur ish gazetari i Bota Sot, Hysni Syla.

Ai më ka shoqëruar krejt kah kam lëvizur deri pas orës 2.00 të mëngjesit të 4 shkurt 2000. Pas orës 8.00 në mëngjes ka ardhur prapë dhe s’bashku kemi qenë në disa familje që kanë pësuar matanë ure.

Unë me video kamerë kam marrë deklarata nga shumë prej atyre që kishin pësuar nga kriminelët çetnikë serbë, deklarata dhe fotografi të cilat dhe tani i posedoj”, kujton ai.

Barani kujton se çka kishte ndodhur në atë natë tmerri për shqiptarët. Përmend me emra kriminelët serbë që kishin urdhëruar dëbimin, duke i vrarë 10 shqiptarë, në mesin e tyre edhe një 13 vjeçar.

23 vite më parë saktësisht, më 3 e 4 shkurt 2000 në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, kriminelët çetnikë serbë, të prirë nga krye-krimineli, Oliver Ivanoviq-Ola i shoqëruar nga krimineli Dragan Delibashiq, natën e 3 shkurtit duke filluar rreth orës 21.00 në mbramje deri rreth orës 4 të mengjesit, të dates 4 shkurt 2000 nëpër shtëpi dhe banesa të tyre kanë pushkatuar 10 civilë shqiptarë, pesë femra e pesë mashkuj, në mesin e tyre një fëmijë 13 vjeçar, plagosën me armë zjarri 25 civilë shqiptarë pa dallim moshe e gjinie, kanë keqtrajtaur shumë rëndë fizikisht, në mënyrën ma mizore 93 civilë shqiptarë pa dallim moshe e gjinie. Këtë masakër kriminelët në fjalë e kanë kryer pas luftës së UÇK-së 1998 / 99, para syve të paqëruajtësve, KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut, të cilët fare nuk kanë intervenuar edhe pse shqiptarët kanë kërkuar ndihmë nga ajo polici dhe ushtri".

Të vrarë kanë mbetur brenda nëpër banesa e shtëpi të veta:

"1. Muharrem (Ramë) Sokoli (51), 2. Nezir (Hetem) Voca (61), bashkëshortja e Nezirit 3. Shqipja (54) 4.Selime (Omer) Berisha (60), 5. Remzije Canhasi (56), 6. Nderim (Nexhmedin) Ajeti (13), 7. Sabiha (Arif) Abrashi (50), 8. Negjmije (Xhevdet) Xhaka (44) 9. Bashkim (Brahim) Rrukeci (38), 10. Niman (Ibish) Sejdiu (52)”, potencon ai.

Barani potencoi po ashtu se sipas shënimeve të KMDLNJ-së, Qendra Rajonale në Mitrovicë, gjatë luftës së UÇK-së 1998 / 99, në Kosovë kanë ndodhur mbi 400 masakra, vetëm në Mitrovicë kanë ndodhur 16 sish.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e qytetit të Mitrovicës në vitin 2016 kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 9 vjet burg njërin nga përfaqsuesit e serbëve të Kosovës, politikanin tashmë të ndjerë Oliver Ivanoviq.

“Ivanoviqi u gjet fajtor për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë periudhës 1999-2000. Vendimi final i aktgjykimit u shpall nga Këshilli Gjyqësor i misionit të BE-së për Polici dhe Drejtësi EULEX, i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa.

Ivanoviq ishte në paraburgim që nga janari i vitit 2014, kur qe arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore. Këto vepra penale janë kryer në shkurt të vitit 2000 në Veriun e Mitrovicës. Në këtë kohë gjatë trazirave e humbën jetën 10 civilë shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat